LDK preja e radhës e SHIK-ut

Politika

LDK preja e radhës e SHIK-ut

Idriz Zeqiraj Nga Idriz Zeqiraj Më 21 dhjetor 2018 Në ora: 10:16
LDK

Emërtesa SHIK-ut nuk është abstrakcion. Ai përgjon e vepron në momente vendimtare, për ruajtjen e epërsisë, respektivisht, mbetjen në pushtet, të PDK-së, në raport me subjektet tjera politike. SHIK-u është krijesë fatale për Kosovën dhe popullin e saj. U lind në koordinim me trinomin e zi LPK-së, social-komunistët stalinistë të Tiranës zyrtare, Serbia me aleatë. Pazari është bërë me ndërmjetësim të shërbimeve respektive, gjithnjë, nën kontrollin e Serbisë.

Ideologjia e përbashkët, njësoj si në Luftën e Dytë Botërore. Nacionalizmit shqiptar dajak e plumb. Sabotimi i luftës u legjitimua në Oslo të Norvegjisë, kur LPK-ja refuzoi bashkimin dhe bashkëpunimin me FARK-un. LPK-ja, në koordinim me Tiranën zyrtare social-komuniste, ultimatoi ushtarakët e FARK-ut, për të ndërprerë çfarëdo veprimesh, nga territori shqiptar, kundër pushtuesit serbo-sllavë. Megjithatë, Dr. Rugova, në cilësinë e Komandantit Suprem, ngulmoi për vazhdimin e luftës, duke dhënë porosinë-urdhër "kthim prapa nuk ka!"

Kudërpërgjigja e zyrtarëve shpirtshitur ke Serbia, me veglat e tyre të LPK-së, PAN-i i sotëm, ishte e menjëhershme. Filluan me përgjakjen e kuadrove të luftës në Tiranë. Viktima e parë ishte Ministri i Mbrojtjes, kolonel Ahmet Krasniqi, për të vazhduar gjatë dhe pas luftës në Kosovë, me atentatimin e ushtarakëve luftë-bërës të FARK-ut dhe të veprimtarëve të LDK-së.

Dr. Rugova kishte informacione të sakta për kreun e SHIK-ut, Hashim Thaçi, tashmë i vënë në shërbim të agjencive informative të huaja. Dhe, vuri vijë të kuqe për atë, për të "mos lejuar ngritjen në pushtet", me arsyetimin se "është i rrezikshëm për Kosovën". Por, këtë porosi-amanet e harruan pasuesit e tij në LDK-e, për qëllime, thjeshtë, karrieriste.

Gjuetia, preja e SHIK-ut është faktike

1) Koalicioni opozitar VLAN po rrezikonte, madje, seriozisht, pushtetin e mëtejmë të partisë-bandë, PDK-së. Ishte shansi ideal për ta gremisur pushtetin kriminal. Por, SHIK-u vigjilent, mjeshtër i shantazhimit, pikasi viktimën Isa Mustafa, me klanin e tij brenda Kryesisë. Isa, tinëzisht dhe hipokrizisht, tradhtoi koalicionin VLAN dhe u rreshtua përkrah persekutorit Hashim. Ishte një goditje e rëndë për LDK-në dhe Kosovën. 

2) Gjykata Speciale shënjestron kriminelët në Kosovë. SHIK-u dha kushtrimin e bashkimit të partive-banda, të cilat, për qëllime dominimi dhe karrierizmi, ishin ndarë. Por, krimet e përbashkëta, gjatë dhe pas luftës, ishin bazë e bashkimit të serishëm. Koalicioni PAN bashkoi partitë e krimit, ashtu siç kishin qenë të bashkuar, në kulmin e krimeve të tyre. Këtë herë Ramush Haradinaj ishte preja e radhës, por edhe shpëtimtari i PDK-së. Karagjozi Pacoll, si gjithherë, është prostitutë rezervë. Ka para, por, jo edhe patriotizëm, parime e moral. Shkurt, është i neveritshëm.

3) Koalicioni i brishtë i partive-banda, përfshi edhe veglën tekanjoze të Serbisë "Lista Srpska", po rrezikonte shifrën e domosdoshme të votave të deputetëve, për të qenë në pushtet. Por, SHIK-u kurrë nuk gjumon, përkundrazi, survejon, përgjon dhe vepron. Ai kishte parashikuar edhe teket e "Listës Serbe". Andaj, duhet kompensuar, plotësuar mungesën e saj të mundshme, të pritshme. Dhe, duke përfituar ambiciet lideriste, karrieriste, të protagonistëve të saj, provokoi dhe realizoi ndarjen e Lëvizjes Vetëvendosje.

Shpend Ahmeti, me PSD-në e tij, të dyshuar për mbijetesë politike, kërkoi strehë sigurie. SHIK-u aktiv përgatiti arsyetimin patriotik, "për çuarjen përpara të procesit dialogues me Serbinë", dhe u tufëzua në PAN-in kriminal, pa pasur, paraprakisht, një bagazh të tillë.

Në radhë preja LDK

Zgjedhjet e pritshme vënë në luhajë ruajtjen e kuotës të deputetëve aktual të PSD-së. SHIK-u duke qenë brenda strukturave vendimmarrëse të LDK-së, përgjon, i ngazëllyer, përçarjen e mundshme të LDK-së. Madje, përmes agjentëve të tij në strukturë, e provokon dhe stimulon përçarjen, me qëllim ndarjen e saj, si në Kuvendin e 6-të Zgjedhor të LDK-së.

Polarizimet janë evidente, të dukshme. Kur ndonjëri nga grupi i deputetëve të rinj, shpreh një mendim të avancuar e reformist, shefat nga klani i Isës, kërcejnë, si "zorra në prush": "Vendosin strukturat e partisë", paçka se këto struktura nuk kanë legjitimitet, ngaqë janë emëruar, pa u provuar me votën e fshehtë demokratike.

Zgjedhja e kryetarit të ri vazhdon të komentohet brenda partisë. Një mendim racional ka shprehur nënkryetari i parë, Agim Veliu, duke thënë se, nëse Lutfi Haziri e Ismet Beqiri pretendojnë postin e kryetarit të LDK-së, pse mos të pretendoj edhe unë? Atëherë ta zgjedhim kryetar një nga të rinjtë, me konsensues, marrëveshje. Dhe, kjo është krejt logjike. Parësia më shumë se e dy të parëve, është e këtij të fundit, sepse robi SHIK e vrau Agimin, por Zoti e shpëtoi.

Dilema: Të drejtën e propozimit të kryetari të ardhshëm, së pari, e gëzon kryetari aktual. Do të ishte normale, sikur ky kryetar të mos e kishte drejtuar partinë me rrethin vicioz, klanin e tij, pa përfillur fare strukturat e partisë, madje, as Kryesinë e saj. Në rastin konkret, është e kundërta. Atëherë, "çka pjell mace, hanë minj". Dhe, do të kishim një vijimësi drejtuese të Isa Mustafës, pa Isën fizik në krye të tavolinës së parë të LDK-së. Dhe. kësaj i thonë: "Pordhi kali, në derë të Hanit!"

Për arsye të dështimit me zgjedhjen e kryetarit, nëpërmjet Këshillit të Përgjithshëm, zgjedhja ideale do të ishte me votim të drejtpërdrejtë nga anëtarësia. Edhe mandatimi për kryetar, duhet të kufizohet në vetëm dy mandate. Gjithashtu, klauzola për shkarkim, në rast të klanizimit, mospërfilljes të anëtarësisë apo të keq-drejtimit, duhet të jetë joformale.

LDK-ja, përtej një dekade, vazhdon të trumbetojë gatishmërinë për zgjedhje dhe sigurinë për fitore!? Por, gjithherë, pas amëshimit të Presidentit Rugova, ka qenë humbëse faktike e zgjedhjeve. Të mirëqena do të ishin zgjedhjet brenda partiake, para atyre parlamentare. Nëse kjo nuk arrihet, të paktën, t`i thuhet anëtarësisë dhe elektoratit të LDK-së, se fushata parazgjedhore nuk do të udhëhiqet nga stafi i klanizuar i kryetarit aktual; se procesi zgjedhor nuk do të udhëhiqet, menaxhohet nga njerëz të kompromentuar nga klani i qendrës, por, do të jetë kombinim dhe harmonizim me veprimtarët e dëshmuar, por, të anatemuar nga klani, i cili rrënoi LDK-në e Ibrahim Rugovës. 

Pra, është domosdo e kohës motivimi i anëtarësisë të LDK-së, i elektoratit numerikë të LDK-së të Presidentit Rugova, për të marrë pjesë në zgjedhjet qendrore e lokale. Ky elektorat ndjehet i tradhtuar, sepse i është premtuar kthimi i frymës rugoviane në LDK, ndërkohë që përmasat e largimit nga vizioni i Kryetarit Rugova, janë të skajshme. Ka ngelur vetëm thirrja hipokrite e cinike në emrin e Tij, duke mos përfillur anëtarësinë dhe elektoratin e LDK-së.

Kasnecët e klanit Mustafa, në Kosovë e Mërgatë, pyesin sa vota po ia sjellë LDK-ja e Mërgatës LDK-së në Kosovë?! Kjo pyetje e porositur dhe qëllimkeqe e ka përgjigjën e gatshme e logjike:Anëtarët e LDK-së në Mërgatë nuk e kanë as mundësinë e mirëfilltë të votimit dhe as të sigurimit të votës së tyre. Zgjedhjet e fundit komunale në Istog, dëshmuan vjedhjen industriale të kësaj vote nga partia-bandë e AAK-së me aleatë. Por, LDK-ja e Mërgatës, ka rrethin e gjerë familjar në Kosovë, që janë votues besnikë dhe nuk e shesin votën e tyre. Ndërkohë që, ish-anëtarët e LDK-së, të zhgënjyer nga klani aktual, kalojnë pranë vend-votimeve në Kosovë dhe abstenojnë, duke pritur reformimin e partisë.

Në të kundërtën, LDK-ja, përkatësisht, njëra nga pjesët e saj ndarëse, do të jenë preja e radhës e SHIK-ut, sa aktiv, aq edhe kriminal. Dhe, koalicioni super kriminal PAN, do të vazhdojë të mbijetojë, duke i kompensuar deputetët humbarakë të PSD-së, me ata të LDK-së. Këtë e themi nga përvoja e jetuar e deritashme.

Kthesa e LDK-së për pranim dhe bashkëpunim me Komisionin Dialogues, është befasi racionale, logjike. "Ka folë kryetari e nuk ka pallë magari", - thotë populli. Pra, është kërkesë serioze e Presidentit amerikan, Donald Trump, për përmbylljen e Dialogut Kosovë Serbi, e cila, assesi nuk mund të heshtet, të anashkalohet dhe,aq më pak, të refuzohet. Leximi i letrës po keqinterpretohet nga rrugaçëria PAN-iste. Në letër nuk përcaktohet udhëheqësi i bisedimeve. Porosia për dakordim të brendshëm partiak, shtetëror, apriori, nënkupton se nga aty përcaktohet edhe ekipi, udhëheqësi dialogues.

Shprehja e Presidentit Trump se do të pres presidentët Thaçi e Vuliq, është nënshkrimi formal, i dalë nga dialogimi grupor, i unifikuar dhe assesi përcaktuesi i udhëheqjes së dialogut, kur dihet se shumica absolute e refuzon presidentin e vendit, i zgjedhur me kompromisin e turpshëm, për të qenë dikushi kryeministër!

Për fund, LDK-ja duhet të bëjë hapin e dytë: Së bashku me Vetëvendosjen ta udhëheqë Komisionin e Dialogut me Serbinë. Kadri Veselit t`i thotë "ja rrofsh koçët Agës", sepse LDK-ja ka maturi dhe jo frikë, për të gjitha përgjegjësitë e saj. Ajo e bëri paqen dhe luftën, ndërkohë që, Veseli, me SHIK-un e tij, hapte burgje rurale në Kosovë, dajakoste dhe vriste veprimtarët, aktivistët luftëtarë të LDK-së dhe FARK-istët e Ibrahim Rugovës, gjatë dhe pas luftës. Dhe, këto janë fakte të pademantueshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat