Viti i ushtrisë

Politika

Viti i ushtrisë

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 31 dhjetor 2018 Në ora: 20:02
Ushtria e Kosovës

Si maja e të arriturave të Kosovës në vitin që po e lëmë pas, është transformimi i FSK-së në Ushtri të Kosovës. Qeveria e Kosovës si dhe gjithë populli i sajë, për këtë të arritur duhet falënderuar aleatët tanë jetik, SHBA, Gjermani, Britani e Madhe, France, Turqi dhe te tjerë, të cilëve ju jemi mirënjohës për jete. Ushtria e jonë do të jetë shembull për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit.

Spektri politik në vend u bënë së bashku njëzëri për të miratuar tri projektligjet që transformojnë FSK-në në Ushtri të Kosovës. Përveç Listës Serbe, të gjitha partitë politike unanimisht dhanë votën pro për formimin e ushtrisë së Kosovës.

Para votimit të ligjeve, NATO doli me deklaratë e cila kundërshtonte ushtrinë e Kosovës duke e konsideruar atë si të ngutshme dhe të pasigurt. Me këto deklarata NATO uli pak besimin e qytetarëve të Kosovës se do të bëhet ushtria, mirëpo në skenë doli miku historik i Shqiptarëve, Amerika. Kjo e fundit e përkrahi maksimalisht ushtrinë e Kosovës, duke thënë se do të sjellë paqe në rajon. Madje, Amerika menjëherë furnizoi me mjete ushtarake shtetin e Kosovës dhe ushtrinë më të re në botë.

Ky veprim i kësaj legjislature, po vlerësohet si akti më i mirë i kryer ndonjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Kuvendi e miratoi amanetin e shumë dëshmorëve që ranë për lirinë e këtij vendi, e që ëndërronin që Kosova të ketë një ditë ushtrinë e saj.

Sigurisht që Ushtria e Kosovës iu dhembi serbëve, të cilët e kundërshtuan ashpër, madje thirrën mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Atje u turpëruan edhe më shumë kur presidenti Thaçi i numëroi para të gjithë botës krimet serbe dhe gjenocidin e kryer në Kosovë.

Ushtria i dha Kosovës epitetin e një shteti serioz, të pavarur dhe demokratik, që synon që përmes saj të sjellë paqe në rajon e më gjerë. Një shtet i pjekur që tani është i gatshëm të marrë vendime të mëdha edhe vet. Do të quhej vit i dekadës ky pas shpalljes së pavarësisë nëse qeveria aktuale e Kosovës nuk do të bënte gabime që shkaktuan ekonomi të dobët, papunësi, korrupsion e nepotizëm të madh.

Padyshim që ky është vit i ushtrisë së Kosovës. Kështu kanë vlerësuar edhe deputetë e analistë të cilët kanë folur për gazetën “Bota sot” lidhur me sukseset dhe dështimet e politikës së Kosovës gjatë vitit 2018.

Gjeneral Qehaja: Jam shumë i gëzuar për ushtrinë e Kosovës, është ngjarje historike

“Unë jam shumë i gëzuar që më në fund u krye një detyrë që është dashur të kryhet para katër viteve. Nuk do të thotë që ne tani menjëherë ta kemi ushtrinë e gatshme, siç po ka pretendime dhe po duan të pretendojnë se do të ketë një destruktivitet të kësaj ushtrie e që me të madhe po e pengon Beogradin zyrtarë”, ka thënë Qehaja.

Image
Ramadan Qehaja

Ai ka nënvizuar se nuk është me rëndësi tani në këto momente se kush është fajtor e kush jo për vonimin e kësaj ushtrie, por me rëndësi është se kjo çështje është përfunduar.

“Por unë kujtojë, pa hyrë në historiat se kush është dhe kush nuk është fajtor, sepse kjo për momentin aktual nuk është me rëndësi. Me rëndësi është se kjo çështje është kryer dhe tani Kosova ka ushtri”, është shprehur ai.

Ish gjenerali flet për tentimet e Beogradit për qëndrimet absolutisht kundër kësaj ushtrie, duke thënë se Serbia ka arritur t’i sensibilizoj disa shtete anëtare të NATO-së të cilat nuk na kanë pranuar si shtet.

Qehaja thekson se deklaratat e sekretarit të NATO-së i cili u treguar skeptik për këtë ushtri, vinë nga një presion nga pesë shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën si shtet. Por, ai thekson se Kosova nuk duhet të zmbrapset sidomos tani kur ka mbështetjen e plotë të SHBA-së

“Unë kujtoj se pala serbe kundër kësaj force të armatosur ka qenë shumë e zëshme. Ajo ka arritur t’i sensibilizoj disa shtete anëtare të NATO-së të cilat nuk na kanë pranuar si shtet dhe po e shohim që edhe sekretari gjeneral i NATO-së doli me një deklaratë që për ne nuk ishte e volitshme, por duke lexuar mes rreshtave të deklaratës së tij, shihet që ai ka qenë në një presion të madh për shkak të asaj që siç thash pak më parë, ato shtete e kanë kundërshtuar një gjë të tillë. Por, pavarësisht presionit të saj, unë kujtoj që ne nuk mundemi tash të zmbrapsemi, aq më parë kur e kemi një përkrahje të jashtëzakonshme nga SHBA, edhe pse këta të fundit deri më tani ka qenë shumë e përmbajtur dhe na kanë sugjeruar që t’i shterim të gjitha mundësitë për t’ia shpjeguar minoritetit serb në Kosovë se kjo forcë do të jetë forcë multi-etnike për të gjithë qytetarët që jetojnë në Kosovë. Kur është parë që me të vërtetë destruktiviteti i Beogradit zyrtar nëpërmjet Listës Serbe nuk po lëshon pe, atëherë SHBA vendosi që të na përkrahë maksimalisht”, ka theksuar ish gjenerali.

Kelmendi: Trump forcoi shtetësinë e Kosovës

Image
Muhamet Kelmendi

Zëvendësministri në ministrin e arsimit, Muahmet Kelmendi, thotë se viti që po e lëmë pas karakterizohet me suksese dhe natyrisht edhe me mossuksese.

Ai si sukses përmend ushtrinë dhe taksën, ndërsa si mossukses mendon që është puna e pamjaftueshme në fushën e arsimit, shëndetësisë, sistemit juridike dhe çështjeve sociale.

Maja e të arriturave është Ushtria e Kosovës

Image
Vesel Makolli

Zëvendësministri i Mirëqenies Sociale, Vesel Makolli në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se Kosova ka përjetuar suksese nga ambasadorët e sportit, si në xhudo dhe futboll, ndërsa thekson se edhe në muzikë ka pasur suksese.

Por, Makolli ka theksuar se maja e të arriturave të Kosovës gjatë këtij viti, është ushtria e Kosovës, ndërsa shpreson që në vitin e ardhshëm mossukseset e këtij viti, t’i kompensojnë.

“Si maja e të arriturave të Kosovës në vitin që po e lëmë pas, është transformimi i FSK-së në Ushtri të Kosovës. Qeveria e Kosovës si dhe gjithë populli i sajë, për këtë të arritur duhet falënderuar aleatët tanë jetik, SHBA, Gjermani, Britani e Madhe, France, Turqi dhe te tjerë, të cilëve ju jemi mirënjohës për jete. Ushtria e jonë do të jetë shembull për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit. Ushtria nuk fillon luftëra. Politika fillon luftëra. Këtë vit është pa drita në fund te tunelit, në raport me një marrëveshje përfundimtare në mes të shtetit tone dhe fqinjit shtetit serb. Formimi i grupit negociator për bisedime me Serbinë, është një e arritur e madhe, kurse letra e Presidentit te SHBA-as, e përforcon bindjen se një zgjidhje e mundshme, në mes të dy popujve e pritur me shekuj mund të ndodh së shpejti. Normalisht që gjatë këtij viti kemi pas edhe mossuksese, por ato nuk i zbehin të gjitha të arriturat e shtetit tonë Kosovës, gjatë këtij viti dhe se në vijim në vitin që po vjen, do ti kompensojmë dhe do ti arrijmë objektivat tona të planifikuara. Rrugëtimi i Kosovës për në BE, NATO, KB dhe organizata tjera botërore ku e kemi vendin historikisht, është i mbushur dendur me pengesa dhe gjemba, dhe nuk ka zgjidhje tjetër përveçse të kalojmë shpejt nëpër to. Sa më gjatë të ndalemi në pengesat, problemet dhe mosmarrëveshjet tona, aq më e madhe është fuqia e tyre për të na dëmtuar. Uroj që gjatë vitit të ri 2019 të jemi unik në tejkalimin e te gjitha pengesave dhe mosmarrëveshjeve për arritjen e synimeve tona, si dhe të kemi harmoni dhe dashuri ne mes veti”, ka nënvizuar Makolli.

Qeveria Haradinaj nuk është meritore për formimin e ushtrisë

Image
Bajram Gecaj

Zyrtari LDK-së, Bajram Gecaj duke folur për këtë temë ka thënë se qeveria Haradinaj është qeveria më e dobët që nga pas lufta. Sipas tij, duke i munguar sukseset në cilëndo fushë, kjo qeveri është koncentruar në disa çështje populiste, siç është taksa dhe ushtria. Por Gecaj mendon se kjo qeveri është më së paku meritore për formimin e ushtrisë.

Gecaj shton tutje se sukseset më të mëdha që i ka Kosova, kanë qenë të përkrahura nga LDK.

“Të vetmet suksese të mëdha, pra të kësaj qeverie janë ato të përkrahura nga LDK, siç është ushtria dhe demarkacioni. Opinioni i gjerë e di se LDK ka përkrahur kalimin e demarkacionit për shkak të interesit të qytetarëve të Kosovës, përkundër faktit se Qeveria Mustafa ishte përmbysur mu në këtë pretekst. AAK dhe NISMA e kishin kallë Kosovën flake kundër demarkacionit për shkak të ardhjes në pushtet, ndërsa e kishin aprovuar të njëjtin për shkak të mbetjes në pushtet. Ushtria e Kosovës, pra do të bëhet dhe do të jetë ndër më të mirat në rejon, por vetëm atëherë kur të kemi zgjedhur njerëzit e duhur për të qeverisë me vendin”, thotë ai.

Ushtria sukses i madh, por 8.200 hektarët e humbur nuk do të harrohen

Image
Gazmend Islami

Publicisti Gazmend Islami, në një prononcim për “Bota sot” ka renditur ndodhitë negative dhe pozitive politike gjatë vitit 2018.

Ai vlerëson se ky vit do të mbahen mend për krijimin e ushtrisë së Kosovës, mirëpo nuk do të harrohen asnjëherë 8,200 hektarët e humbur.

“Viti 2018 ka qenë shumë sfidues për Kosovën. Kanë ndodhur ngjarje të mëdha, pozitive dhe negative, mirëpo me këtë të fundit jemi ballafaquar më shumë. Ky vit që po e lëmë pas do të mbahet mend përgjithmonë për formimin e ushtrisë së shenjtë të Kosovës, mirëpo nuk do të harrohen kurrë 8,200 hektarët e humbur, duke ia falur Malit të Zi. Formimi i ushtrisë e ngreu lartë sadopak këtë qeveri që kishte rënë në gjunjë dhe ishte afër kapitullimit, mirëpo nuk mund ta fsheh faktin e humbjen së asaj toke shqiptare. Kjo i bie sikur të heqim gozhdën nga druri, mirëpo shenja do të mbetet aty përgjithmonë”, është shprehur Islami.

Ai thotë se viti që po e lëmë pas ka pasur më shumë gjëra negative për Kosovën sesa pozitive, ndërsa shpreson që në vitin 2019 të ketë zgjedhje të reja dhe Hashim Thaçi të largohen nga pozita që ka në dialogun me Serbinë.

Ushtria, element i shtetësisë së Kosovës

Image
Hajrullah Tërnava

Eksperti i sigurisë Hajrullah Tërnava, formimin e ushtrisë e quan suksesin më të madh të këtij viti, duke thënë se data 14 dhjetor është ditë e shenjtë dhe element i shtetësisë së Kosovës. Ai thekson se pa përkrahjen e shteteve mike, ushtria nuk do të bëhej.

“Tani kur me datën 14.12.18 u krijua ushtria e Kosovës, kjo ditë tani e tutje për neve, do të jetë një ditë historike, ditë e shenjë, dhe element i shtetësisë së Kosovës. Me ndihmën e miqve tonë si Amerika dhe BE, dhe me kontributin e djemve të cilët sakrifikuan jetët e tyre për ta çliruar vendin tonë, njëherë e përgjithmonë, në vitin 1999 Serbia e nënshkroi kapitullimin e saj me marrëveshjen e Kumanovës, dhe nga ajo ditë Kosova është e lirë. Sipas Kushtetutës së Kosovës krijimi i ushtrisë ishte një proces i vështirë për ta formuar ushtrinë, nga se sipas planit të Ahttisarit, Lista Serbe ka kompetenca të mëdha në këtë kushtetutë, sepse kjo listë duhet ta votoj me 80% ligjin mbi krijimin e ushtrisë, gjë që ishte e pamundur sepse këtë listë e kontrollon Beogradi, dhe ajo punon vetëm me detyra që i merr nga ta. Me që ishte procedurë e pamundur për krijimin e ushtrisë sipas Kushtetutës, parlamentarët formimin e ushtrisë e realizuan përmes ligjit për të cilin ligj votuan të gjithë të pranishmit në Parlament, përpos Listës Serbe që nuk morën fare pjesë në këtë seancë. Prandaj Kosova si shtet i pavarur i mungonte ushtria e saj që tani e tutje e mori miratimin e parlamentit dhe nga dita e 14.12.18 Kosova e ka tani ushtrinë e saj, e cila quhet FSK. Përkrahje për ushtrinë tonë nuk mungoj nga miqtë tone, sikur gjithherë që na kanë dal në ndihmë, dhe ndër të parat e përkrahjes ishin SHBA, Anglia, Gjermania, Franca, Turqia, e shumë shtete tjera mike, të cilat premtuan edhe përkrahje materiale, e sidomos në armatim, që një pjesë e atij armatimi edhe veç ka arritur në vendin tonë, kurse një pjesë tjetër do të arrij sipas marrëveshjeve miqësore ndërshtetërore të shteteve që po na qëndrojnë pranë”, ka potencuar ai.

Tërnava thotë, se edhe taksa e vendosur ndaj shtetit serb është gjë pozitive, pasi Serbia sipas tij, me ato para lobonte kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare e më shumë.

Për më tepër, Tërnava ka bërë thirrje që qeveria e Kosovës duhet të mbajë qëndrimin që ka, që të mos lëshoj pe rreth taksës dhe që Serbia duhet ta njoh Kosovën që kjo taksë të hiqet.

“Prandaj mendoj që kjo qeveri duhet edhe më tutje të mbaj këtë qëndrim të taksës 100% deri në njohjen e Pavarësisë së Kosovës, por jo vetëm kaq, por edhe deri Kosova të anëtarësohet në OKB, sepse po edhe e njohu Serbia Pavarësinë e Kosovës, nëse Rusia e përdor veton në OKB që Kosova mos të anëtarësohet, prapë do të kemi probleme dhe do të mbesim jashtë OKB. Në të ardhmen Kosova duhet të mbaj një qëndrim reciprok, edhe për të drejtat e popullatës shqiptare në Serbi, dhe këto të drejta që serbet i gëzojnë sipas kushtetutës së Kosovës, t’i kenë të drejtat e barabarta-njëjta në të dy shtetet. Fatmirësisht e në të mirën tonë, që miqtë tonë po na qëndrojnë pranë, dhe këtë përparësi duhet ta shfrytëzojmë”, nënvizoi Tërnava.

Publicisti Rexhep Shahu, tha për “Bota sot” se krijimi i ushtrisë së Kosovës është sukses jo vetëm i vitit, por edhe historik. Gjithashtu, Shahu thekson se taksa ndaj Serbisë është vendim dinjiteti vendim i një shteti sovran që tregoi se Kosova nuk mund të jetë koloni e Serbisë.

Ushtria, sukses historik

Image
Rexhep Shahu

“Mundem të them se krijimi i ushtrisë së Kosovës është një sukses historik i dëshiruar për shqiptarët dhe kjo është arritje e madhe pas pavarësisë. Vendimi i Kosovës për taksa ndaj produkteve serbe është vendim dinjiteti vendim i një shteti sovran që tregoi se Kosova nuk mund të jetë koloni e Serbisë. Kosova ka mjaft arritje por këto janë më të ndritshme”, ka thënë Shahu.

Ai thotë se sukses gjatë vitit 2018 Kosova ka pasur edhe në sferat e artit, kulturës e sportit, ndërsa si mossukses i konsideron bisedimet me Serbinë.

“Arritje e madhe për Kosovën janë edhe sukseset e individëve të saj ngado nëpër botë në fushat e artit kulturës sportit. Arritje të bujshme janë edhe ndërtimet e rrugëve në nivele evropiane. Kosova ka arritje siç ka edhe mos sukses në bisedime për shkak paaftësie”, nënvizon Shahu.

SHBA meritore për ushtrinë

Image
Faik Krasniqi

Ndërsa analisti Faik Krasniqi, është shprehur për “Bota sot” se sukseset e kësaj qeverie të pakta, e sukses e llogarit taksën dhe ushtrinë e Kosovës. Por, Krasniqi shprehet se as për ushtrinë e Kosovës Qeveria nuk ka merita, por është SHBA-ja ajo që vendosi për të.

“Për suksese të kësaj Qeverie gjatë 2018 nuk kemi shumë se çfarë të themi, sepse s'ka pasur shumë suksese. Ose më mirë të themi fare. Sukses do të mund ta quaja taksen 100 përqind të vendosur ndaj Serbisë dhe Bosnjës. Edhe pse vonë, por siç thotë populli "më mirë vonë se kurrë". Për votimin e ligjeve që FSK e shndërron në Ushtri të rregullt, nuk ka meritë as kjo Qeveri, por askush nga politikanët dhe partitë politike. Meritat i kane ekskluzivisht SHBA, aleati ynë më i madh dhe falë tyre ne sot jo vetëm që kemi shtet, por edhe frymojmë lirshëm. Ata janë ajri i gjithë shqiptarëve. Prandaj për suksese s'kemi shumë çfarë të flasim”, shprehet ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat