"BE-ja nuk duhet të përcaktojë se kush e udhëheq dialogun, sepse ekipi e përfaqëson Kosovën dhe jo BE-në”

Politika

"BE-ja nuk duhet të përcaktojë se kush e udhëheq dialogun, sepse ekipi e përfaqëson Kosovën dhe jo BE-në”

Nga: G.B Më: 20 dhjetor 2018 Në ora: 16:23
Hashim Thaçi, Federica Mogherini dhe Aleksandar Vuqiç

Kuvendi i Kosovës ka formuar ekipin për dialogun me Serbinë, pjesë e të cilit nuk është Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Në anën tjetër, BE ka thënë se ekipi nuk është i nevojshëm, pasi dialogu do të udhëhiqet nga presidenti Hashim Thaçi.

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike në vend, Fadil Lepaja, ka thënë për gazetën “Bota sot” se duhen bërë ende përpjekje që t’i përfshijë edhe partitë tjera të opozitës.

“Tash, ekipi është themeluar bazuar në strukturën partiake në parlament dhe përbërja është varur nga partitë. Mendoj se duhen bërë ende përpjekje për t’i përfshirë edhe partitë e tjera të opozitës.”, është shprehur ai.

Image
Fadil Lepaja

Sipas tij, BE nuk duhet ta përcaktojë se kush është udhëheqësi i dialogut pasi ekipi e përfaqëson Kosovën dhe presidenti nuk ka kompetenca kushtetuese të bisedojë në emër të Kosovës.

“BE nuk do të duhej të përcaktojë kush do të duhej të ishte udhëheqësi i dialogut sepse ekipi e përfaqëson Kosovën e jo BE në dialog dhe edhe ekipi i Kosovës ka vërejtje në anshmërinë e zonjës Mogherini. Presidenti nuk ka kompetenca kushtetuese të bisedojë në emër të Kosovës, por mund të kryesoj një ekip i cili i përgjigjet parlamentit. Por mundet edhe të mos përfshihet në bisedime, nëse i njëjti ka qëndrime të kundërta me shumicën Parlamentare. Në fund të fundit nëse arrihet konsensus presidenti edhe mund të ndërrohet”, ka vlerësuar Lepaja.

Ai vlerëson se presidenti ka vepruar në bisedime kokë më vete por kjo nuk e obligon parlamentin e as qeverinë që të nënshkruajë marrëveshje pa i përfillur institucionet.

“Fakti se presidenti kokë më vete ka bërë përparime në bisedime nuk e obligon qeverinë as parlamentin për asgjë dhe nënshkrimi eventual i një marrëveshje kokë më vete pa i përfillur institucionet kompetente është e dënueshme me ligj dhe antikushtetuese. Presioni i kreut të BE është jo parimore. Presidenti duhet të lobojë për idetë e tij tek partitë dhe qytetarët dhe duhet të ketë shumicën parlamentare pas vetes për të qenë i vlefshëm çfarëdo autoriteti për bisedime, ndërsa dy të tretat për të fuqizuar një marrëveshje”, ka thënë Fadil Lepaja për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat