Hashim Thaçi “mes dy zjarreve”, dialogu ose Gjykata Speciale

Politika

Hashim Thaçi “mes dy zjarreve”, dialogu ose Gjykata Speciale

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 26 dhjetor 2018 Në ora: 07:09
Hashim Thaçi

Derisa ky vit po numëron orët  e fundit drejt ikjes, viti 2019 është gjithnjë e më afër. Bashkë me të po paralajmërohet se do vijnë edhe vështirësi të mëdha për skenën politike në Kosovë.

Është pikërisht kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti që jep deklarata të tilla.

Kurti përpjekjet e Thaçit që marrëveshja me shtetin serb të arrihet më së largu deri në pranverë, i quan ndërlidhje me Gjykatën Speciale. Sipas tij, bashkë me LDK-në, si dy partitë më të mëdha në vend, nuk do të lejojnë që asnjë projekt i dëmshëm për vendin të miratohet.

Nga partia e Kurtit konsiderojnë se partia e tyre qëndron me frikën se presidenti Thaçi tashmë me të madhe po e proklamon nismën për "korrigjim të kufijve", për çka mendojnë se edhe po preket bazamenti i qenësisë së shtetit.

E, njohësit e çështjeve juridike-kushtetuese, shprehen se paprekshmëria territoriale dhe dëmshpërblimi i luftës nga Serbia, duhet të jenë dy pikat kyçe që politika në Kosovë dhe vetë Kuvendi duhet të kornizojnë para ndonjë marrëveshjeje me Serbinë.

Deputetja e VV-së: Vetëvendosje kundër Thaçit për shumë arsyeje

Image
Drita Millaku

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se frika e tyre qëndron në atë që presidenti Thaçi po e proklamon në vazhdimësi idenë e "korrigjimit të  kufijve", me çka preket bazamenti i qenësisë së shtetit.

“Vetëvendosja është kundër pjesëmarrjes se Hashim Thaçit në bisedimet me Serbinë dhe ketë për shumë arsye, por arsyeja bazë është sepse ky njeri është i shantazhuar dhe i shantazhueshëm dhe do të ishte rrezik i madh që epilogu i bisedimeve të jetë i disfavorshëm  për Kosovën. Frika e jonë qëndron në atë që ky njeri po e proklamon më të madhe e kjo është "korrigjimi i kufijve" me çka preket bazamenti i qenësisë së shtetit, pra Hashim Thaçi nuk përton ta hap ketë temë për t’i bërë qejfin Serbisë, pasi që dihet mirëfilli që kjo është teme e preferuar e tyre”, ka thënë deputetja e VV-së.

Tutje, deputetja e opozitës thekson se partia e saj e konteston pjesëmarrjen e Hashim Thaçit në bisedimet me Serbinë, për faktin se ky i fundit do t’i ndihmonte Serbisë dhe vetvetes.

“Prandaj ne e kontestojmë pjesëmarrjen e Hashim Thaçit në bisedimet me Serbinë jo për faktin se është Hashim Thaçi, por për faktin se Hashim Thaçi do t’i ndihmonte Serbisë dhe vetvetes, ndërsa Kosova do të humbiste ndaj që të mos humbë Kosova, ne jemi kundër Hashimit dhe atyre të sojit të tij për të udhëhequr bisedimet me Serbinë”, ka thënë në fund, deputetja nga radhët e opozitës, Drita Millaku, për gazetën “Bota sot”.

Burjani: Aktakuzat do ta tronditin PDK-në, AAK-në, NISMA-n dhe VV-në

Image
Blerim Burjani

Njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani, ka thënë se minimumi që do i ndodhë presidentit aktual Hashim Thaçi është se ky i fundit do merret në cilësinë e dëshmitarit.

“Se a do të merret presidenti Hashim Thaçi nga Gjykata Speciale kjo ende nuk është e bërë e ditur, mirëpo një çështje dihet se minimumi është që Thaçi në Hagë do të merret në cilësinë e dëshmitarit. Kjo është çështje e hapur për Gjykatën se si do të sillet. Mbi 150 persona do të merren nga kjo Gjykatë, përderisa për aktakuza ende nuk dihet a do të fillojë në pranverë ngritja e aktakuzave të para”, ka thënë Burjani.

Me tej, ai ka shtuar se aktakuzat e para do të tronditin PDK-në, AAK-në, NISMA-n dhe VV-në.

“Aktakuzat do ta tronditin PDK-në, AAK-në, NISMA-n dhe VV-në. Dialogu së pari duhet të përfundojë. Gjykata ka punë njëherë me intervistime, shumë persona apo qindra do të dhënë deklarata. Në ketë temë ka edhe shumë spekulime. Ju e dini se gjykata është e pavarur, po sikur Prokuroria dhe Prokuroria vet është ajo që vendos se kur do të ngritën aktakuzat”, ka përfunduar Blerim Burjani për gazetën “Bota sot”.

Vata: Marrëveshja do bëhet, SHBA është teje e interesuar

Image
Ilir Vata

Ndërsa, njohësi tjetër i çështjeve juridike, Ilir Vata, në një bisedë të gjatë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se Gjykata Speciale është në kontekst të formimit të institucioneve ligj zbatuese, ndërsa marrëveshja është në kontekstin e formatimit të shtetit në aspektin kombëtar e ndërkombëtar.

Sipas tij, në vështrimin e marrëveshjes ajo tashmë ka marrë një kah të ri pas interesit të presidentit Donald Trump, i cili u kërkoi palëve marrëveshje të menjëhershme.

“Këtu kemi dy çështje, të Thaçit dhe një Kosovën marrëveshja e Kosovës me Serbinë është njëra anë e medaljes. Gjykata Speciale është në kontekst të formimit të institucioneve ligj zbatuese, ndërsa marrëveshja është në kontekstin e formatimit të shtetit në aspektin kombëtar e ndërkombëtar. Në vështrimin e marrëveshjes ajo tashmë ka marrë një kah të ri pas interesit të presidentit Donald Trump i cili u kërkojë palëve marrëveshje të menjëhershme dhe gjithëpërfshirëse dhe në këtë kuptim marrëveshja ka pak gjase që të preken interesat shqiptare”, ka thënë Vata.

Me tej, ai ka thënë se Kosova bëri hap cilësorë së fundmi me krijimin e ushtrisë, pasi siç shprehet ai, shtetit të Kosovës ju plotësua një nga kriteret shtetformuese.

“Deri më pak kohë më parë në aspektin politikë përsa i përket marrëveshjes shihej favorit Serbia, por me ndërhyrjen e SHBA-së Kosova sillet si e barabartë në marrëveshje, pra ka shanse për një marrëveshje të drejtë të pranuar nga palët dhe gjithëpërfshirëse. Kosova bëri hap cilësorë së fundmi me krijimin e ushtrisë pra shtetit të Kosovës ju plotësua një nga kriteret shtetformuese siç është ushtria, tashmë dhe një tjetër institucion ai i Gjykatës Speciale. Dhe në këtë kuptim, Vetëvendosja e përdor këtë si një argument për ta vënë Thaçin në pozita politike të vështira, pasi është kontestuar shumë kohët e fundit për sa i përket marrëveshjes dhe hedhjes në treg të shkëmbimit të territoreve”, tha ai.

Ndër tjerash, ai ka potencuar se deklaratën e kreut të Lëvizjes Vetëvendosjes e sheh si politike, ndërsa në rrafshin e politikës së gjerë kjo deklaratë thotë se paralajmëron edhe marrëveshje të fshehtë mes Thaçit dhe Serbisë.

“Pra unë e shohë deklaratën e Albin Kurtit si politike nga njëra anë, ndërsa në rrafshin e politikës së gjerë, Kurti paralajmëron marrëveshje të fshehtë me Serbinë nga Thaçi për t’i shpëtuar drejtësisë. Presidenti Thaçi është në dy pozicione të ndryshme, në radhë të parë do negociojë për marrëveshjen që përfaqëson Kosovën dhe të ardhmen e saj dhe në rastin tjetër do të përballet me gjykatën si Hashim Thaçi. Pra, kemi dy çështje të ndryshme dhe Thaçin që duhet të sillet si president dhe individ. Në aspektin institucional ai do mbështesë interesat e Kosovës, në aspektin personal qëndrimin e tij në kohë të Luftës, që edhe këtë e shoh si një shtyrë juridike se sa një gjykatë që do të dënojë krerët e shtetit të Kosovës që kanë qenë në luftë. Në aspektin penal dhe ligjorë të çështjes çdo person përgjigjet në mënyrë individuale, dhe nëse vërtetohet akuzat ndaj Thaçit, ai ka barrën e provës të provojë të kundërtën nëse është apo jo i fajshëm.

“Ndërsa në aspektin e marrëveshjes me Serbinë është interesi kombëtarë dhe i shqiptarëve jo vetëm të Kosovës po mbarë botës shqiptare. Marrëveshje do bëhet sepse është kyçi i zgjidhjeve të ngërçeve politike në rajon, pasi Kosova tashmë është shtet sovran dhe i pavarur po ka nevojë të integrohet, shqiptarët të lëvizin pa viza dhe Kosova të integrohet në BE. Nëse Kosova nuk bënë para në këto çështje atëherë i gjithë rajoni është i penalizuar dhe kryesisht Serbia”, ka potencuar ai.

Vata thekson se marrëveshja mes dy shteteve do bëhet, sepse, sipas tij, është SHBA ajo që është tejet e interesuar që shqiptarët të jenë të lirë.

“Marrëveshja do bëhet sepse SHBA është teje e interesuar që shqiptarët të jenë të lirë, pasi një komb i dalë nga lufta represioni i një shteti tjetër gjithmonë është në anën e drejtë. Serbia është përballë marrëveshjes kur dëmshpërblimi që Serbia i ka Kosovës nuk është pikë e marrëveshjes. Në marrëveshje të fituar janë shqiptarët, Kosova dhe Serbia është natyrshëm inferiore se ka mbi supe barrën e krimi të një kombi të tërë. Pavarësisht se Presidenti Vuçiq nuk ka marrë pjesë në luftë, ai përfaqëson Sllobodan Millosheviçin me një mal me krime, me duart me gjak, me gra të përdhunuara, fëmijë të vrarë dhe për këtë në marrëveshje është duar lidhur të thotë shqiptarë që në kanun. Kanuni thotë gjakësi vjen duar lidh në konak”, ka theksuar Vata.

Krejt në fund, ai nënvizon se paprekshmëria territoriale dhe dëmshpërblimi i luftës nga Serbia, duhet të jenë dy pikat që politika në Kosovë dhe vetë Parlamenti duhet të kornizojnë.

“Në këtë dimension Kosova është e fituar në marrëveshje, por politika e Kosovës madje dhe Albin Kurti duhet të jenë në një marrëveshje brenda vetës, pra politikës së Kosovës para se të bëjnë marrëveshje me Serbinë. Pra, politika në Kosovë dhe vetë Parlamenti duhet të kornizojnë paktin e tyre kombëtarë para se marrëveshja të ulët për zgjidhje dhe një nga këto pika duhet të jenë dy gjëra kryesore. Paprekshmëria territoriale dhe dëmshpërblimi i luftës nga Serbia, madje fatura e dëmshpërblimit të përllogaritë nga ekspert ndërkombëtar sipas konventave ndërkombëtare. Pra, unë shohë dy çështje, njëra që i përket Kosovës dhe njëra që i përket Thaçit, mbase Albin Kurti ka të drejtë që bënë këtë lidhje, por unë e shoh si të ndarë”, ka përfunduar Ilir Vata për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat