VV në Pejë: Militantët e AAK-së dhe PDK-së bëjnë presione ndaj votuesve dhe komisionerëve tonë

Peja

VV në Pejë: Militantët e AAK-së dhe PDK-së bëjnë presione ndaj votuesve dhe komisionerëve tonë

Më: 11 qershor 2017 Në ora: 13:41
VV

Lëvizja Vetëvendosje në Pejë ka deklaruar se ka pasur parregullsi në qendrën e votimit në fshatin Vitomiricë në Pejë.

“Parregullsi kemi hasur në shkollën fillore “7 Shtatori” në Vitomericë ku militantë të AAK dhe PDK kanë bërë presione në votues dhe komisionerët tonë. Për këtë rast është njoftuar policia dhe prokurori, i cili ka qenë në vendin e ngjarjes”, deklaroi Taulant Kelmendi, shef i shtabit zgjedhor të LVV-së në Pejë.

Rastin e ka konfirmuar Veton Mujaj, drejtori i OJQ “Syri i Vizionit”, e cila në kudër të Demokracisë në Veprim monitoron zgjedhjet në komunat e Rrafshit të Dukagjinit.

“Po, ka ndodh në shkollën ‘7 Shtatori’ në Vitomiricë, ku AAK, ka filluar të shpërndajë edhe simbole të partisë”, thotë Mujaj.

Në anën tjetër, Naim Sahiti, shef i shtabit zgjedhor të AAK-së në Pejë e ka mohuar të ketë ndodhur një rast i tillë.

“Nuk qëndron aspak. Asnjë ndikim mbi votues nuk ka pasur. Një votues yni ka hyrë të voton me shenjë të partisë ngase e ka harruar të ngjitur dhe ka pas reagim të komisionerit të LVV. Për këtë edhe policia ka qenë në vend të ngjarjes. Kjo ka qenë krejt ngjarja”, deklaroi Sahiti.

Sipas LVV-së në Pejë, po ashtu ka pas një rast tjetër në fshatin Baran, ku janë lejuar të votojnë votuesit edhe pse kanë pas gishtat e shënjuar.

“Në ankesën e komisionerit tonë, kryekomisioneri i koalicionin ‘PAN’ ka arsyetuar që personat kanë sjell dëshmitar që nuk kanë votuar dhe janë lejuar të votojnë”, pohoi Taulant Kelmendi, shef i shtabit zgjedhor të LVV-së në Pejë.

Kurse edhe Naim Sahiti nga AAK pohoi se ka disa raste kur është raportuar për zyrtarë të Komunës së Pejës që sipas tij, po shihen nëpër qendra te votimit.

“Ne kërkojmë që qytetarëve të mos u behet presion dhe procesi të shkon i qetë. Normalisht ata nuk e kanë vendin aty dhe secila prani e tyre është presion tek votuesit. Ne nuk kemi vërejtur qe ata konkretisht kanë ndikuar ne proces por hyrja e dalja në qendra të votimit është ndikim tek votuesit”, u shpreh Sahiti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat