Peja furnizohet me Insulinë, Loci thotë se problemi ishte te MSH

Peja

Peja furnizohet me Insulinë, Loci thotë se problemi ishte te MSH

Më: 19 korrik 2021 Në ora: 20:54
Foto ilustrim

Pas një mungese disa mujore në gjithë Kosovën, Komuna e Pejës tashmë është furnizuar me Insulinë.

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Pejës, Petrit Loci thotë se qytetarët me të drejtë janë ndier të irrituar nga mungesa disamujore e Insulinës, pasi sipas tij ajo është një produkt i domosdoshëm për sëmundjen e tyre kronike.

“Qytetarët janë detyruar që këtë produkt ta kërkojnë edhe në barnatore private, por që shpesh herë as aty nuk kanë mundur ta gjejnë dhe zgjidhjen është dashur ta bëjnë duke kërkuar atë në qytete tjera apo edhe jashtë kufijve të Kosovës”, tha Loci.

“Tashmë nga Ministria e Shëndetësisë jemi furnizuar me rreth 4000 insulina dhe sot nga fillimi i orarit të punës qytetarët kanë vërshuar barnatoren qendrore për të marrë insulinat e tyre. Radhët gjatë tërë ditës kanë qenë të gjata”.

Loci thotë se çështja e insulinave është problem i nivelit qendror dhe komunat vetëm bëjnë shpërndarjen e insulinave.

“Mungesa në nivelin qendror ndikon direkt edhe te ne. Asnjëherë më parë nuk kemi  pasur mungesë kaq të gjatë të insulinave”.

I pari i Shëndetësisë në Pejë thotë se nëse përsëritet vonesa e njëjtë, Komuna e Pejës do të provojë të gjejë mënyra tjera alternative për të mos i lënë qytetarët aq gjatë pa insulinë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat