Kosova synon BE-në, diplomacia jonë u fokusua në lindje!

Politika

Kosova synon BE-në, diplomacia jonë u fokusua në lindje!

Nga: N.Sh Më: 20 dhjetor 2018 Në ora: 17:51
Ilustrim

Shefja për Politikë të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, e cila po akuzohet për qëndrimet e saja kundër Kosovës thuhet se është pro-ruse dhe pro-serbe.

Nëse i bëjmë një analizë paraqitjes dhe qëndrimeve të znj. Mogherini që nga koha kur mori postin dhe tani, mund të vërehet një ndryshim i mendimit dhe qëndrimeve.

Kështu vlerëson analisti politik, Leon Duhanaj, i cili shton se, ajo në mënyrë progresive, në kontinuitet ka krijuar idenë e vetë mbi zgjidhjen e çështjes së marrëveshjes Kosovë-Serbi.

Por, çfarë mund të thuhet për këtë; pse erdhi deri tek ky qëndrim; cilët janë faktorët që ndikuan?

Image
Leon Duhanaj

“Në ketë segment, lirisht mund të konstatojmë se fajtor jemi ne vetë. Ne, pas pavarësimit të Kosovës në kontinuitet kemi degraduar në paraqitjen e Kosovës si akter serioz në marrëdhëniet ndërkombëtare. Politika e Kosovës nuk bëri asgjë për ndërtimin e shtetit të së drejtës. Për të mirën e përgjithshme. Por, krejt lufta u zhvillua rreth pushtetit, madje edhe me mjete të jashtë ligjshme. Pos kësaj diplomacia jonë, u koncentrua ekskluzivisht në ndërtimin e partneritetit me lindjen. Ne ramë nën ndikimin turk dhe lobi rreth njohjeve u koncentrua në Azi dhe Afrikë. Edhe disa njohje që në fillim të dyshimta shfrytëzoheshin për garë politike vendore, tash po tërhiqen”, thotë Duhanaj për gazetën “Bota sot”.

Ai thotë se, ne kemi ministër të jashtëm injorant në çështjet e shtetit dhe shumë dinak në zbatimin e agjendave të dyshimta, të cilat sjellin gjithçka pos ndonjë dobi për Kosovën.

“Mbi të gjitha, kemi zhvillimin e negociatave me Serbinë, të cilat filluan si bisedime rreth çështjeve teknike dhe përfundimi i tyre po shkon rreth ndarjes së Kosovës. Kryenegociatori i Kosovës, tani Presidenti vendit, duke qenë i shantazhuar nga e kaluara e tij, ka bërë lëshime hap pas hapi në dëm të Kosovës. Tani, si mund ta zhvendosim fajin tek znj. Mogerini, kur kemi presidentin e vendit që me muaj të terë lobon për ndryshim territoresh. Ora e zonjës Mogherini, me gjasë mbron atë për çfarë edhe mund të ketë dakordim me Thaçin. Megjithatë, mendoj që znj. Mogherini, është futur pak si tepër në ketë agjendë dhe si pasojë i ka personalizuar gjerat. Tani nuk pranon kritika dhe shprehet kundër bashkëpunimit me kryeministrin e vendit për shkak të inateve”, deklaron ai.

Ai shton se, politika nuk bëhet me inate por më logjikë.

“Në anën tjetër edhe reagimet e politikanëve të Kosovës pas takimit të Brukselit, janë me shumë se të tepruara. Ata ranë nën euforinë e qytetarëve pas replikave mes saj dhe z. Haradinaj, e që nuk është aspak në rregull. Pra kemi të bëjmë me dy palë që kanë filluar të mos durojnë njëri tjetrin”, pohon Duhanaj.

Por kujt i shkon për shtati kjo dhe kujt i sjellë dëme?

“Është Kosova ajo që dëmtohet sepse BE u qëndron pas zyrtarëve të vetë dhe në ketë rast dalin kundër nesh. Këndej duhet të jemi të përmbajtur në akuza dhe shprehje. Por, kritikave konstruktive, qëndrimit stoik në mbrojtje të interesit të Kosovës por jo edhe degradim te raporteve”, përfundon Leon Duhanaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat