Kandidati për kryetar të Junikut Tahir Isufaj, premton qeverisje transparente dhe përgjegjshme para ligjit

Peja

Kandidati për kryetar të Junikut Tahir Isufaj, premton qeverisje transparente dhe përgjegjshme para ligjit

Nga: Adem Lushaj Më: 28 gusht 2017 Në ora: 20:38
LDK, Junik

Dega e Lidhjes Demokratike në Junik, ka vendosur që në zgjedhjet e 22 tetorit, të garon me ish kryetarin e kësaj Komune, profesorin dhe aktivistin e shquar të kësaj partie, sidomos në vitet e 90-ta, që njihet se periudha për Liri dhe Pavarësi, të udhëhequr nga dr. Ibrahim Rugova.

Për kandidaturën e Isufaj, që sërish të jetë në krye të qeverisjes komunale në Junik, kryetari i degës Ruzhdi Shehu, shprehët se, “junikasve po iu ofrojmë njeriun e duhur, njeriun që kishte ditur të vendos bazat institucionale të kësaj komune, kur dihet se Juniku ishte ndër komunat e para që kishte marrë Statusin e komunës, sipas procesit të decentralizimit (2005-2009). Kryetari i LDK-së për Junik, Ruzhi Shehu, fton votuesit pa dallim përkatësie partiake, që të dalin në zgjedhjet e ardhshme lokale, dhe ta votojnë kandidatin e LDK-së, Tahir Isufaj

Ndërsa, Tahir Isufaj, që pretendon sërish të jetë në postin e kryetarit të Junikut, thotë se është i vetëdijshëm për punët e mëdha që e presin, (nëse do merr besimin e qytetarëve), ngase qeverisja e keqe ka bërë që buxheti i kësaj komune të jetë i shpenzuar edhe për tri vitet e ardhshme.

“Jam i vetëdijshëm për sfidat që më presin, por do ia arrijmë që ta kthejmë qeverisjen për qytetarët, ngase kemi treguar edhe në të kaluarën, se qeverisja nga LDK-ja, është qeverisje institucionale e jo grupore apo të individëve të caktuar me ndikime klanore. Isufaj, që ishte kryetar i parë i Komunës së Junikut. shprehët se Juniku e meritonte ta ketë statusin e komunës, ngase historikisht njihet si vend që gëzonte status të veçantë, ku ishte vend i strehimit dhe takimeve të mëdha, të trimave dhe intelektualëve të njohur shqiptar, nëpër gjitha periudhat kohore historike.

“Atë kohë, (2005) kishim procesin e decentralizimit dhe Juniku ishte ndër tri të parët (Hani i Elezit, Mamusha dhe Juniku) që mori statusin Pilot Komunë, ku më pas, falë qeverisjes së mirë të LDK-së, arritëm të marrim statusin e plotë të komunës”, ka treguar Isufaj, sipas të cilit, junikasit kanë merituar dhe meritojnë, shumë më shumë, sepse janë pjesë e zhvillimeve historike kombëtare. Gjithnjë sipas tij, edhe me kompetenca të kufizuara, ishin realizuar projekte të mëdha, qoftë në kryerje të shërbimeve administrative, apo të projekteve kapitale zhvillimore për Junikun.

“Nuk ishte lehtë të fillosh punën si institucione, kur dihej se ishim pjesë institucionale e Deçanit, ku shërbimet duhej të barteshin në mënyrë graduale te administrata e re dhe e pa përvojë e Komunës sonë”, ka nënvizuar Isufaj, duke thënë fjalë miradije për stafin e atëhershëm që arriti shumë shpejt të bëhet ndër komunat me administratën më efikase në gjithë Kosovën.

Kandidati për kryetar nga radhët e LDK-së, Tahir Isufaj, duke mos dashtë të merret me vlerësimet për punën e qeverisjes së kryetarit aktual Agron Kuçi, ka përmendur disa nga projektet të cilat ishin vitale për Junikun, siç ishin “Vizionimi i Junikut”, Hartimi i Planeve Zhvillimore Komunale dhe Urbane, Ruajtja dhe konservimi i kullave, Shtrati i lumit “Ereniku”, Objekti i Komunës, si dhe shumë projekte infrastrukturore, turistike dhe bujqësore. Ish kryetari Isufaj, premton qeverisje të mirëfilltë dhe të ndershme, transparente dhe të përgjegjshme para ligjit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat