Zikzaket dhe shansi i ngritjes së LDK-së

Politika

Zikzaket dhe shansi i ngritjes së LDK-së

Idriz Zeqiraj Nga Idriz Zeqiraj Më 28 dhjetor 2018 Në ora: 12:03
LDK

Ndërrimi i moteve, përmbyllja e një kohe plot zikzake e dështime si dhe afrimi i zgjedhjeve brenda-partiake, në Lidhjen Demokratike të Kosovës, si pjesë dhe vëzhgues i vëmendshëm i kësaj partie, japim arsyet e përkeqjes dhe mundësinë e ringritjes të LDK-së.

Shuarja e kryetarit Rugova, ishte një fatalitet për LDK-në dhe Kosovën mbarë. Karizma e Tij, urtësia, mençuria, intelekti sipëror, në raport me "komandantët" pa ushtarë, pa beteja e, mbi të gjitha përçarës të popullit dhe sabotues të luftës, i mbante në hije, larg pushtetit.

Por armët e "komandantëve" të LPK-së, të heshtura ndaj armikut, i aktivizuan për plumbosjen e kundërshtarëve ushtarakë dhe politikë, përkatësisht, ushtarakëve të FARK-ut dhe veprimtarët e LDK-së. Por, edhe brenda llojit, pra, të gardës së vjetër të LPK-së, si të pabindur ndaj "komandantëve" të vonuar, të cilët, faktikisht, kurrë nuk u bënë pjesë e luftës.

Sekreti i suksesit të kryetarit Rugova, ka qenë mbështetja dhe bashkëpunimi me bazën partiake. Aktivat, Nëndegët dhe Degët e LDK-së, anekënd Kosovës dhe jo në Kryesinë Qendrore të saj, siç ndodhi me pasuesit e Tij në post, por, jo në drejtim të mirëfilltë të partisë.

Nisma për mbledhjen e firmave të delegatëve, për votën e ardhshme zgjedhore, nga garuesit Fatmir Sejdiu dhe Nexhat Daci, ishte veprim i gabuar, sepse mendësia e shqiptarëve, është larg prapa, nga ajo e Amerikës dhe Evropës. Për herë të parë po hapej pazari dhe intriga rrënuese e LDK-së. Fundi kacafytës, përçarës dhe ndarës në Kuvendin e 6-të Zgjedhor, është uvertyra, hyrja në një mënyrë të re drejtimi e klanimi i partisë zëmadhe të Ibrahim Rugovës. Rrjedhojat fatale do të ishin skedimi i humbjeve të LDK-së, për 12 vjet radhazi, qofshin ato zgjedhje qendrore apo lokale.

Kuvendi i 7-të Zgjedhor i LDK-së shënoi risi regresive. Dakord, garimi transparent i kandidatëve, për kryetar të LDK-së, Fatmir Sejdiut dhe Isa Mustafës, pavarësisht përfoljeve kontrabantive paraprake nga SHIK-u. Por, anashkalimi, devijimi nga konkurrenca zgjedhore e Këshillit të Përgjithshëm dhe të Kryesisë të LDK-së, fliste shumë. Distancimi, largimi nga vija, fryma rugoviane, ishte i dukshëm, pa nevojë komenti.    

LDK-ja zbriti në praktikën zgjedhore të partive të ekstremit të majtë, përkatësisht, të partive-banda, PDK-e dhe AAK-a. Për habi, heshtën 358 delegatë në sallën e Kuvendit, përveç autorit të këtij shkrimi, - se kjo nuk është demokratike - dhe që mori përgjigjen e kryesuesit të Kuvendit, se "as marrja e fjalës tri herë radhazi, pa leje, nuk është demokraci!" Por, kush të jepte fjalën në Kuvendin Zgjedhor, ku nuk kishte as debat dhe as propozime, për strukturat e partisë.

Dhe, ndodhi ajo që nuk pritej:  Votimi në grup me aklamacion për 107 anëtarët e ardhshëm të Këshillit të Përgjithshëm. Regres, zgjedhje me emërtesë nga shefi i ri i partisë, Isa Mustafa dhe votimi aklamativ, me ngritje dore, tipik komunist! Pëshpëritje të bollshme çarshisë, por, jo edhe ballafaqime në forume partiake. Shokuese. Mijëra kuadro të epokës të Dr. Rugovës heshtën, u pajtuan me të keqen, përballë mujëshisë intriguese të një klani të trashëguar nga Kuvendi i 6-të, por, të forcuar dhe të konsoliduar në Kuvendin e 7-të. 

I ligu njihet për tepri, arrogancë, mungesë të sensit të masës dhe nuk zgjedh mjetet, për arritjen e qëllimit. Kështu veproi edhe klani Mustafa, në Kuvendin e 8-të zgjedhor të LDK-së. Realisht, ai nuk ishte kurrëfarë Kuvendi, aq më pak "zgjedhor". Debati në sallën e Kuvendit u ndalua, me arsyetimin unik: "Mos t`ia prishim hijeshinë këtij Kuvendi me debate!" Konkurrenca zgjedhore për Kryetar, Kryesi, Këshillin e Përgjithshëm u përjashtua. Kulmoi me votimin aklamativ, pa u provuan me votim të fshehtë.

Pra, u shkelën tri parimet bazë të demokracisë evropiane, përkatësisht, të Këshillit të Partive Popullore të Evropës, (PPE). Edhe pse presidenti Philip Daul, tërhoqi vërejtjen paraprake, për respektimin e këtyre tri normave bazë, ai heshti si peshku, pas anashkalimit të porosive të tij dhe u votua "alla komunistçe"! Për këtë, përveç autori i këtij shkrimi, që ka reaguar në adresë të kryetarit Daul, nuk kam parë e dëgjuar zë të dytë.

Thyerja e një tradite të shkëlqyer, siç është ajo e zgjedhjeve demokratike: debati, konkurrenca dhe votimi i fshehtë, të praktikuar përgjatë epokës të Ibrahim Rugovës, ka rrafshuar vlerat, ka zbehur veprimtarinë e begatë të dikurshme të LDK-së, ka zhgënjyer, atrofizuar e larguar mijëra anëtarë të devotshëm dhe fort të përkushtuar, rugovistët besnikë, idealistë proverbialë, për  prosperimin e LDK-së.

Toleranca e çoroditur, kthimi në praktikën moniste, në zgjedhjet qendrore të Kuvendit të 7-të, me ç`rast u emërua Këshilli i Përgjithshëm dhe Kryesia, pa konkurrencë dhe pa votim të fshehtë, u reflektua në Nëndegët e, sidomos, në Degët e LDK-së, në përzgjedhjen e delegatëve të Kuvendit të 8-të të LDK-së. Me porosi nga Qendra, në shumicën e Degëve, u bënë emërime dhe zgjedhje aklamative të delegatëve. 

Njëri nga nënkryetarët e LDK-së thotë: "Kemi punuar kaq shumë në përzgjedhjen e delegatëve, për Kuvendin e 8-të, sa që  edhe po të bëhej votimi i fshehtë, Isa Mustafa do të zgjidhej kryetar. Pra, klani, pavarësisht humbjeve serike, përformancës mjerane, dhunshëm, paligjshëm dhe me cinizëm unik, vazhdoi mandatin e dytë, hiç merior.

Rrjedhojat e vazhdimit të mandatit të dytë, në drejtimin e LDK-së, nga Isa Mustafa, me klanin e tij, kanë qenë vendimtare për rrënimin e LDK-së dhe të sundimit të partive-banda, tashmë, të konsoliduara në koalicionin kriminal PAN. Përgjatë udhëheqjes të LDK-së, në koalicion me PDK-në, janë shënuar vendime, me rekorde fatale për Kosovën dhe popullin e saj. Pra, Isa Mustafa jo vetëm dëmtoi rëndë LDK-në, por, por edhe Kosovën dhe nuk shkëkqeu as si kryeministër.

Koalicioni LDK-PDK, sa i dyshimtë, aq edhe i pistë

Përvoja e hidhur e koalicionit të mëparshëm, LDK-PDK, Zanzibari e deri në përmbyllje, ishte një pësim, që duhej bërë mësim për Isa Mustafën  dhe LDK-në. Megjithatë, koalicioni u bë, pa përfillur anëtarësinë e LDK-së, Këshillin e Përgjithshëm, madje, edhe vetë Kryesinë. Shkurt, vendosi Isa Mustafa me Klanin e tij. Arsyeja: Isa kryeministër, Hashimi president. Skajmërisht e turpshme. 

Rrjedhojat e zvarritjes të Isës pas Hashimit, fatale për Kosovën.

Numërojmë:

1) Bashkësia e Komunave Serbe në Kosovë, në origjinal - "Zajednica" -, me kompetenca ekzekutive, është nënshkruar nga Hashim Thaçi  dhe kryeministri Isa Mustafa. Ishte Lëvizja Vetëvendosje ajo që e stopoi, duke e dërguar në Gjykatën Kushtetuese. Dhe, ajo gjeti shkelje në 23 pika të kësaj Marrëveshje.

2) Presidenti Rugova kishte thënë se "nuk duhet lejuar ngritja në pushtet e Hashimit, sepse është i rrezikshëm për Kosovën!" E dinte porosinë e Rugovës Isa me shokë?! E dinte Isa me shokë se Hashimi është themelues i Organizatës kriminale e terroriste SHIK, e cila identifikohet me qindra vrasjet politike në Shqipëri dhe Kosovë. Megjithatë, ishte Isa Mustafa, me klanin e tij, që e bënë namin për ta bërë Hashim Thaçin president!!! 

Me zgjedhjen e Hashimit president, Isa e amnistoi dhe e rehabilitoi njeriun e parë të akuzuar për krimin e organizuar në Kosovë dhe më gjerë. Është e turpshme, madje, deri në rrugaçëri, thirrja në një - Marrëveshje -, e cila është bërë nga Isa me klanin e tij, pa miratimin dhe fshehtas partisë, LDK-së!

3) Shënimi i vijës kufitare, - Demarkacioni -, me Malin e Zi, është vepër ekskluzive e Hashim presidentit dhe Isa kryeministrit. Që të dy e bindën Amerikën, Evropën dhe botën, por, jo edhe shqiptarët, se "Kosova, me vijën aktuale kufitare, nuk humbë asnjë milimetër tokë!" Presioni enorme dhe i poshtër ndaj deputetëve dhe popullit, kulmoi me nismën zyrtare të organizimit të protestave, se "deputetët me mos votimin e - Dremarkacionit -, po pengojnë liberalizimin e vizave!" 

4) Kosova ka pasur luftë efektive vetëm disa muaj. Pak mijëra djemë e vajza, por, edhe burrra, u aktivizuan me armë për liri. Luftëtarët ishin vullnetarë, jo mercënarë. Megjithatë, pushtetarët nuk pritën pensionimin e tyre, për një shtesë page modeste, siç është vepruar pas Luftës së Dytë Botërore. Qeveria krijoi një Komision për hartimin e listës emërore të - Veteranëve të Luftës -. 

Gjeneral Agim Çeku fajëson kryeministrin Isa Mustafa se "na dha vetëm një javë afat, për dorëzimin e listave, me 46.300 "veteranë"!? Ne dorëzuam dhe kryeministri - OK-ej, e pranoi, e nënshkroi dhe filloi livrimin e parave, pagesën mujore për të gjithë "veteranët!" Po ta kishte refuzuar kryeministri, ne do t`i shqyrtonim dhe korigjonim listat në fjalë".

E habitshme, Isa Mustafa, me të dy djemtë kanë qenë pjesë aktive e Emërgjencës të Luftës. Si nuk ka dyshuar për shifrën e shumëfishuar të "veteranëve"?! Apo u frikësua se po humbiste postin e kryeministit, nga protesta kërcënuese e "komandantëve" kriminelë e rrugaçë, të cilët kishin planifikuar vjedhjen industriale, me shitjen e "dëshmive të veteranëve"?! Kështu kryeministri legalizoi dhe ligjësoi vjedhjen aktuale milionshe, e cila, ndërkohë, do të kapë shifrën miliardshe!

5)Elektorati i saj i dikurshëm, më shumë abstenon në votime, se sa që voton për partitë tjera. Thjeshtë, është i zhgënjyer me udhëheqjen klanore, burokratike e butake aktuale. Ndoca nga fshatrat e mëdha të Kosovës, si Zhuri i Prizrenit, Dobërçani i Gjilanit, Vrella e Istogut, Isniqi i Deçanit, kanë reaguar zëshëm, ndaj Kryesisë Qendrore, për politikë klanore e selektive, në anashkalimin dhe largimin, spostimin e kuadrit të përkushtuar rugovist. Madje, Isniqi, i cili, për nga madhësia është sa 10 fshatra të Deçanit, abstenoi, nuk votoi në zgjedhjet e fundit lokale, në shenjë proteste, nga ndërhyrjet hiç parimore të Qendrës.

6) Sjellja sa brutale, aq edhe cinike e klanit Mustafa, karshi dy Degëve markante të LDK-së së Mërgatës, Gjermanisë dhe Zvicrës, përjashtimi i tyre nga pjesëmarrja në Kuvendin e 8-të zgjedhor, me arsyetimin "për parregullësi në zgjedhje" të këtyre dy degëve. Në fakt, kjo parregullësi i përkiste vet Qendrës të LDK-së, , e cila Kuvendin e ktheu në farsë zgjedhore.

Qëllimi ishte eliminimi, paraprak, i kundërshtisë të procesit "zgjedhor" aklamativ nga delegatët e Mërgatës, si dhe pamundësimi i konkurimit të mundshëm të kryetares të LDK-së në Gjermani, Donikë Gërvalla, për kryetare të LDK-së.

"Nëse deputetët e LDK-së e votojnë _ Dermarkacioninb - ma Malin e Zi, unë nuk do të jem pjesë e LDK-së, sepse Gjyshi im është vrarë, pikërishjt, në mbrojtje të atyre tokave të falura Malit të Zi", - deklaroi dhe e mbajti kushtëzimin e dhimbshëm, Donikë Gërvalla, veprimtarja më e shquar, për çështjen e Kosovës, para dhe gjatë Luftës së Kosovës.

Elektorati i LDK-së kërkon ndryshim dhe jo retushim

Është e dhimbshme për një parti, për një popull, që heshtë, edhe atëherë kur stërkeqja partiake apo shtetërore kalon çdo përmasë, humbë sensin e masës dhe tallet me anëtarësinë, popullin. Kjo i ndodhi LDK-së, partisë të zëshme e prijetare të Ibrahim Rugovës, por edhe popullit të Kosovës, që sundohen, përkatësisht, nga klani i Isës dhe banda e PAN-it.

Është mjerane kur anëtarësia, elektorati i LDK-së, ndër vite, kërkon ndryshim, kthim në rrugën rugoviane, por, klani i stazhionuar dhe fort i koracuar, ngulmon në retushim. Të paktën, kjo konstatohet nga lakimi i emrave pretendentë, për kryetar të ri të LDK-së.

Për të stopuar pafundësinë e stërkeqjes të LDK-së, anëtarësia duhet ta thyejë heshtjen qyqare: Mjaft më, me ecjen e njëtrajtshme, me fjalë boshe dhe pa veprime konkrete. Kthimi në bazë, ke anëtarësia, elektorati, është e vetmja mundësi dhe garanci e ngritjes të LDK-së. Është shansi ideal, është kërkesë, jo vetëm e anëtarësisë aktive, por, edhe i elektoratit, për ndryshime të menjëhershme dhe jo pritëse e zvarritëse, për të fituar në kohë butakët.

1) Statuti i LDK-së, i ndryshuar për interesa klanore, duhet t`i kthehet fillimit, klasikut. Thirrja në Rregulloren e PPE-së, është një kamuflazhë. Nga ajo Rregullore janë marrë vetëm ato kompetenca, që i duhen kryetarit të LDK-së, për t`u bërë kryetar i përjetshëm ai, me rrethin vicioz të tij. Ato janë kompetenca mbretërore, që ballkanasi, për ndryshim  nga evropiani, i shfrytëzon jo për ngritjen e partisë, por për interesa vetjake e grupore.

2) Shuarja e Aktivave, kalimi në Bashkësi Nëndege, ka rezultuar e dështuar, sepse partia është shkëputur nga baza fillestare elektorale, përcaktuese për votën e fitores. Ndërkohë që partitë rivale ishin dhe janë në fshat. Me shthurjen e Aktivit të LDK-së, ato kanë hyrë edhe në lagje dhe familje.

3) Partia është përqendruar ke kryetari i Degës, i cili, njëherësh është edhe kandidat për kryetar komune. Sikur nuk mjafton ky dublim, dyfishim postësh, disa syrësh janë edhe anëtarë të Kryesisë Qendrore! Pse bëhet kjo? Thjeshtë, kryetari i LDK-së qendër, kërkon centralizim komunist, për t`ia përzgjedhur delegatët, që ta votojnë shefin e qendrës, për mandatin e radhës. Dhe, kjo u faktua në Kuvendin e 8-të "zgjedhor". Kryetari i komunës duhet të rri në zyrën e tij në komune dhe jo të bredhë pas kryetarit të LDK-së.

4) Nuk është domosdo as dublimi i kryetarit të LDK-së, për të qenë edhe kryeministër i vendit. Shembull: Dr. Sali Berisha i ka pasë të ndara këto dy poste dhe ka qenë i suksesshëm. Realisht, Isa Mustafa, si kryeministër, ka qenë më i përgadituri nga të gjithë pararendësit e tij, në menaxhimin teknik të vendit. Ndërsa fajësia, në vendimet politike, që përmendëm më parë, është faktike. Por, në drejtimin e partisë, LDK-së, ka qenë tërësisht i dështuar dhe kjo ishte e pritshme. Mendësia e tij është tipike moniste. Është paradoks, sui generis, që një njeri, pa qenë kurrë anëtar i partisë, të katapultohet, më saktë, të kontradandohet, në krye të LDK-së. Përfoljet dyshuese, janë fort bazike.

5) Një anëtar - një votë, do të ishte zgjedhja dhe zgjidhja më e mirë  e kryetarit të ardhshëm të LDK-së. LDK-ja e ka shansin e madh të ngritjes. Zbritja në bazë, fshat me fshat, kërkim-falja për anashkalimin dhe mospërfilljen e bërë, për vite me radhë, nga Qendra e LDK-së; zgjedhjet lokale e qendrore, të prira nga debati kritik e demokratik; konkurrenca e ndershme, për të gjitha nivelet e strukturave të partisë; votimi i fshehtë i siguruar, janë premisë dhe garanci solide, për ngritjen e LDK-së, për fundin e opozitarizmit, të cilin, deri më tani, e kanë përcaktuar agjentët e SHIK-ut, brenda strukturave vendimmarrëse të LDK-së.

Anëtarësia e LDK-së ka një shqetësim të arsyeshëm, real, sepse karrierizmi e ka vënë dhe lënë në opozitë LDK-në përtej një dekade. Ndërhyrja e SHIK-ut, sa herë është rrezikur rënia në opozitë e PDK-së, është faktike. Është fat që disa anëtarë të klanit janë në drejtim të komunave fituese. Kompromisi është i mundshëm: garantimi për udhëheqjen komunale edhe më tej, në këmbim të heqjes dorë nga pretendimet për liderizëm qendror. Njëherësh,  duke hequr dorë nga kryesimi i mëtejmë i partisë në shkallë dege në komunat përkatëse. 

Duke e përgëzuar stafin simpatik të kombëtares "Bota Sot", për përmbylljen shumë të suksesshme e profesionale, të vitit kalendarik, të misionit fisnik, në informimin korrekt të shqiptarëve, madje, të kudondodhur, apeloj të kontribuojë, si gjithmonë, në tejkalimin e krizës së brendshme aktuale të LDK-së, për ta shfrytëzuar shansin e ringritjes të sërishme të saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat