Profesori ndërkombëtar tregon çfarë fshihet prapa letrës së presidentit Trump

Politika

Profesori ndërkombëtar tregon çfarë fshihet prapa letrës së presidentit Trump

Nebi Ajeti Nga Nebi Ajeti Më 20 dhjetor 2018 Në ora: 10:07
Donald Trump dhe Hashim Thaçi

Presidenti amerikan, Donald Trump u ka dërguar letër zyrtare institucioneve të Kosovës, përkatësisht presidentit Thaçi, ku ka thënë se Kosova është një partner strategjik i SHBA-ve për paqe në rajon.

Trump ka shkruar në letër se Amerika është e gatshme t’i ndihmojë Kosovës në një arritje të ndonjë marrëveshjeje për paqe me Serbinë, transmeton gazeta "Bota sot".

Presidenti amerikan i ka thënë Thaçit se do t’i mirëpres atë dhe presidentin serb për të festuar në Shtëpinë e Bardhë, nëse arrijnë marrëveshje.

Thaçi e bëri këtë përmes një shkrimi ku tha se Liria dhe pavarësia e Kosovës, janë rezultat i luftës sonë të drejtë dhe përkrahjes së aleatëve tanë strategjikë ndërkombëtarë. Realizimi i synimeve tona për anëtarësim në NATO, BE dhe OKB është i pamundur pa përkrahjen e vazhdueshme të bashkësisë ndërkombëtare.

 Në këtë letër, Presidenti Trump, ndër të tjera kërkon nga liderët e Kosovës që ta shfrytëzojnë  këtë moment unik që të flasin me një zë, me qëllim të arritjes së marrëveshjes gjithëpërfshirëse me Serbinë. Humbja e kësaj mundësie të krijuar, do të ishte kthim mbrapa, sepse një mundësi e tillë vështirë se mund të përsëritet për një kohë të gjatë.

“Letra e presidentit Trump thotë hapur se palët janë në fund të dialogut dhe pret vetëm firmën e dy presidentëve”

Profesori i çështjeve ndërkombëtare, Enver Bytyçi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se Thaçi po e interpreton këtë letër si inkurajim për zbatimin e planit të tij e të Vuçiqit, mbështetur nga Edi Rama, për ndryshimin e kufijve dhe ndarjen e Kosovës.

Image
Prof. Asc. Dr. Enver Bytyçi

“Presidenti amerikan, Donald Trump, i ka dërguar një letër presidentit Thaçi si dhe presidentit Vuçiq, me të cilën ai inkurajon mbylljen e procesit të dialogut midis Prishtinës e Beogradit përmes një “marrëveshje historike”! Nëse e analizojmë këtë letër, ajo inkurajon më së shumti Aleksandër Vuçiq që të avancojë në dialog, sesa Hashim Thaçin”, është thënë ai.

Sipas tij, Serbia po përjeton paradigmën se me kë duhet të jetë: - Me amerikanët e Perëndimin apo me rusët!

“Për ta shtyrë balancën pro perëndimit,, presidenti amerikan i drejtohet zotit Vuçiq me letrën përkatëse inkurajuese. Por e njëjtë është edhe letra inkurajuese për zotin Thaçi. Kjo, sepse ai nuk mund t’u thoshte hapur udhëheqësve serbë që ta lënë anijen ruse e të ankorohen në anijen amerikane. Ndërsa, Kosova nuk e ka fshehur dhe nuk e fsheh aleancën e përjetshme me SHBA-të, gjë të cilën e rikonfirmon presidenti amerikan. Megjithatë Thaçi po e interpreton këtë letër si inkurajim për zbatimin e planit të tij e të Vuçiqit, mbështetur nga Edi Rama, për ndryshimin e kufijve dhe ndarjen e Kosovës. Letra u publikua dje, ndërkohë që Thaçi e dinte përmbajtjen e saj dhe e përdori atë në Këshillin e Sigurimit” ka thënë ai.

“Thaçin e trajtojnë si padishah në qytetet serbe të Vojvodinës”

Sipas tij, Thaçi dëshiron me qëllim ta interpretojë ndarjen si dhimbje të të dy palëve, sepse ndryshe do të demaskohej qëllimi dhe projekti i tij antishqiptar.

“Në atë mbledhje presidenti i Kosovës iu rikthye perifrazimeve të marsit të shkuar, kur thoshte se “zgjidhja e konfliktit dhe marrëveshja do të jetë e dhimbshme”, se “të dy palët do të detyrohen të bëjnë lëshime të dhimbshme”! e të tjera si këto. I përsëriti këto edhe në Këshillin e Sigurimit, ndërkohë që përfaqësuesi amerikan në Këshill nuk i përmendi asnjëherë të tilla perifrazime. Kjo do të thotë se Hashim Thaçi po spekulon, duke e interpretuar letrën e presidentit Trump sipas shijes së tij pro serbe për ndarjen e Kosovës”, ka nënvizuar prof. dr. Enver Bytyçi.

Profesori ka sqaruar se nëse Kosova ndahet, Serbia nuk përjeton asnjë dhimbje, madje bën festë, kurse dhimbja i mbetet përjetë Kosovës.

“Por Thaçi dëshiron me qëllim ta interpretojë ndarjen si dhimbje të të dy palëve, sepse ndryshe do të demaskohej qëllimi dhe projekti i tij antishqiptar. Ndërkaq duket qartë se bisedimet midis Prishtinës dhe Beogradit janë në fund të udhëtimit të tyre. Kjo ka ndodhur, sepse dy presidentët, Vuçiq dhe Thaçi, janë takuar fshehurazi në disa kryeqytete si në Romë, por edhe në vende të tilla si Stambolli dhe Vojvodina. Thaçin e përndjekin në Beograd për “krime lufte” dhe publikisht nuk e lejojnë të udhëtojnë në Serbi, ndërsa fshehurazi e marrin dhe e trajtojnë si padishah në qytetet serbe të Vojvodinës! Edhe ky është një paradoks i çuditshëm, që flet shumë për kulisat dhe peng marrjen që ia kanë bërë presidentit të Kosovës në Beograd” ka thënë Bytyçi.

Bytyçi: Letra e Trump mund të jetë ftesë për t’i vazhduar bisedimet me ndërmjetësimin amerikan

Bytyçi në fund ka nënvizuar se Nëse Thaçi e keqinterpreton dhe e keqpërdor letrën e zotit Trump në interes të orekseve të Serbisë së Madhe, do të përballet me një revoltë të fuqishme në Kosovë dhe do të detyrohet të ikë jo vetëm nga zyra e kryetarit të shtetit!

“Letra e presidentit Trump thotë hapur se palët janë në fund të dialogut dhe pret vetëm firmën e dy presidentëve që t’i thërrasë ata në Uashington për një pritje ceremoniale. Ndërsa Aleksandër Vuçiq deklaronte sot se dialogu do të ndërpritet derisa të hiqet taksa e qeverisë së Kosovës për mallrat serbe, këto bisedime në fakt vijojnë në mënyrë të fshehtë, pa dijeni të askujt midis dy presidentëve. Por, ftesa e Trump mund të jetë edhe ftesë për t’i vazhduar këto bisedime me ndërmjetësinë amerikane. Vuçiq ka interes në këtë aspekt, sepse ai e ka kërkuar me ngulm një pritje ceremoniale në Shtëpinë e Bardhë dhe kjo ia forcon pozitat në pushtet. Është e dyshimtë nëse Thaçit i forcohen apo i dobësohen këto pozita në Kosovë. Nëse ai e keqinterpreton dhe e keqpërdor letrën e zotit Trump në interes të orekseve të Serbisë së Madhe të jeni të sigurt se Thaçi do të përballet me një revoltë të fuqishme në Kosovë dhe do të detyrohet të ikë jo vetëm nga zyra e kryetarit të shtetit!”, ka nënvizuar Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat