Mustafa: Sukseset në qeverisje garantojnë fitoren e Muhaxherit në Pejë

Peja

Mustafa: Sukseset në qeverisje garantojnë fitoren e Muhaxherit në Pejë

Më: 10 tetor 2017 Në ora: 22:36
Isa Mustafa në një takim me qytetarët e Lugut të Baranit

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë të martën në një takim me qytetarët e Lugut të Baranit, se me këtë përkrahje që po e shohim, është e qartë se Gazmend Muhaxheri do të jetë zgjedhja e qytetarëve edhe për mandatin e ardhshëm, madje edhe për shumë mandate tjera.

“Për gjithë këto të arritura, vlera nuk është vetëm te Gazmend Muhaxheri dhe asambleistët e LDK-së, por vlera është tek ju që keni besuar tek ata, kjo është vlerë shumë më e madhe”, është shprehur Mustafa.

“Ju të Lugut të Baranit nuk shquheni vetëm për demokraci, por edhe për kontributin e madh që e keni dhënë për çlirimin e vendit, edhe për brigadën që e keni mbajtur edhe për luftën që e keni zhvilluar. Të gjithë ju, edhe heronjtë tanë, siç ka qenë Tahir Zemaj dhe të tjerët, meritojnë respekt të madh. Kjo është fuqia jonë, sepse ne na bëjnë bashkë punët e mira. E nëse shfletohen punët e mira që ka bërë Gazmend Muhaxheri shihet se janë punë të një shekulli dhe puna e tij do ta vulosë fatin e Pejës dhe Lugut të Baranit e me këto punë nuk do të mburret vetëm Peja, por e tërë Kosova”, është shprehur kryetari i LDK-së.

Ai ka thënë se Muhaxheri i ka përballuar edhe sulmet e pengesat nga më të ndryshmet. Edhe Mustafa ka thënë se pret që Muhaxheri të fitojë në rundin e parë, madje me 60 për qind, ndërsa pjesa e tjetër do t’u lihet të tjerëve vetëm për hir të demokracisë dhe jo pse e meritojnë.

Kryetari aktual i Pejës, Gazmend Muhaxheri, e ka nisur fjalimin e tij duke përkujtuar besën që ua kishte dhënë qytetarëve katër vjet më parë. “Sot e kërkojmë votën tuaj në besë dhe fjalë për punën që e kemi kryer në Lugun e Baranit dhe kudo në Pejë. Kemi shtruar 307 kilometra rrugë, kemi punuar tri shkolla të mesme, diçka që në Pejë nuk ka ndodhur për 40 vjet, kemi punuar shtatë salla të edukatës fizike dhe kjo është njëra prej tyre dhe më e bukura, kemi kryer 51 mijë metra kanale të ujitjes në secilin fshat e në mandatin e ardhshëm do të vazhdojmë edhe më fuqishëm, kemi kryer 61 mijë metra kanalizim e do të vazhdojmë edhe aty ku ka mbetur për t’u kryer”, ka thënë Muhaxheri.

Ai ka shtuar se Komuna e Pejës ka nevojë edhe për katër shkolla, tri fillore dhe për gjimnazin shoqëror. “Për ta zhvilluar këtë vend më tutje, ne do ta ndërtojmë teleferikun, që banorët e Deçanit, Istogut e Klinës të mos mendojnë zhvendosjen në Prishtinë, por në Pejë, sepse po punojmë për një Pejë lider në regjion”, ka theksuar Muaxheri.

Ai ka shtuar se nuk premton shumë, por ka thënë me bindje se Barani do ta ketë fushën sportive, Gllogjani do ta ketë një sallë si kjo në Baran dhe kudo që të nevojitet dora e shtetit për të ndihmuar, Komuna e Pejës do të jetë e gatshme.

Muaxheri ka kërkuar votën edhe për asambleistët e LDK-së, të cilët i ka vlerësuar si më të mirët për Pejën. Muhaxheri është shprehur i bindur se më 22 tetor do të fitojë pa balotazh.

Image
Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat