Rrënimi i shkollës së Artit në Pejë, paralajmërohet protestë derisa Muhaxheri hesht

Peja

Rrënimi i shkollës së Artit në Pejë, paralajmërohet protestë derisa Muhaxheri hesht

Më: 9 shtator 2017 Në ora: 09:40
Rrënimi i shkollës së Artit në Pejë

Buldozerët e autorizuar nga Komuna e Pejës, kanë rrafshuar njërën prej ndërtesave më të vjetra të qytetit të Pejës. Objekti gati 100 vjet i vjetër i shkollës së parë të mesme të arteve aplikative në Kosovë nuk është më.

Reagimet dhe paralajmërimet kanë qenë në masë nga ana e subjekteve opozitare në Pejë, komunitetit artistik dhe shoqërisë civile në këtë qytet.

Zërat kundërshtues nuk i kanë lënë përshtypje kryetarit, Gamend Muhuaxheri. Eskavatorët kanë bërë detyrën.

Me indinjatë kanë reaguar subjektet politike në Pejë, AAK, ‘Alternativa’ dhe ‘Vetëvendosje’.

“Edhe një hap drejt shpërfytyrimit total të Pejës! Pothuajse nuk ka asgjë sot në Pejë që ma kujton qytetin e femërisë time.”, ka shkruar profesori i njohur i muzikës në këtë qytet Luan Sapunxhiu.

Edhe daullisti famoz nga Peja me përmasa ndërkombëtare Besim Gashi – Babuka, ka qenë artisti i radhës që ka reaguar ndaj rrënimit objektit të shkollës së artit ‘Odhise Paskali” në Pejë nga ana e pushtetit aktual të komunës.

“Ky veprim nuk arsyetohet me asgjë.”,ka shkruar mes tjerash Babuka në reagim.

Veton Mujaj, drejtor ekzekutiv i shoqatës joqeveritare "Syri i Vizionit" ka kërkuar që për këtë shkatërrim të jepet llogari.

“Rrënohet pa asnjë konsultim dhe pa fije turpi objekti i shkollës së mesme “Odhise Paska’i” në Pejë. Tashmë objekti është rrënuar por njerëzit që bënë këtë do të duhej vërtet të përgjigjeshin për këtë  veprim të poshtër”, thotë Mujaj.

Edhe subjektet politike të Pejës, kanë qenë të ashpra në reagimet e tyre.

Fatmir Gashi kandidat për kryetar të komunës së Pejës nga AAK, partia më të madhe opozitare në këtë komunë, kishte pasur dy reagime para se eskavatorët të niseshin për veprim.

Gashi i AAK-së ka kërkuar unitet politik e qytetarë në protestë kundërshtuese ndaj veprimeve të tilla që po ndodhin.

“Në këtë realitet të hidhur ne na ka mbetur vetëm një mundësi - ajo e PROTESTËS GJITHË-QYTETARE. Nga ky moment, për këtë çështje, unë dhe AAK në Pejë ulim flamujt partiak dhe ftojmë qytetarët pa dallim, komunitetin artistik, shoqërinë civile, subjektet politike të Pejës që të organizohemi për PROTESTË GJITHË-QYTETARE, kundër këtij akti të shëmtuar”, ka thënë kreu i AAK-së në Pejë, Fatmir Gashi.

Gashi ka shkuar edhe më tej duke kërkuar mbështetjen e medias për këto raste, që sipas tij janë të shpeshta në Pejë, e për të cilat rivali I tij politik Muhaxheri po bënë presion dhe shantazh edhe ndaj medias.

“Inkurajojë edhe mediat lokale dhe qendrore, që përkundër presioneve dhe shantazheve që ne e dijmë se po u bëhen nga ana e Gazmend Muhaxherit dhe klikës së tij, të marrin guximin dhe të pasqyrojnë këtë realitet të hidhur. Për mua dhe AAK-në mbetet e pakuptimtë qetësia absolute e mediave tona në raport me këtë problematikë serioze, derisa dhjetëra reagime publike kemi nga vet qytetarët e guximshëm. Jam i bindur se po të ekzistonte sensibilizimi me kohë i kësaj çështjeje nga ana e medias, gjërat do të shkonin ndryshe.”- thotë Fatmir Gashi.

Ashpër ka reaguar edhe Lëvizja ‘Vetëvendosje’ në Pejë.

“Gazmend Muhaxheri me rrëzimin e objektit të Shkollës Artit, e ki lënduar Pejën. Ja ki humbur një pjesë të trashëgimisë. Ky akt, nuk është akti yt i parë që po e lëndon Pejën, por jam i bindur që do të jetë një ndër të fundit.” – ka thënë kandidati I Vetëvendosjes për kryetar të Pejës, Bashkim Nurboja.

Reagimet kanë pasuar edhe nga Alternativa e Pejës. “Alternativa në Pejë shpreson dhe dëshiron të beson se rrënimi dhe asgjasimi i ndërtesës së Shkollës së parë dhe të vetme të shkollës së mesme të Artit në trojet shqiptare nga pushteti aktual i Pejës me arsyetimin dhe mburrjen  bizare se aty do të ndërtohet një objekt i ri është më tepër se irrituese, nençmuese e më shumë se provokuese për shoqërinë pejane…Me ketë mendësi barbare të këtij pushteti duhet edhe p.sh. Shkolla e parë shqipe në Korçë rrenuar e në vend të saj të ndërtohet një shkollë e re…! Apo shkolla e parë shqipe në Pejë (Shkolla e Vogël e Haxhi Zekës).”-ka reguar kandidati i Alternativës për kryetar, Reshat Nurboja.

Të gjithë këtyre zërave kundërshtues ndaj rrënimit të objektit 100 vjeçar të shkollës së mesme të artit “Odhise Paskali” në Pejë, kryetari aktual i komunës Gazmend Muhaxheri ka vendosur tju përgjigjet nëpërmjet shefit të kabinetit të tij. Është Durim Sheremeti ai që ka shkuar aq larg në përgjigjen e tij sa që fyen rëndë identitetin personal  edhe familjarë të atyre që reagun kundër kësaj dukurie, duke i quajtur” nostalgjik të ish-sistemit”.

“Njerëz te frustruar e plote nostalgji për Ish-Sistemin lomotasin neper FB.”- u është përgjigjur Sheremeti.

Image
Rrënimi i shkollës së Artit në Pejë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat