Dekada e humbur e Hashim Thaçit për ta paditur Serbinë për krime lufte

Politika

Dekada e humbur e Hashim Thaçit për ta paditur Serbinë për krime lufte

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 21 dhjetor 2018 Në ora: 12:14
Masakrat në Kosovë, Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiq, foto ilustrim nga "Bota sot"

Ditë më parë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ia ka numëruar presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq të krimet e Serbisë gjatë luftës në Kosovës.

Thaçi ka folur për vrasjen e  mbi 13 mijë civilëve shqiptarë, për dhunimin e 20 mijë femrave shqiptare, për dëbimin e 1 milion shqiptarë, si dhe për kryerjen e 400 masakrave kundër shqiptarëve. 

“Vetëm në fshatin Izbicë, 160 të vrarë, të moshuar, gra fëmijë, në Krushë 250 civilë të vrarë, gra, pleq fëmijë – askush i akuzuar e askush i dënuar. Në fshatin Mejë gjithashtu, asnjë i akuzuar e as i dënuar. Vazhdojmë: Reçak, Rezallë e Abri…”, ka deklaruar Thaçi ndër të tjera në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-ve.

Po ashtu, ai ka cekur se për krime lufte më shumë ka të dënuar shqiptar se sa serbë.

“Pavarësisht se jemi viktima, sot në Kosovë më tepër ka të dënuar shqiptarë për krime lufte, sesa serbë. Ndërsa në Serbi asnjë serb nuk është dënuar për spastrim etnik dhe masakrat. Madje atje as nuk funksionon zyra për krimet e luftës”, është shprehur Thaçi.

Por, në Kosovë po vlerësohet se këto deklarata të presidentit Thaçi janë të vona.

Analistët thonë se Kosova, nuk është dashur që të hyjë në dialog me Serbinë,  pa e pranuar fajin kjo e fundit për krimet e luftës.

Zogaj:  Kosova bëri gabim fatal

Image
Skënder Zogaj

Njohësi i çështjeve politike në vend, Skënder Zogaj është i mendimit se marrëveshjet Kosovë-Serbi është dashur të nisen me krimet e serbe në Kosovës dhe të mos bëhej asnjë hap deri sa Serbia t`i pranonte këto vepra.

“Krimet serbe në Kosovë janë të jashtëzakonisht të mëdha dhe shumë konkrete, prandaj, gjithçka në kuptimin e marrëveshjes me Serbinë është dashur të niset nga kjo çështje dhe, të mos bëhet asnjë hap derisa Serbia të mos pranojë dhe të kërkoj falje për krimet!”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Zogaj ka vazhduar duke thënë se, gabim fatal për Kosovën ka qenë nisja e dialogut si “biseda teknike” të cilat e faktorizuan faktorizoi Serbinë, duke e kthyer nga “mbrojtja” në sulmuese.

“Kosova duke mos e bërë këtë, ia ka mundësuar Serbisë që krimet monstruoze ti barazoj me viktimizimin masiv të shqiptarëve, që edhe 20 vjet pas luftës ende nuk e di se ku janë eshtrat e mbi dy mijë civilëve! Gabimi fatal ka qenë nisja e dialogut që u quajt “biseda teknike” dhe e faktorizoi Serbinë, e cila në vend se të mbrohej u bë sulmuese!”, është shprehur Zogaj.

Për më shumë, ai mendon se reagimi i presidentit Thaçi është i vonuar dhe se faktet e luftës janë të pakundërshtueshme.

“Reagimi i presidentit Thaçi padyshim që është i vonuar, por më mirë vonë se kurrë! Se faktet e luftës janë të pakundërshtueshme  po shihet nga qëndrimet kosovare të kohëve të fundit, që nuk po mund të kundërshtohen nga askush! Pra, Presidenti e kushdo qoftë edhe qytetari më i zakonshëm i vendit duhet të guxojë ta thotë të vërtetën dhe, me Serbinë të zbatojë reciprocitet të plotë, në gjithçka, e për gjithçka!”, ka potencuar Zogaj për “Bota sot”

Krasniqi: Hashim Thaçi në OBK nuk tha asgjë

Image
Faik Krasniqi

Ndërkaq,  njohësi i çështjeve politike në vend, Faik Krasniqi, ka deklaruar se presidenti Thaçi në OKB nuk ka thënë asgjë, pasi që sipas tij ato fjalë është dashur që të thuhen në çdo takim.

“Hashim Thaçi në OBK nuk tha asgjë. Ato fjalë është dashur t'i thotë çdo ditë dhe në çdo takim me çdo shtet dhe përfaqësues ndërkombëtar”, ka theksuar ai për “Bota sot”.

Po ashtu, Krasniqi është shprehur se hapi i parë për fillimin e dialogut të Kosovës me Serbinë do të ishte kërkim falja për krimet e kryera në Kosovës gjatë luftës.

Ai, gjithashtu, ka thënë se Thaçi është futur në dialog pa asnjë një kusht .

“Ose më mirë të them para se të fillonte dialogu me Serbinë, dhe kërkim falja do të ishte hapi i parë për fillimin e dialogut. Pastaj edhe kushtet e tjera, duke filluar nga dëmshpërblimi etj. Por ky njeri u futë në bisedime pa asnjë kusht të vetëm”, ka thënë Krasniqi për “Bota sot”.

Sipas tij, negocimi i ndarjes së Kosovës është  pasojë e  bisedimeve dhe marrëveshjeve të nënshkruara në dëm të Kosovës.

“Dhe si pasojë e atyre bisedimeve dhe marrëveshjeve të nënshkruara në dëm të Kosovës, jemi në këtë gjendje ku po negociohet ndarja e Kosovës, dhe jo shkëmbimi i territoreve”, ka potencuar ai për “Bota sot”.

Haziri: Thaçi nuk e ngriti zërin për një dekadë

Image
Nexhat Haziri

Ndërsa, analisti tjetër politik, Nexhat Haziri, pajtohet se është i vonë reagimi i presidentit të Kosovës për vrasjet dhe masakrat e Serbisë në Kosovë, pasi që ai është në pushtet më shume se një dekadë.

“Është e vërtetë se reagimi apo ngritja e çështjes së të vrarëve dhe masakrave të Serbisë ndaj qytetareve shqiptar gjatë luftës në Kosovë nga presidenti Thaçi në KS të OKB-së gjatë debatimit me presidentin Vuçiq, është e vonuar, për atë që vet presidenti Thaçi ka qenë për një dekadë e më shumë në pushtet”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Po ashtu, ai është shprehur se këto krime të bëra në Kosovës nga Serbia është dashur të ishin prioritet që nga fillimi i bisedimeve të Kosovës më Serbinë.

 “Çështja e vrasjeve, masakrave, krimeve që Serbia i bëri ndaj popullit shqiptar në Kosovë, do të duhej të ishte një nga çështjet me prioritet që është dashur të ngritët edhe në bisedimet me Serbinë të ndërmjetësuara  nga BE, që nga fillimi i tyre”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, Haziri është shprehur se është e pafalshme mos ngritja e ndonjë padie nga Kosovës për krimet e kryera në Kosovë.

Ndërsa, këto deklarata të Thaçit në OKB i sheh në mënyrë formale, vetëm për  konsum të brendshëm politik e jo një vendosmëri të udhëheqësve shtetëror  për të trajtuar këtë çështje në mënyrë kredibile.

“Është e pafalshme që institucionet tona që nga shpallja e pavarësisë, nuk bënë asnjë hap për ta paditur Serbinë për krimet e kryera në Kosovë  dhe tani kur po ngritën këto çështje thuajse krejt në mënyrë formale, po tingëllojnë më shumë për konsum të brendshëm politik se sa për një vendosmëri të udhëheqësve tanë shtetëror për ta ngritur dhe trajtuar këtë çështje në mënyrë meritore dhe kredibile”, ka përfunduar Haziri për “Bota sot”.

Ndryshe, pas vendimit të Kuvendit të Kosovës për ndryshimin e mandati të FSK-së në ushtri të Kosovës është thirrur mbledhja e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara me kërkesë të Serbisë dhe Rusisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat