Ky është gabimi fatal i Kosovës që e faktorizoi Serbinë

Politika

Ky është gabimi fatal i Kosovës që e faktorizoi Serbinë

Nga: A.M Më: 21 dhjetor 2018 Në ora: 08:56
Aleksander Vuçiq dhe Hashim Thaçi

Ditë më parë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ia ka numëruar presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq të krimet e Serbisë gjatë luftës në Kosovës.

Thaçi ka folur për vrasjen e  mbi 13 mijë civilëve shqiptarë, për dhunimin e 20 mijë femrave shqiptare, për dëbimin e 1 milion shqiptarë, si dhe për kryerjen e 400 masakrave kundër shqiptarëve. 

“Vetëm në fshatin Izbicë, 160 të vrarë, të moshuar, gra fëmijë, në Krushë 250 civilë të vrarë, gra, pleq fëmijë – askush i akuzuar e askush i dënuar. Në fshatin Mejë gjithashtu, asnjë i akuzuar e as i dënuar. Vazhdojmë: Reçak, Rezallë e Abri…”, ka deklaruar Thaçi ndër të tjera në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-ve.

Po ashtu, ai ka cekur se për krime lufte më shumë ka të dënuar shqiptar se sa serbë.

“Pavarësisht se jemi viktima, sot në Kosovë më tepër ka të dënuar shqiptarë për krime lufte, sesa serbë. Ndërsa në Serbi asnjë serb nuk është dënuar për spastrim etnik dhe masakrat. Madje atje as nuk funksionon zyra për krimet e luftës”, është shprehur Thaçi.

Por, në Kosovë po vlerësohet se këto deklarata të presidentit Thaçi janë të vona.

Image
Skënder Zogaj

Njohësi i çështjeve politike në vend, Skënder Zogaj është i mendimit se marrëveshjet Kosovë-Serbi është dashur të nisen me krimet e serbe në Kosovës dhe të mos bëhej asnjë hap deri sa Serbia t`i pranonte këto vepra.

“Krimet serbe në Kosovë janë të jashtëzakonisht të mëdha dhe shumë konkrete, prandaj, gjithçka në kuptimin e marrëveshjes me Serbinë është dashur të niset nga kjo çështje dhe, të mos bëhet asnjë hap derisa Serbia të mos pranojë dhe të kërkoj falje për krimet!”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Zogaj ka vazhduar duke thënë se, gabim fatal për Kosovën ka qenë nisja e dialogut si “biseda teknike” të cilat e faktorizuan faktorizoi Serbinë, duke e kthyer nga “mbrojtja” në sulmuese.

“Kosova duke mos e bërë këtë, ia ka mundësuar Serbisë që krimet monstruoze ti barazoj me viktimizimin masiv të shqiptarëve, që edhe 20 vjet pas luftës ende nuk e di se ku janë eshtrat e mbi dy mijë civilëve! Gabimi fatal ka qenë nisja e dialogut që u quajt “biseda teknike” dhe e faktorizoi Serbinë, e cila në vend se të mbrohej u bë sulmuese!”, është shprehur Zogaj.

Për më shumë, ai mendon se reagimi i presidentit Thaçi është i vonuar dhe se faktet e luftës janë të pakundërshtueshme.

“Reagimi i presidentit Thaçi padyshim që është i vonuar, por më mirë vonë se kurrë! Se faktet e luftës janë të pakundërshtueshme  po shihet nga qëndrimet kosovare të kohëve të fundit, që nuk po mund të kundërshtohen nga askush! Pra, Presidenti e kushdo qoftë edhe qytetari më i zakonshëm i vendit duhet të guxojë ta thotë të vërtetën dhe, me Serbinë të zbatojë reciprocitet të plotë, në gjithçka, e për gjithçka!”, ka potencuar Zogaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat