“Nëse Veseli ndryshon deklaratat ka tradhti dhe pasoja”

Politika

“Nëse Veseli ndryshon deklaratat ka tradhti dhe pasoja”

Nebi Ajeti Nga Nebi Ajeti Më 27 dhjetor 2018 Në ora: 08:14
Takimi i djeshëm i ekipit dialogues

Delegacioni shtetëror që u krijua enkas për fazën finale të dialogut me Serbinë, në krye me Hashim Thaçin dhe pjesa tjetër të ekipës, Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti, në takimin e mbajtur të mërkurën deklaruan që delegacioni më 8 janar do të zhvillojë takimin e parë në Bruksel.

“Më 8 janar do të kemi takim në Bruksel me lehtësuesit e procesit të dialogut për të diskutuar mbi ecurinë e procesit të dialogut”, tha Ahmeti.

Në këtë takim ishin të ftuar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje mirëpo ato vendosën ta bojkotojnë ekipin dialogues me arsyetim se qëndrimet e tyre tashme dihen, dhe janë kundër që Thaçi, Limaj e Ahmeti ta përfaqësojnë Kosovën në fazën finale të bisedimeve me Serbinë.

Pas takimit, ishin gazetarët ata që i prisnin udhëheqësit e dialogut për pyetje ku i pari u deklarua kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

Veseli për herë të parë është treguar i prerë se Republika e Kosovës nuk do të lejojë që t’i preket territori nga ana e Serbisë.

Në një konferencë për media, krye parlamentari ka thënë se nuk do të lejojë presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq të vë në pyetje territorin e vendit tonë.

“Ne jemi në proces të dialogut. E kemi kushtetutën dhe territorin. Ditën kur presidenti serb e vë në pyetje një centimetër të tokës së Kosovës kemi me bë edhe ne pyetjen për pretendimet të cilat i kemi. Presheva, Medvegja dhe Bujanovci janë territore shqiptare dhe na nuk hekmi dorë prej shqiptarëve që janë atje. Por s’kemi pretendime për shkëmbim territore dhe as korrigjim”, është shprehur ai.

Mirëpo, ende nuk dihet nëse deklarata e komandat Lulit është vetëm konsum ditor apo është kundërpërgjigje ndaj ish drejtuesit të partisë së Veselit, Hashim Thaçit.

A përfshihet ndarja e brendshme e Kosovës në kuadër të Marrëveshjes gjithëpërfshirëse në mes Kosovës dhe Serbisë?

Image
Rexhep Selimi

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka thënë se deklaratat e presidencës dhe kuvendit janë deklarata komplementare.

“Këto deklaratat e krerëve të qeverisë, presidencës dhe të Kuvendit janë deklarata komplementare në mes vete. Të gjitha bëjnë fjalë për nuanca të planeve të këqija për Kosovën. Veseli duhet të tregoje fillimisht çka mendon për Zajednicën dhe për ndarjen e brendshme të Kosovës në kuadër të të ashtu quajturës Marrëveshje Gjithëpërfshirëse në mes Kosovës dhe Serbisë.” ka përfunduar Rexhep Selimi.

Pacolli: Asgjë mund të arrihet rreth një figure përçarëse si Hashim Thaçi, e as me ekipet, shërbëtorët e tij

Image
Fitore Pacolli

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli në një bisedë me gazetën “Bota sot”  ka komentuar edhe letrën e Donald Trump ku fton palët që sa më parë të dialogojnë dhe çfarëdo marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë do ta ketë përkrahjen e Amerikës.

Pacolli ka thënë se nuk ka unitet në Kosovë dhe pavarësia e sovraniteti nuk garantohet me “kompromiset e dhimbshme të Thaçit.

“Letra e ardhur nga Shtëpia e Bardhë e rithekson faktin se SHBA kanë investuar në Kosovën e pavarur dhe sovrane. Së dyti duhet theksuar se në letrën e ardhur nga Shtëpia e Bardhë, ndryshe nga mesazhi i ardhur nga Mogherini, nuk përmendet kryesimi i dialogut nga presidenti Thaçi. Përkundrazi aty shprehimisht kërkohet që subjektet parlamentare të Kosovës të flasin me një zë unik në këtë dialog. Ky zë unik nuk mund të arrihet rreth një figure përçarëse si Hashim Thaçi, e as me ekipet, shërbëtorët e tij. S’ka pra unitet në Kosovë dhe pavarësia e sovraniteti nuk garantohet me “kompromiset e dhimbshme të Thaçit” ka përfunduar Fitore Pacolli.

Zogaj: Nëse Veseli ndryshon deklaratat ka tradhti dhe pasoja

Image
Skënder Zogaj

Njohësi i çështjeve politike, Skënder Zogaj ka thënë për gazetën “Bota sot” se Deklaratat për konsum ditor politikanët duhet të kenë tema të tjera ditore, ekzibicioni politikaneske por jo ato që kanë të bëjnë me integritetin e vendit!

“Çështjen e deklaratave të liderëve partiakë dhe shtetëror, sa po shihet e kemi shndërruar në “kash e lash” sepse, të gjitha deklaratave po përpiqemi t’u gjejmë domethënien përtej asaj që thuhet! Kjo ka njëlloj arsyeje, mirëpo, jo në masën siç po veprohet, sepse, deklaratat, sidomos si këto që kanë për temë një çështje decidive, nuk mund të kenë interpretime të zhdrejta! Edhe në rastin konkret: Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka thënë prerazi se: “Republika e Kosovës nuk do të lejojë që t’i preket territori nga ana e Serbisë” dhe nuk mund të konsumohet assesi ndryshe, vetëm kështu si është thënë! Pra kemi të bëjmë me një qëndrim të qartë institucional dhe, nëse Veseli më vonë vepron ndryshe, prek në atë që është tradhti dhe ka pasoja! Deklaratat për konsum ditor duhet të kenë tema të tjera ditore, ekzibicione politikaneske por jo ato që kanë të bëjnë me integritetin e vendit” ka përfunduar Skënder Zogaj

Vlen të theksohet, se që zëvendëskryeministri Fatmir Limaj që është pjesë e ekipit negociator po mungon në këtë takim për arsyeje të panjohura.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat