E shtrenjtë në Pejë deklarata e Bashkësisë Familjare

Peja

E shtrenjtë në Pejë deklarata e Bashkësisë Familjare

Më: 19 korrik 2017 Në ora: 13:07
Komuna e Pejës

Nxjerrja e Deklaratës së Bashkësisë Familjare në Pejë kushton shumë më shtrenjtë se në komunat përreth.

Disa fish me shumë duhet të paguajnë banorët e Pejës për t’u pajisur me  Deklaratën  e Bashkësisë Familjare në komunën e tyre në raport me banorët e komunave të Deçanit dhe Istogut.

Kjo pagesë ka shtyrë banorin e Pejës Luan Krasniqi që rastin ta raportojë në Kallxo.com

Ai thotë së në Qendrën e Bashkësisë Lokale të Baranit në Pejë për Deklaratën e Bashkësisë Familjare ka paguar shumën prej 5 eurove.

“Jemi të shqetësuar sepse në Qendrën e Bashkësisë Lokale në Baran të Pejës, Deklarata e Bashkësisë Familjare na ka kushtuar 5 euro. Kurse e njëjta kushton 2 euro në Prishtinë dhe Prizren”, thotë ai.

Krasniqi tregoi se nuk i është dhënë arsyeja pse këtë dokument banorët e Pejës duhet të paguajnë dyfish me shumë.

“Nuk e dimë pse kushton dyfish me shumë në Pejë. Kam kërkuar shpjegim por nuk më ka dhënë ende askush”,tha Krasniqi.

Drejtori i Financave në Komunën e Pejës Jeton Abazaj tha se çmimi prej 5 eurove për Deklaratën e Bashkësisë Familjare  është i paraparë me rregulloren e cila është miratuar në Kuvendin Komunal.

“Në janarin vitit të kaluar është aprovuar në Asamblenë komunale kjo rregullore ku është paraparë kjo tarifë për ketë shërbim”, tha Abazaj.

Ai deklaroi se çmimi për këtë dokument mund të ndryshojë nëse ka ankesa.

“Mund të jetë më shtrenjtë se komunat tjera, por e njëjta nuk do të thotë se nuk mund të ndërrohet, vetëm se duhet dërguar kërkesë në Drejtorinë e Administratës që të ndërrohet kjo tarifë dhe e njëjta të aprovohet sërish përmes asamblesë”, tha Abazaj.

Ai e pranoi se “ka pasur disa shqetësime edhe me herët nga banorët për këtë shumë rreth këtij shërbimi”.

Ndërsa banorët e komunës me të afërt me Pejën, ata të Deçanit për Deklaratën e Bashkësisë Familjare paguajnë katërfish me pak.

Zëdhënësja e Komunës së Deçanit, Yllarta Thaçi, bëri të ditur së ky shërbim në këtë komunë kushton vetëm 1 euro, ose 4 euro me pak së në Komunën e Pejës.

Edhe banorët e Komunës së Istogut paguajnë dyfish me pak se ata të Pejës për Deklaratën e Bashkësisë Familjare.

Jeta Balaj, zëdhënëse në Komunën e Istogut, bëri të ditur se ky shërbim në këtë komunë kushton dy euro.

Çmimin e njëjtë me Pejën kjo deklaratë e ka edhe në Mitrovicë.

Deklarata e Bashkësisë Familjare u kërkohet atyre që aplikojnë për viza për të mësuar në lidhje me anëtarët e familes së tyre./Kallxo.com/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat