Eksperti i sigurisë: Deklaratat e Vuçiqit për ROSU luftë speciale

Politika

Eksperti i sigurisë: Deklaratat e Vuçiqit për ROSU luftë speciale

Nga: N.Sh Më: 27 dhjetor 2018 Në ora: 20:22
ROSU

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se Njësia Speciale e Policisë së Kosovës, ROSU mund të hyjë në veriun e Kosovës me dy kushte.

Sipas tij, këto dy kushte janë: me lejen e KFOR-it dhe me pajtimin e serbëve në veri.

“Kjo është gjithë e vërteta dhe vetëm e vërteta. Kushdo që thotë diçka tjetër është një gënjeshtar i madh”, ka thënë Vuçiq.

Vuçiq ka shkuar tutje, duke thënë se me marrëveshjen e Brukselit, të vitit 2013, është garantuar që NATO-ja është ajo që ka për detyrë të ruajë sigurinë në Kosovë.

“Ata ndoshta duan ta harrojnë këtë pjesë të marrëveshjes, por nuk ka hyrje në veri pa pajtimin e NATO-s dhe numër dy, pa u arritur një pajtueshmëri edhe me serbët e veriut”, ka thënë ai.

Eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava thotë se, me shpalljen e Kosovës shtet i pavarur me datën 17.02.2008 dhe njohjen e saj nga 116 shtete, ky shtet sipas Kushtetutës, e ka për detyrë ta mbrojë  sovranitetin e saj cep më cep të territorit të vet.

Si dëshmi e këtij vendimi të pavarësisë, shërben vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për të cilin ishte ankuar vet Serbia.

Image
Hajruallah Tërnava

“Me shpalljen e pavarësisë, e qartë është se kush e ushtron sovranitetin e këtij shteti. Si dëshmi e kësaj, ata të gjithë që duan me u bindur për këtë që po e them, ta lexojnë Kushtetutën e Kosovës që ta kenë më të qartë. Nuk ka një shtet e që është e njohur ndërkombëtarisht, që i ndalohet që mos ta ushtroj sovranitetin e një pjese të shtetit të vetë. Policia e Kosovës, edhe sot e çdo ditë i kryen detyrat e veta edhe në ato pjesë të veriut të Kosovës”, thotë Tërnava për gazetën “Bota sot”.

Ai shton se, si dëshmi e krejt kësaj është fakti se në veri të Leposaviqit, në kufi në Jarinjë, për në Serbi, çdo ditë e kemi policinë dhe doganierët tonë.

“Thënia e Vuçiqit se “ROSU mund të hyj në veri të Kosovës në dy kushte: kur atë e lejon KFOR-i dhe serbët e asaj pjese”, është një konsum ditor për ti qetësuar shpirtrat e nacionalistëve serbë të cilët e ëndërrojnë Kosovën si pjesë të Kushtetutës së tyre. Ose thënë më qartë kjo është një luftë speciale që e përdorë Serbia për qëllimet e saja, e që ditë e për dite e vërteta mbi Kosovën, po argumentohet si shtet i pavarur dhe sovran, prandaj nga dezinformatat e tyre që tash e 20 vjet, jo rastësisht po organizohen demonstrata të përditshme kundër kësaj udhëheqëse të këtij shteti serb, e  që qëndron armiqësisht me të gjitha shtetet përreth, e sidomos me ato shtete që dikur ishin bashkë në një Jugosllavi”, shprehet eksperti i sigurisë.

Ai shton se, Kosova tani e ka edhe ushtrinë e saj, që në një periudhë të perfeksionimit dhe shkollimit të sajë, edhe kjo si pjesë e këtij shteti, do ta ketë për detyrë t`i kryej obligimet e veta ndaj shtetit, gjë të cilën ia garanton Kushtetuta.

“Me marrëveshjen e Kumanovës të kapitullimit të Serbisë të vitit 1999, tani si forca të vetme për ruajtjen e kufijve të Kosovës është KFOR-i dhe NATO. Meqë miqtë tonë na përkrahen për formimin e ushtrisë dhe të njëjtën po e furnizojnë me armatime, shpejt do të vijë koha që edhe në kufijtë tonë të kemi ushtrinë tonë si forca e vetme që përkujdesët për kufijtë e saj. Ne nuk duhet të ngutemi në këtë pikëpamje, dhe për gjithçka i kemi miqtë që edhe na kanë ndihmuar të çlirohemi nga armiqtë tonë shekullor, dhe përkrahja si dhe përgatitja e FSK-së si ushtri e jona, ditë e për ditë do të perfeksionohet, me stërvitjet e ditë për ditshme dhe shkollimet e sajë, si në vend ashtu edhe jashtë vendit tonë”, thekson ai.

Tërnava shprehet se, sipas Kushtetutës tonë Ministria e Punëve të Brendshme për aktivitetet e saja i jep llogari Kryeministrit dhe institucioneve më të larta të Kosovës.

“Prandaj kjo Ministri është e autorizuar që ta jetësoj Kushtetutën e Kosovës, dhe ti mbrojë qytetarët e sajë atje ku gjinden pavarësisht kombësisë së tyre, atje ku i ushtrojnë  të gjitha të drejtat e tyre që ua garantojnë ligjet dhe Kushtetuta e Kosovës, si qytetar të sajë që janë në këtë shtet demokratik që thirret Kosovë”, thotë eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat