Tmerri i Kosovës përballë kriminalitetit, shteti i pafuqishëm në këtë luftë!

Politika

Tmerri i Kosovës përballë kriminalitetit, shteti i pafuqishëm në këtë luftë!

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 31 dhjetor 2018 Në ora: 15:16
Ilustrim

Shteti i Kosovës, po tregohet i pafuqishëm karshi kriminalitetit që po ndodh në Kosovë.

Grupet e armatosura të cilat po shfaqen këto ditë, ku për qëllim kanë grabitjen e bankave, apo shtëpive private po lejnë nam në Kosovë.

Istogu këtë vite është përballur me ngjarjen më të rëndë të kriminalitetit, ku janë përleshur me armë zjarri policia e Kosovës dhe grabitësi.

Nga ky shkëmbim zjarri mbeti i vrarë grabitësi Kamer Metaj dhe polici i Kosovës, Izet Demaj.

Grupet kriminale, nuk kanë të ndalur. Ata po kryejnë plaçkitje të armatosura si nëpër filma.

Kjo dukuri përditë e më shumë po i shqetëson qytetarët e Kosovës.

Ata duken të pafuqishëm, njëjtë si i tërë aparati shtetëror para këtyre grupimeve.

Tmerrin që përjetuan qytetarët e Istogut javën e kaluar, është një vazhdimësi e tmerrit të krijuar ndër vite nga qeveritarët tanë.

Kriminaliteti në vend që të zhduket, në Kosovë ka filluar ngritje të tmerrshme.

Kriminelët e interesuar për grabitje, të ushqyer prej politikës, nuk kanë mëshirë për askënd.

Ata kanë filluar të grabisin edhe në shtëpitë e personave me nevoja të veçanta, se për banka e biznese mos të flasim.

Rritja e grabitjeve të armatosura deri në dhëmbë, tregon edhe gjunjëzimin e sistemit të drejtësisë para këtyre grupeve kriminale, të cilat po dalin në sipërfaqe duke mos u trembur nga askush.

Grabitësit e armatosur, nuk janë vetëm qytetarët të zakonshëm, të cilët dalin për të kryer vjedhje.

Grabitësit janë disa grupe të armatosura, e zakonisht shumica e tyre janë të infiltruar më politikën, ose marrin shembull politikën e inkriminuar të Kosovës.

Njëjtë kanë bërë edhe politikanët milionerë të pasluftës.

Ata nuk u pasuruan duke punuar apo me paga të ministrit ose deputetit.

Ata krijuan grupe të caktuara kriminale, të cilat ishin përfshirë në vrase, në grabitje, haraçe e në secilin krim që ka ndodhur në Kosovë, derisa u pasuruan dhe u bënë milionerë.

Tash, ato grupet kriminale që dikur punuan ose bashkëpunuan me politikën, sot janë bosët e kriminalitetit në Kosovë.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri është zotuar së viti 2019 do të jetë i pamëshirshëm për kriminalitetin në Kosovë.

Mirëpo, ka dështuar në një deklaratë tjetër, kur ka thënë se në Kosovë nuk ka nevojë të bëhet vetting.

Ministri i Drejtësisë në Kosovë, Abelard Tahiri ka thënë se gjatë vitit 2019 do të fillojë konfiskimi i pasurisë së zyrtarëve të lartë dhe do të shkatërrohen grupet kriminale të cilat janë marrë me haraç dhe fajde, nuk po shihen të jenë serioze nga politikanët dhe njohësin e zhvillimeve politike dhe juridike në Kosovë.

“Besoj që viti i ardhshëm të jetë më i fuqishëm në luftimin e këtyre dukurive, sepse janë ngritur kapacitetet brenda gjyqësorit, prokurorisë, kemi bërë avancim të ligjeve. Mendoj që do të jetë prioritetit im që të konfiskohen pasuritë që janë fituar paligjshëm. Viti 2019 do të jetë vit që do të tregojmë suksese  edhe më të mëdha në konfiskimin e pasurisë së paligjshme, në shkatërrimin e grupeve të krimeve, që janë marrë me haraç e fajde”, tha Tahiri.

Kurse, në nj deklaratë tjetër ai ka thënë se, Kosova ka nevojë që të rris llogaridhënien dhe përgjegjësinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe jo të verifikimit të tyre në periudha të gjata.

“Një proces i vettingut te ne ka kaluar në kohën 2009-2010 në kohën e riemërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve nga UNMIK-u tek institucionet e shtetit të pavarur të Kosovës. Pra, në atë periudhë e kemi pasur një riemërim të gjyqtarëve dhe ka ndodhur pikërisht pra vettingu dhe ajo ka qenë rreth 35 për qind të gjyqtarëve dhe prokurorëve kanë mbetur jashtë sistemit. Ne na duhen mekanizma të cilët deri më tash nuk i kemi pasur brenda sistemit që e adresojnë këtë çështje dhe që e rrisin efikasitetin e gjyqësorit dhe jo të ndodhin një herë në 10 apo 15 vite procese të tilla”, është shprehur Tahiri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat