Fatmir Gashi premton hapjen e vendeve të reja të punës dhe investime në Pejë

Peja

Fatmir Gashi premton hapjen e vendeve të reja të punës dhe investime në Pejë

Më: 26 shtator 2017 Në ora: 18:41
Fatmir Gashi

(E plotësuar) - Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka hapur sonte në mënyrë solemne fushatën e saj zgjedhore në Pejë. Kandidati i AAK-së për kryetar të komunës së Pejës, Fatmir Gashi, ka thënë se arsyeja kryesore që ai ka vendosur t’i hyjë garës për të parin e komunës është se AAK ka lindur në Pejë.

Ai ka kritikuar udhëheqjen aktuale të LDK-së në Pejë se ka humbur lidhjen me elektoratin, pasi që gjatë këtij mandati nuk ka punuar asgjë për të mirën  e qytetarëve dhe të ardhmes së tyre.

Gashi: Ata që po kërkojnë lidhje, e kanë humbur lidhjen me elektoratin

“Ata që po kërkojnë lidhje, e kanë humbur lidhjen me elektoratin. E dinë që janë humbës. Unë në programin tim me kryeministrin Haradinaj po kërkojmë kontratë me qytetarët. Unë do të kem koalicion me qytetarin dhe premtimet tona lidhen me besë, me fjalë dhe me punë. Ne nuk sjellim program duke parë ëndrra sikur ata të tjerët, unë sjell program të cilin do ta realizoj me përpikëri”, ka thënë Gashi.

Duke folur për programin e tij qeverisës, kandidati për të parin e Pejës nga radhët e AAK-së tha se qytetarët jetojnë në një qytet ku ligji respektohet më së paku dhe ligji krahasohet me livadhe, por se me ardhjen e kësaj partie në pushtet do të ketë zhvillim ekonomik dhe  punësim për 200 familje.

Gashi: 2000 punëtorë do të punësohen në Zonën ekonomike

“Programi ynë bazohet kryesisht në zhvillimin ekonomik. Ne për katër vjet do të punësojmë pesë mijë qytetarë të komunës së Pejës. Qysh do ta bëjmë këtë? Do të ngritim një zonë ekonomike, apo zonë industriale në Pejë dhe në ato zonë do të shkojë krejt infrastruktura dhe do ta qesim në tender për të gjithë të interesuarit, të cilët kanë ide për prodhim dhe do ta japim për shfrytëzim pa asnjë cent dhe në atë zonë do të punësohen dy mijë vetë. I vetmi kusht për ata që ndërtojnë në atë zonë do të jetë që vetëm dhjetë për qind të punëtorëve t’i marrin nga lista e të papunësuarve, prej familjeve që nuk kanë asnjë të punësuar”, ka thënë Gashi.  

Ai ka kritikuar qeverisjen aktuale në Pejë, e cila udhëhiqet nga LDK-ja, se ka dështuar në mirëmbajtjen e qytetit, ndërkohë që në kohën sa ishte kryetar Ali Berisha nga AAK Peja ka qenë ndër qytetet më të pastra në Kosovë.

Për të qenë Peja një qytet i pastër, Gashi ka paralajmëruar se do të jetë një ndërmarrje, në të cilën do të punësohen mbi 300 punëtorë.

Gashi: Do të mbështesim projektet e të rinjve

“Gjithë të rinjtë, të cilët dëshirojnë të hapin ndonjë biznes dhe kanë ide, do të konkurrojnë në zyrën e projekteve dhe nëse e kanë mirë do t’iu paguajmë nga pesë mijë euro për t’ia filluar punës”, ka thënë Gashi.

Ai po ashtu u zotua se gjatë mandatit të qeverisjes së tij do të ndërtojnë edhe inkubatorin e biznesit për inovatorët, i cili do të ndërtohet në ndërtesën e Bankosit të vjetër.

Zhvillimi rural është pjesë e projektit të tij për qeverisjen e ardhshme të Gashit, duke thënë se do të shtrihen kanale për ujitje në gjithë komunën e Pejës, ndërsa bujqve do t’iu jepen serra dhe do t’iu falen nga tri krerë lopë, ndërsa pemëtarëve do t’iu jepen fidanë.

Një gjendje jo të mirë është edhe arsimi, për të cilin Gashi tha se në këtë sektor po punësohen vetëm ata që janë të afërt me pushtetin e LDK-së dhe AAK pas ardhjes  në pushtet do të bëjë depolitizimin e arsimit.

Ai ndërkaq u zotua se gjatë qeverisjes së AAK-së shkollat do të punojnë në vetëm një ndërrim, derisa do të ofrojë edhe shërbime më të mira në sektorin e shëndetësisë për të gjithë qytetarët, përmes hapjes së laboratorëve të ri.

Gashi po ashtu u zotua se do të ketë një përkujdesje ndaj trashëgimisë kulturore, kulturës dhe sportit, të cilat gjatë kohës së Gazmend Muhaxherit të LDK-së janë degraduar, duke thënë se për rini dhe kulturë do të ndahen 380 mijë euro, derisa për sport do të ndahet 2.5 për qind e buxhetit aktual komunal prej 23 milionësh, ose gjysmë milioni euro në vit.

Ndërsa, kryetari i AAK-së, njëherësh kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka uruar kandidatit të AKK-së Fatmir Gashit fitoren në zgjedhjen e 22 tetorit, ndërsa ka kërkuar prej tij që t’i përmbushë të gjitha premtimet e dhëna gjatë fushatës.

Haradinaj: Premtimet duhet të mbahen

“Binde veten se ato çka po i thua duhet t’i kryesh, se këtyre ditëve, nuk dua të më shkojë fytyra, unë luftoj shumë që të mos më shkojë. Nuk po shtim me zor, vetë i ke llogarit, vetë ke thënë, mos harro çka ke thënë, ato punë na presin”, ka thënë Haradinaj.    

Ai ka thënë se versioni aktual i demarkacionit të kufirit me Malin e Zi nuk është ratifikuar dhe se pa u ratifikuar nga dy shtetet nuk ka marrëveshje. Haradinaj tha se Kosova nuk i ka dy të tretat e votës për këtë version dhe as vota e tij nuk është për versionin aktual të demarkacionit.

Kreu i AAK-së u bëri thirrje qytetarëve të Pejës që të votojnë Fatmir Gashin për të shënuar fitore në raundin e parë dhe të mos shkojë në balotazh, duke premtuar se ky është kandidati më i qëlluar për ndryshime pozitive për komunën e Pejës dhe gjithë qytetarët e saj.

Gashi i AAK-së premton punësimin e të gjithë qytetarëve të Pejës

Kryeministri i Kosovës njëherësh kryetar i AAK Ramush Haradinaj kërkoi nga kandidati i tij për kryetar të komunës së Pejës Fatmir Gashi, që ato që po i premton duhet edhe duhet realizuar që të “mos më shkoi fytyra”.

"Në Kosovë po ndodhë qeverisja në veprim, si punë duke mbrri tek qytetari. Për pak ditë që jemi në punë kam me mbrri në cak. Disa tema edhe pse të vështira po realizohen. BE dhe Amerika kanë filluar me ndjek këtë qeverisje pozitive. Kemi ardhur në kohën e duhur. Edhe dikur kemi kërkuar liberalizim, ndërsa sot është një cështje tjetër për zbatimin e MSA-së.

Haradinaj tha se në këtë kontratë në rend është edhe liberalizmi i vizave duke zbatuar reformat dhe po punojmë edhe për statutin e kandidatit të Kosovës në BE.

“Demarkacioni nuk është ratifikuar në Mal të Zi, sepse pa u ratifikuar nga dy shtetet nuk ka marrëveshje. Andaj, miqve të Kosovës nuk ju rrej dhe Kosova nuk i ka dy të tretat e votës për këtë verzion dhe as vota ime nuk është", tha Haradinaj

Gashi i AAK-së premton punësimin e të gjithë qytetarëve të Pejës

Me sloganin "Ndryshimi vazhdon", Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) sot pasdite ka mbajtur tubim zgjedhor me elektoratin e saj në Pejë.

AAK para elektoratit të saj ka prezantuar programin qeverisës, kandidatin për kryetar të Pejës, Fatmir Gashin dhe kandidatët për këshilltarë të komunës.

Kandidati për kryetar Fatmir Gashi tha se ata që kërkojnë Lidhje e kanë humbur Lidhjen, duke iu referuar sloganit të LDK.

Ai tha se AAK nuk sjell program duke parë ëndrra, i cili shtoi se qytetarët e Pejës po jetojnë pa standarde.

"Programi ynë fokusohet në zhvillimin ekonomik, dhe do të krijojmë pesë mijë vende të punës. Ne do të ndërtojmë zonë industriale dhe do t’i punësojmë të gjithë qytetarët e Pejës", tha Gashi.

Ai shtoi se me punë të përkushtuar do të bëhet mirëmbajtja e qytetit duke krijuar 300 vende të punës.

Po ashtu Gashi tha se do të krijohet një klimë e favorshme për biznese dhe perspektivë të të rinjve. Ndër të tjera ai tha se do të ketë edhe zhvillim rural, duke rregulluar ujë të pastër dhe të mjaftueshëm për bujqit e Pejës.

Po ashtu edhe kanale për ujitje për fermerët. Ai ka  përmendur edhe subvencionet dhe grantet për fermerët, duke ndarë sera, dhe jo duke i ndarë në bazë të përkatësive politike.

Gashi tha se edhe sektori i arsimit është në nivel jo të mirë dhe jo të kënaqshëm , sepse ka politizim të arsimit.

Me AAK drejtorët e shkollave do të zgjedhën nga këshilli i prindërve.

Sipas tij sektori i shëndetësisë, do të punohet në bazë të ligjit funksional dhe do të blihen pajisje për shëndetësi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat