Bojkoti i fjalimit të Thaçit, Zogaj: Gjest turpi, nuk e bojkotuan kur duhej e po e bëjnë tani

Politika

Bojkoti i fjalimit të Thaçit, Zogaj: Gjest turpi, nuk e bojkotuan kur duhej e po e bëjnë tani

Nga: G.B Më: 26 dhjetor 2018 Në ora: 22:13
Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka mbajtur sot fjalimin vjetor para deputetëve në Kuvendin e Kosovës.

Por, pjesëmarrja e tyre ishte e vogël, pasi prej 120 deputetë, të pranishëm në sallë ishin 37 prej tyre.

Seanca u bojkotua nga LDK, VV, PSD dhe Nisma për Kosovën.

Image
Skënder Zogaj

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike në vend, Skënder Zogaj, ka thënë për gazetën “Bota sot” se përpjekja e deputetëve për ta injoruar fjalimin e presidentit Thaçi është gjest turpi, pasi janë po ata deputetë që e kanë votuar dhe kur është dashur ta bojkotojnë se kanë bërë, e për fjalime po e bojkotojnë.

“Përpjekja e rreth 80 deputetëve, pra e shumicës së deputetëve të Kuvendit të Kosovës për ta injoruar fjalimin e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, është gjest turpi në vargun e turpeve të panumërta të deputetëve kosovarë që, po e katranosin fatin e vendit dhe lirinë e popullit të Kosovës! Ky bojkot është i turpit sepse, janë po ata deputetë që e kanë fuqizuar Presidentin Thaçi, që e kanë yshtur duke ia rrahur supet, e që tash, kur e kanë kaluar lumin, po ia shajnë kalin! Kjo është shfaqje e karakterit të dobët që kanë, sepse kur është dashur ta bojkotojnë, nuk kanë guxuar, e tash për një fjalim koti, sa për sy faqe, siç janë fjalimet e fundvitit, e bojkotojnë”, është shprehur ai.

Sipas Zogajt, me injorimin që i kanë bërë presidentit e kanë injoruar vetveten dhe pas këtij bojkoti Kuvendi është i skaduar, andaj duhet të shkohet në zgjedhje.

“Prandaj unë mendoj se duke injoruar Presidentin, deputetët e kanë injoruar vetveten, dhe e kanë vërtetuar se janë skajshmërisht të papërgjegjshëm! Pas këtij bojkoti, në fakt Kuvendi Kosovës është i skaduar! Nuk ka Kuvend dhe, vërtetë zgjedhjet e reja janë të domosdoshme, edhe pse, as zgjedhjet e reja nuk janë shumë premtuese për ndryshimin e injorancës së thellë që e ka kapluar Kosovën”, ka deklaruar Skënder Zogaj për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat