Shtupeqi i Rugovës vazhdon të digjet, banorët ende jashtë shtëpive

Peja

Shtupeqi i Rugovës vazhdon të digjet, banorët ende jashtë shtëpive

Më: 4 gusht 2021 Në ora: 17:29
Foto ilustrim

Policia rajonale në Pejë ka bërë të ditur se zjarri në fshatin Shtupeq i Madh ende nuk është vënë në kontroll të plotë dhe se banorët ende nuk po lejohen të kthehen në shtëpitë e tyre.

Në një komunikatë për media thuhet se dje në orët e pasdites, pas rrezikut që u kanosej disa shtëpive të fshatit nga zjarri, banorët janë evakuuar me qëllim të vetëm ruajtjen e jetës së tyre dhe të njëjtit ende nuk janë lejuar të kthehen në shtëpitë e tyre, pasi që rreziku ende nuk ka kaluar.

Policia apelon te të gjithë qytetarët që frekuentojnë zonat malore të rajonit të Pejës, e në veçanti Bjeshkët e Nemuna, që maksimalisht të jenë të kujdesshëm dhe të përmbahen çdo sendi që mund të aktivizojë zjarre gjatë përdorimit si shkrepëse, cigare, grilla, zjarre në natyrë etj.

Ndryshe, nga data 30 korrik 2021 kanë shpërthyer zjarre që kanë përfshirë komunat në rajonin e Pejës e sidomos në parkun nacional në Shtupeq i Madh – Rugovë.

Gjatë kësaj periudhe Policia e Kosovës së bashku me FSK, Agjencionin e Emergjencave, zjarrfikësit, Agjensioni për menaxhimin e parkut nacional, Kuvendet Komunale, Dogana po angazhohen në vazhdimësi në mënyrë që zjarret të vihen nën kontroll dhe të shuhen tërësisht.

Policia kërkon nga qytetarët të raportojnë apo lajmërojnë PK-së për çdo person të dyshuar që mund të jetë i përfshirë në raste të zjarrvënieve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat