Agim Bahtiri “preja” e radhës e PDK-së?

Politika

Agim Bahtiri “preja” e radhës e PDK-së?

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 26 dhjetor 2018 Në ora: 20:36
Pamje nga darka e mbrëmshme

“Takimi nuk do të thotë bash asgjë, pos që shohim tendencën e PDK-së ose ta fus Agim Bahtirin nën sqetullën e tyre, ose ta “djegin” politikisht. Ndërsa prezenca e Presidentit në atë takim provon edhe një herë se ky President nuk ka arritur asnjëherë të dalë nga lëkura partiake dhe se nuk përfaqëson as tani e as ne të ardhmen unitetin e popullit”, thotë Bajram Gecaj nga LDK për gazetën “Bota sot”.

Kryeparlamentari Kadri Veseli, gati dy javë pas votimit në Kuvendin e Kosovës për transformimin e FSK-së në Ushtri, ka ftuar bashkë-partiakët e tij dhe ish-shefin e tij të partisë, Hashim Thaçin, që me shahirë, meze dhe raki, të festojnë për nisjen e këtij transformimi.

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, i cili ka qenë njëri prej kritikëve kryesor të PDK-së ishte bashkuar në këtë darkë me ish-liderin e PDK-së, Hashim Thaçin, e anëtarë të tjerë të kësaj partie: Sami Lushtakun, Ramiz Lladrovcin, Bekim Haxhiun, Enver Hoxhajn, Hajredin Kuçin e Bedri Hamzën.

Madje, në darkën ku u mblodhën shumica e zyrtarëve të PDK-së ishte i pranishëm edhe protagonisti i Dosjes së Shefave, Adem Grabovci, i cili akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

E shkuarja e Bahtirit në këtë darë është komentuar edhe si bashkim i tij me PDK-në e Kadri Veselit, të cilin jo pak herë e ka kritikuar për të politikën dhe veprat e tij.

Madje, Veselit,  ia shtrëngoi dorën pas ngrënies së një copë mishi dhe pirjes së një gote me raki!

Mirëpo, i pari i Mitrovicës nuk është përgjigjur në pyetjen e gazetës nëse darka me PDK-në është diçka “më tepër se darkë”.

Kujtojmë, Bahtiri, disa herë ka premtuar për lirimin e urës së Ibrit, për bashkimin e Mitrovicës, për ardhjen e këngëtares Shakira në një koncert në veri, për mijëra vende të reja të punës, por që, fatkeqësisht gati asnjëra prej tyre nuk ka ndodhur.

Gecaj: Presidenti nuk ka arritur të dalë nga lëkura partiake

Zyrtari i LDK-së, Bajram Gecaj thotë se ky takim nuk do të thotë bash asgjë.

Ai sheh tendencën e PDK-së që Agim Bahtirin, ta fusin nën sqetullën e tyre ose ta djegin politikisht.

Image
Bajram Gecaj

“Takimi nuk do të thotë bash asgjë, pos që shohim tendencën e PDK-së ose ta fus Agim Bahtirin nën sqetullën e tyre, ose ta “djegin” politikisht. Ndërsa prezenca e Presidentit në atë takim provon edhe një herë se ky President nuk ka arritur asnjëherë të dalë nga lëkura partiake dhe se nuk përfaqëson as tani e as ne të ardhmen unitetin e popullit”, thotë Gecaj për gazetën “Bota sot”.

Krasniqi: Me temën e korrigjimit të kufijve po lozet lojë e pistë

Në anën tjetër, politologu Faik Krasniqi thotë se disa persona, e shajnë Thaçin dhe Veselin, ju thonë hajna e kriminelë dhe në fund shkojnë në prehrin e tyre.

Ai thotë se, duke qenë kritik i ashpër ndaj PDK dhe Thaçit është gjetur ilaçi i këtij populli.

Image
Faik Krasniqi

“E shajnë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, PDK-në. Ju thonë hajna e kriminelë, e në fund shkojnë në prehrin e tyre. Lista e tyre është shumë e gjatë, dhe njeri prej tyre është edhe Agim Bahtiri. E kanë gjetur ilaçin e këtij populli se si fitohen poenët politike, dhe qenë kritik i ashpër ndaj PDK-së dhe Hashim Thaçit. Hipokrizia e këtyre njerëzve nuk ka fund. Për në qytetarët e këtij vendi normal që s'ka për çfarë të festohet, por për këta horra normal që ka. Me temën e korrigjimit të kufijve po lozet lojë e pistë, dhe arsyeja e kësaj feste me mish e raki siç duket është kjo çështje. Gjoja ribashkimi i Mitrovicës, dhe në anën tjetër ndarja e Veriut”, thekson Krasniqi për gazetën “Bota sot”.

Zogaj: Nuk shoh asgjë të keqe kur njerëzit takohen dhe festojnë

Kurse, analisti politik Skënder Zogaj nuk sheh asgjë të keqe të kjo darkë me mish e raki.

Image
Skënder Zogaj

“Unë u gëzohem takimeve dhe ndejave të hareshme ndërmjet miqsh e shokësh, pavarësisht nga bindje partiake, sepse e kemi zgjedhur një parti, nuk do të thotë se partisë ia kemi shitur edhe shpirtin e miqësisë! Prandaj, unë nuk shoh asgjë të keqe kur njerëzit takohen dhe festojnë, që është e drejta më elementare gjithënjerëzore!”, thotë Zogaj për gazetën “Bota sot”.

Ai mendon se, se darka me mish e raki e krerëve të PDK-së ka qenë e motivit të pastër festiv ndërmjet shokësh e miqsh të zgjedhur.

“Krejtësisht normale e shoh pjesëmarrjen në këtë darkë të kryetarit të Mitrovicës, Agim Bahtirit, të cilit ia dimë të gjithë, prirjen për “shyhret-hane” nëpër gazmende! Jam i bindur se, ku ka mish e raki ka nevojë edhe për “sallatë” me piper alla Agim Bahtirqe! Nuk mendoj se darka në fjalë meriton të interpretohet me pretendime të paraqëllimshme, pos se ka qenë darkë qejfi”, përfundon Zogaj.

Duhanaj: Nuk jam dakord me ndasitë e thella politike

Kurse, njohësi i çështjeve politike, Leon Duhanaj thotë se, nga përvojat e kaluara, kemi parë se, në skenën politike të Kosovës edhe përkundër shumë kritikave të ndërsjella dhe nganjëherë edhe të ashpra deri ne cilësimin e njëri tjetrit me terma si tradhtarë e kriminel, kur bëhet fjalë për dëfrim, prapë politikanët gjejnë afri me njëri tjetrin.

Image
Leon Duhanaj

“Kur bëhet fjalë për mish e pije, disi gjejnë afri mes tyre dhe thjeshtë kënaqen mes veti. Unë si qytetarë i pa angazhuar në ndonjë parti, por aktiv ne rrjedhat dhe rrethanat politike. Nuk jam dakord me ndasitë e thella politike në vend, e aq me pak me cilësimet e rënda e të pamatura që bëhen. Thjeshtë duhet kuptuar se jemi njerëz dhe mund të jemi shokë edhe përkundër ideve të ndryshme politike”, thotë Duhanaj për gazetën “Bota sot”.

Ai shton se, nuk e pengon aspak ngrënia e një darke të tillë bashkërisht, por e pengojnë pastaj deklaratat e nesërme që rëndojnë njëri tjetrin për interesa elektorale me cilësimet nga me të poshtrat.

“Nganjëherë me habit fakti se di durohen disa fjalë të rënda. Të cilësosh dikend si tradhtar pa fakte, duhet me qenë njeriu i sëmurë mendorë. Ose të të quaj dikush tradhtarë dhe prapë të zgërdhihesh nën dehjen e rakisë bashkë me të, është rast për studim. Pra nuk me pengojnë dreka e darka të tilla, por me pengon hipokrizia që sjellin kur janë kin se serioz në punët dhe përgjegjësitë shtetërore”, potencon ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat