Haki Abazi: Kosova ka penguar dhe shantazhuar procesin për arkivimin e krimeve serbe

Politika

Haki Abazi: Kosova ka penguar dhe shantazhuar procesin për arkivimin e krimeve serbe

Nga: N.Sh Më: 23 dhjetor 2018 Në ora: 12:12
Haki Abazi

Analisti politik, Haki Abazi thotë se, përfaqësuesit e Kosovës, nuk i kanë kryer obligimet e veta për të krijuar arkivin e krimeve dhe dëmeve të luftës nga Serbia.

Sipas Abazit, ata përkundrazi e kanë penguar dhe kanë shantazhuar procesin duke krijuar procese paralele për të minimizuar rëndësinë e nismave që kanë ekzistuar, sikurse që ka qenë rasti i dokumentimit të krikëve të bëra nga Qendra Humanitare Ligjore e udhëhequr nga Natasha Kandiq.

“Përfaqësuesit e Republikës së Kosovës përveç që nuk kanë kryer obligimet e veta për të krijuar arkivin e krimeve dhe dëmeve të luftës, ato përkundrazi kanë penguar dhe kanë shantazhuar procesin duke krijuar procese paralele për të minimizuar rëndësinë e nismave që kanë ekzistuar nga organizata joqeveritare sikurse që ka qenë rasti i dokumentimit të krimeve të bëra nga Qendra Humanitare Ligjore e udhëhequr nga Natasha Kandiq”, thotë Abazi për gazetën “Bota sot”.

Ai thotë se, pas më shumë se gjashtë viteve dialog çështja e padisë kundër Serbisë nuk e ka gjetur vendin e merituar, por është përdorur vetëm për spektakle siç ishte përmendja e viktimave dhe dhuna e ushtruar ndaj civilëve në seancën e Këshillit të Sigurimit.

“Dallimi i Kosovës ndaj Serbisë kundër Kroacisë është evidente dhe për këtë bartin fajin vetëm përfaqësuesit e vendit. Pas më shumë se gjashtë vite kinse dialog kjo çështje nuk ka gjetur vendin e merituar në këtë dialog por është përdorur vetëm për spektakle siç ishte përmendja e viktimave dhe dhuna e ushtruar ndaj civileve në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB”, thotë Abazi.

Javën e kaluar Serbia është përballuar me akuza për gjenocid ndaj popullit shqiptar, gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Aktori dhe regjisori serb Çedomir Petroviç dhe Natasha Kandiq kanë thanë se në Kosovë, shteti i tyre, Serbia ka kryer gjenocid.

Petroviç, ka përmend masakrat që janë kryer gjatë luftës në Kosovë. Djegien e kufomave në Trepçë, nxjerrjen e kufomave nga Danubi, përdhunimet, plaçkitjet, vrasjet e civilëve..., ndërsa Natasha Kandiq ka thënë edhe njëherë se Serbia është shtet i gjenocidit.

Çedomir Petroviç, gjatë një opinioni të gjatë ka treguar tmerrin që ka kryer Serbia ndaj civilëve shqiptar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat