Supremja thotë se Gjykata e Pejës dhe ajo e Apelit aplikuan drejtë ligjin kur shpallën të pafajshëm të akuzuarin për krim të organizuar lidhur me narkotikë

Peja

Supremja thotë se Gjykata e Pejës dhe ajo e Apelit aplikuan drejtë ligjin kur shpallën të pafajshëm të akuzuarin për krim të organizuar lidhur me narkotikë

Më: 13 prill 2021 Në ora: 09:37
Ilustrim

Gjykata Supreme e Kosovës e ka refuzuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të Prokurorisë së Shtetit, të ushtruar kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Pejë dhe aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, të cilat liruan Gjergj Gjokajn nga akuza për pjesëmarrje në grup kriminal në lidhje me shpërndarje të narkotikëve.

Një vendim i tillë është marrë në dhjetor të vitit 2020, nga kolegji i Supremes i kryesuar nga Enver Peci, me anëtarët Rasim Rasimi dhe Agim Maliqi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) e akuzonte Gjokajn si pjesëmarrës në grupin kriminal me tani të dënuarit Mentor Seferaj dhe Bajram Shala, në lidhje me veprën penale të narkotikëve.

Gjykata Themelore në Pejë, më 7 janar 2016, Gjergj Gjokajn e kishte liruar nga akuza në mungesë provash, kurse të akuzuarin Mentor Seferaj e kishte shpallur fajtor dhe e kishte dënuar me 8 vite e 6 muaj burgim. Fajtor gjykata e kishte shpallur edhe të akuzuarin Bajram Shala dhe e kishte dënuar me 6 vite burgim.

Pas ankesave në shkallë të dytë, Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim vetëm sa i përket të pandehurit Gjokaj, kurse aktgjykimi i shkallës së parë ndaj të Seferajt dhe Shalës ishte vërtetuar.

Pas rigjykimit, Gjykata Themelore në Pejë, më 13 korrik 2018, Gjokajn përsëri e kishte liruar nga akuza për veprën penale “pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal”, lidhur me veprën penale “blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve”.

Ky vendim i Gjykatës së Pejës është vërtetuar nga Gjykata e Apelit, më 4 dhjetor 2018.

Gjykata e shkallës së parë dhe ajo e shkallës së dytë kanë argumentuar se Gjokaj nuk kishte pasur lidhje me tashmë të dënuarit për narkotikë në këtë rast, Mentor Seferaj dhe Bajram Shala, për të cilët PSRK pretendonte se ishin pjesë e një grupi kriminal.

Me lirimin e të pandehurit Gjokaj nuk ishte pajtuar Prokurori i Shtetit, i cili përmes kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë në Supreme, ka pretenduar shkelje esenciale dhe shkelje të ligjit penal nga Gjykata e Pejës dhe ajo e Apelit.

Mirëpo, një kërkesë e tillë është refuzuar si e pabazuar nga Gjykata Supreme, e cila ka konstatuar se Gjykata e Pejës dhe ajo e Apelit kishin zbatuar drejtë ligjin kur e kanë liruar Gjokajn nga akuza.

“Kjo gjykatë vlerëson se pretendimet e Prokurorit nuk janë të bazuara, kurse gjykata e shkallës së parë dhe ajo e shkallës së dytë drejtë kanë aplikuar ligjin penal kur të pandehurin e kanë liruar nga akuza”, thuhet në vendimin e Supremes.

Sipas Supremes, nuk mjaftohet që prokuroria vetëm të bëjë parafrazimin e shkeljeve ligjore, por duhet të bëjë arsyetimin e tyre.

“Prokuroria në kërkesën e saj me pretendimet e cekura më lartë i atakon dy aktgjykimet se janë të “paqarta” pa dhënë asnjë arsyetim se pse qenkan të paqarta. Aktgjykimi i shkallës së parë është lirues, ai i shkallë së dytë refuzues, ku qëndron këtu paqartësia. Aktgjykimet mund të jenë të paqarta kur nuk rezulton qartë se çka është vendosur me të, këtu çdo gjë është e qartë me dy aktgjykimet”, thuhet në arsyetimin e Supremes.

Supremja thekson se Prokuroria Speciale nuk kishte dhënë arsye se ku kishte pasur kundërthënie mes arsyetimit dhe dispozitivit të aktgjykimeve

“Po ashtu, pretendon se dispozitivi (për dy aktgjykimet) janë në kundërshtim me arsyetim, pa dhënë arsye se ku qëndron ajo kundërthënie –në cilin dimension? Do të mund të bëhej fjalë për këtë shkelje kur arsyetohet diçka që nuk e përmban dispozitivi (d.m.th. në dispozitiv thuhet diçka tjetër e në arsyetim krejt diçka tjetër), këtë situatë nuk e kemi të aktgjykimet e atakuara. Dy aktgjykimet arsyetojnë atë që kanë theksuar në dispozitivet e tyre, gjykata e shkallës së parë se pse e ka liruar nga akuza, e ajo e shkallës së dytë pse e ka refuzuar aneksen e prokurorit, ku qenka kundërthëniet e pretenduara?”, thuhet në arsyetimin e Supremes.

Prokuroria ka pretenduar se Gjykata e Pejës dhe Apelit nuk kanë dhënë arsye për zgjidhjen e provave kundërthënëse, mirëpo sipas Supremes, prokuroria nuk kishte treguar se cilat ishin këto prova kundërthënëse.

Supremja arsyeton se në kërkesën për mbrojte të ligjshmërisë nuk është e mjaftueshme vetëm të parafrazohen dispozitat ligjore të shkeljeve esenciale dhe ligjore, mirëpo të njëjtat duhet të arsyetohen.

“Me tej thekson se gjykata nuk paska dhënë arsye si i ka zgjidhë provat kundërthënëse, pa dhënë arsye se cilat ishin ato prova  kundërthënëse në këtë çështje penale, që ka ngelur pa u sqaruar. Prova kundërthënëse janë ato prova që për faktin e njëjtë relevant, japin sqarime të ndryshme. Prokurori duhet qartë të arsyetoj cilat qenkan këto prova, nuk është e mjaftueshme që me kërkesë vetëm të parafrazohen shkeljet esenciale dhe ligjore e arsyetimi të orientohet në fushën e fakteve, siç është vepruar në rastin konkret”, thuhet në arsyetimin e Supremes.

Gjykata Supreme ka arsyetuar se Gjykata e Pejës dhe Apelit kishin dhënë arsye të mjaftueshme ligjore kur kanë liruar nga aktakuza Gjergj Gjokajn.

Ndryshe, sipas pretendimeve të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Gjergj Gjokaj, së bashku me Mentor Seferajn dhe Bajram Shalën, kanë qenë pjesë e grupit kriminal i cili është drejtuar, mbikëqyrur dhe menaxhuar nga tashmë i dënuari Seferaj.

Prokuroria në dispozitiv të akuzës përshkruante se grupi i përbërë prej të lartpërmenduvre, në mënyrë të paautorizuar dhe të organizuar kanë transportuar substanca narkotike nga Shqipëria për në Kosovë , me qëllim të transportohen dhe të shiten.

Në bazë të aktakuzës, PSRK akuzonte të pandehurit Mentor Seferaj, Bajram Shala dhe Gjergj Gjokaj se të njëjtit kanë kryer vepër penale pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal nga neni 283, paragrafi 2 lidhur me veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat