Kryeparlamentari Kadri Veseli, me shahirë, meze e raki, dy net më parë ka festuar nisjen e transformimit të FSK-së në Ushtri.
Ai kishte ftuar bashkë-partiakët e tij dhe ish-shefin e tij të partisë, Hashim Thaçin.
Aty ishte edhe kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, i cili ka qenë njëri prej kritikëve kryesor të PDK-së.
Ai ishte së bashku në këtë darkë me ish-liderin e PDK-së, Hashim Thaçin, e anëtarë të tjerë të kësaj partie: Sami Lushtakun, Ramiz Lladrovcin, Bekim Haxhiun, Enver Hoxhajn, Hajredin Kuçin e Bedri Hamzën.
Ata nuk kanë harruar të ftojnë edhe protagonistin e Dosjes së Shefave, Adem Grabovci, i cili akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Kjo darkë, nga analisti politik Nexhat Haziri quhet si “darka e dreqërve” apo “gorillave”.
“Është si ajo “Darka e Dreqërve” apo siç i quaj unë e Gorillave që para syve tanë po e zhbëjnë Republikën. Kjo nuk është diçka e pa njohur për qytetarët e vendit, pasi jo rrallë herë, pushtetarët apo më mirë të themi sunduesit tanë janë paraqitur në publik pa fije turpi me këto darka me mish e raki në këto vite kur është rënduar gjendja sociale dhe ekonomike e qytetarëve tanë, dhe përtej kësaj këto darka në stilin e mafiozëve, të dehur nga plaçka që po i bëjnë vendit, janë organizuar me qëllim për koordinuar punët e pista të tyre për interesa personale e klanore dhe gjithnjë në dëm të qytetarëve dhe të vendit”, thotë Haziri për gazetën “Bota sot”.
Ai thotë se, po ashtu kjo tregon edhe grykësinë e këtyre “politikanëve” për tu tallur me qytetarët e varfër dhe për të treguar fuqinë e tyre prej kriminelësh në raport me qytetarin dhe këdo që guxojnë ti sfidojnë.
“Unë nuk e di se për çfarë mund të festojnë këta përveç ideve për të presidentit Thaçi për korrigjimin e kufijve me Serbinë që do të thotë zhbërjen e shtetësisë së Kosovës, mos liberalizimin e vizave, dështimin në Interpol, c'njohjet e pavarësisë së Kosovës nga disa vende, apo çfarë. Ndërsa sa i përket pjesëmarrjes së kryetarit të KK-Mitrovicës Agim Bahtirit në këtë darkë, vërtetë është e gërditshme ta komentosh, pasi ai nuk është gjë më tepër se sa një sharlatan, dhe se tani e shohë se sa pikëlluese është përkrahja që unë personalisht ia kam dhënë gjatë zgjedhjeve lokale të fundit për kryetar të Mitrovicës”, përfundon ai.