Babë e bir i bëjnë për spital dy romë në Gllogjan të Pejës - arsyet janë banale

Peja

Babë e bir i bëjnë për spital dy romë në Gllogjan të Pejës - arsyet janë banale

Më: 4 tetor 2017 Në ora: 18:17
Ilustrim

Kryetari i degës së PSHDK’së në Pejë, Anton Antoni bashkë me djalin e tij, kanë rrahur keq të premten e shkuar dy vëllezër të rinj, pjesëtarë të komunitetit rom. Ngjarja ka ndodhur për arsye banale, në fshatin Gllogjan të Pejës, ku banojnë të dy palët. Krejt kjo po dyshohet se ka ndodhur pasi fqinjët e tyre romë u kanë zënë rrugën me traktorë Antonit dhe djalit të tij Kenedit derisa po lëviznin me veturë në rrugën kryesore të fshatit. Dy sulmuesit ndodhen në paraburgim, ndërsa viktimat po trajtohen ende në spitalin e Pejës.

Samsoni dhe Egzoni, dy të rijnë rom, mbi të njëzetat, ishin duke shkuar me traktor në mal për të prerë dru. Me të dalë nga dyert e oborrit të tyre në rrugën kryesore të fshatit Gllogjan të Pejës, pranë tyre kanë kaluar më veturë fqinjët e tyre shqiptarë Anton Antoni dhe djali i tij Kenedi. Antonit, që është edhe kryetar i Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës (PSHDK) në Pejë dhe të birit, e kanë konsideruar veten më të rëndësishëm, në krahasim me dy të rinjtë romë që po lëviznin me traktor. Për këtë sipas nënës dhe vëllait të dy të rinjve romë, Samsonit dhe Egzonit, ka nisur një sherr mes dy palëve që ka përfunduar me rrahjen keq dhe therjen e njërit prej pjesëtarëve të komunitetit nga dy shqiptarët, babë e bir. Ngjarja ka ndodhur të premten pasdite në këtë fshat të Pejës. 

Samsoni dhe Egzoni kanë përfunduar në spital, ku ndodhen edhe sot duke u trajtuar nga mjekët. Samsoni është therur me thikë në krah, ndërsa Egzonit i është thyer këmba nga goditjet më shipkë hekuri. Për këtë rast Policia e Kosovës ka arrestuar menjëherë të riun Kened Antoni si të dyshuar, ndërsa pak ditë më pas është dorëzuar edhe Anton Antoni, i cili fillimisht ndodhej në arrati. Ndaj tyre është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh nga Gjykata Themelore e Pejës. 

5 ditë pas këtij incidenti, Express ka qëndruar në Gllogjan të Pejës, dhe ka folur me familjarët e viktimave. 

Aliu, një prej 8 vëllezërve të romëve të rrahur thotë se kanë mbetur të habitur nga veprimi i fqinjëve të tyre shqiptarë. Duke përshkruar sesi ka ndodhur ngjarja, ai insiston se nuk kanë pasur asnjëherë ndonjë mosmarrëveshje me banorët e fshatit e as me mësuesin e shkollës së fshatit Anton Antonin, që bashkë më të birin e tij thotë se ia rrahën vëllezërit. 

“Nuk jem ka e dimë as na vet çka është në pyetje. Ata janë kanë tu shku me traktor më i bajtë drutë, ata janë ardhë me kerr knena dhe kanë dalë qetu e ju kanë thanë pse po më këqyrni shtrembt”, rrëfen Ali Berisha. 

“Une shtrembët s’jom ka ju kqyri por jom tu e kqyre rrugën me kalu”, thotë ai ti jetë përgjigjur njëri prej vëllezërve të rrahur. 

“Masnej kanë vazhdu dy paltë udhën. E ata ju ka dal ma nalt në katun. Antoni ju ka ra me njëfarë hekuri të aluminit, ndërsa djali i tij ju ka ra me thikë. Njanit ja kanë thy kamën, ndërsa tjetri është i varrum në krah me thikë. Ma tepër nuk dimë”, thotë ai. 

Vëllezërit e viktimave derisa tregojnë se ku ka nisur konflikti

Në atë moment, ndërhyn nëna e tij, Riza.

“Djali u kon qatje me traktor, tu e pritë vëllain e vet”, përshkruan ajo konfliktin që ka nisur para dyerve të shtëpisë së familjes romë. “Veç kur vin ata qeknena, djali qatje tu shku, nalen ata, i thotë njani çka po më kqyre, a e din se jom boss unë”, rrëfen nëna e Samsonit dhe Egzonit. 

“Thotë djali kurgjo spo të kqyri. Hajt se shihem na i ka than. Kurgjo ste bona more, a jemi kojshi”, bën be t’i ketë thënë njëri nga djemtë e saj sulmuesve. 

Tutje, ajo thotë se të dy palët kanë vazhduar rrugën, porse më vonë konflikti i dhunshëm ka ndodhur në një zonë tjetër të fshatit. 

“Na pa ditë pa kurgjo. Vec kur thirren edhe na than mos dilni se Egzonin e Samsonin po i çojmë për spital. Na skena dite oj loke. Cila nanë ka qef me i ndodhë kjo”, rrëfen me dhimbje nëna e dy viktimave që po trajtohen prej të premtes në spital të Pejës. 

Media ka qëndruar edhe tek familja e kryetarit të PSHDK’së në Pejë, Anton Antonit. Aty është taktuar me gruan e Antonit, e cila ngjarjen shkurt e ka përshkruar më ndryshe. 

Sipas saj, komshinjtë e tyre romë janë problematik, duke e hedhur fajin tek ta. 

“Kan ndal në rrug me traktor s’ja kanë lshu rrugën. Jan dofar problemash kta”, thotë ajo, derisa konfirmon se burri dhe djali ndodhen në Polici në Pejë. 

Sipas saj rrahja është bërë nga i biri i saj Kenedi, porse konfirmon se ka ndodhur në prani të Anton Antonit. 

“Ata e kanë akuzu ma shumë Antonin, ama djali i ka bo. Por e kan nal edhe Antonin”, thotë gruaja e mësuesit të fshatit dhe kryetarit të PSHDK’së në Pejë që tashmë është dorëzuar në Polici, edhe pse fillimisht ishte arratisur pas incidentit. 

Të dy familjet, ajo rome dhe gruaja e Antonit konfirmojnë se tashmë konflikti ka marrë fund, dhe palët janë pajtuar. 

“E kan fal dje. Jan marrë vesh. Jan pajtu mes veti. Po presim me i liru”, thotë gruaja e Antonit, e cila nuk është prezantuar me emër gjatë bisedës.

Nga ana tjetër, Aliu, vëllai i Samsonit dhe Egzonit, përveçse tregon se i kanë falur fqinjët e tyre sulmues, thotë edhe se kurrë nuk kanë pasur ndonjë mosmarrëveshje më banorët shqiptarë të fshatit, që janë edhe shumicë. 

“Kurrë në jetë s’kemi pas konflikt mes veti. Bile djali i qetij sulmuesit, Kenedi është rritur me vëllain tem. Është kanë në shkollë.  Ne qaty pak na ka prek, se pa arsyeje”, tha ai të mërkurën. 

Policia në Pejë nuk kanë dhënë informacione për rastin, duke treguar se tashmë lënda ka kaluar në Prokurori. E vetmja e dhënë e rastit është ajo e ditës së shtunë përmes raportit policorë 24 orësh, ku është njoftuar vetëm për arrestimin e njërit nga të dyshuarit. 

“Është arrestuar i dyshuari mashkull K/Shqiptar pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje në bashkëveprim me të dyshuarin tjetër i cili gjendet në arrati kanë sulmuar fizikisht dy viktimat meshkuj K/Romë. Viktimat kanë pranuar trajtim mjekësor ndërsa i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në raportin e datës 30 shtator 2017.

Megjithatë në Prokurorinë Themelore të Pejës kanë konfirmuar se tashmë të arrestuar janë të dy sulmuesit e dyshuar, dhe ndaj tyre është caktuar masa e paraburgimit. Të njëjtit, medias i kanë dhënë mundësinë e ndryshimit të kësaj mase, pasi palët në konflikt janë pajtuar mes vete. 

Media ka provuar të takojë edhe viktimat që po trajtohen në spitalin e Pejës, por nuk ka arritur, megjithatë mëson se gjendja e tyre është e mirë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat