Blakaj: 2018-ta, vit i pritjeve të shumta, por i arritjeve të pakta!

Politika

Blakaj: 2018-ta, vit i pritjeve të shumta, por i arritjeve të pakta!

Nga: G.B Më: 29 dhjetor 2018 Në ora: 14:44
Foto ilustruese

Gjatë vitit 2018 edhe pse është thënë se po lobohet mjaft për Kosovën në INTERPOL dhe për liberalizimin e vizave, por që asnjëra prej tyre nuk ndodhën gjatë këtij viti.

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve për integrime evropiane, Sami Blakaj, ka thënë për gazetën “Bota sot” se viti që po e lëmë pas, numëron pritje të shumta, me shumë sfida dhe pak realizime.

“2018-ta, vit i pritjeve të shumta, por i arritjeve të pakta! Viti 2018 ishte vit jashtëzakonisht sfidues për Kosovën dhe rrugëtimin e saj në proceset integruese. Ky vit numëron vitin e radhës që vendin e lënë me pritje të shumta, por me arritje të pakta. Në fakt, pritjet e 2018-tës nuk dalluan nga pritjet e viteve të kaluara, por që edhe kësaj radhe mbetën të parealizuara”, është shprehur ai.

Image
Sami Blakaj

Dështimet e vitit 2018 në Kosovë, sipas Blakajt, janë dështimi në politikën e jashtme, në sjelljen e njohjeve të reja, mosanëtarësimi në INTERPOL dhe mosliberalizimi i vizave.

“Këtu vlen të përmenden dështimet e Kosovës në tri pritjet kryesore dhe ato janë: dështimi në politikën e jashtme, përkatësisht dështimi për sjelljen e njohjeve të reja, dështimi në Organizatën e Policisë Ndërkombëtare, INTERPOL si dhe mosliberalizimi i vizave për qytetarët kosovarë. I gjithë ky dështim politik dhe diplomatik vjen si rezultat i mungesës së pjekurisë shtetformuese, rrjedhimisht i mungesës së një strategjie të politikës së jashtme, e cila në një formë apo tjetrën bëri që Kosova gjatë këtij viti më shumë të shënojë regres dhe të ballafaqohet me çnjohje sesa të shënoj progres, respektivisht të sjellë njohje të reja”, ka vlerësuar Blakaj.

Ndërsa, sipas tij, formimi i ushtrisë është suksesi i vetëm i këtij viti.

“Krahas dështimeve të shumta, duhet përmendur edhe vendimet e mira që e karakterizojnë 2018-tën. Ndër vendimet kryesore, është padyshim vendimi i Kuvendit të Kosovës për transformimin e FSK-së në Ushtri, vendim ky që tashmë ka mbetur në histori”, ka deklaruar Sami Blakaj për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat