Abdullahu tregon dështimet e vitit 2018, tregon si duhet të veprohet në këtë vit

Politika

Abdullahu tregon dështimet e vitit 2018, tregon si duhet të veprohet në këtë vit

Nga: G.B Më: 1 janar 2019 Në ora: 13:52
Faton Abdullahu

Ideja e korrigjimit të kufijve me Serbinë, mosanëtarësimi i Kosovës në INTERPOL, mosliberalizimi i vizave, dialogu me Serbinë dhe formimi i Ushtrisë së Kosovës, janë disa nga ngjarjet që karakterizuan vitin 2018, që po e lëmë pas.

Për zhvillimet e vitit 2018, njohësi i çështjeve politike në vend, Faton Abdullahu, ka thënë se në vitin 2018 i kemi zhgënjyer miqtë ndërkombëtarë më shumë se kurrë më parë, derisa dhe përpos që nuk kemi pasur njohje të reja, janë hequr edhe ato që kishim, nuk ka liberalizim të vizave e as anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

“Asnjëherë nuk i kemi zhgënjyer më shumë aleatët me punën që e bëjmë përkatësisht me atë që nuk bëjmë dhe asnjëherë nuk na kanë kritikuar më shumë se sa që na kritikojnë e nuk pajtohen me ne. Me këta pushtetarë, përkatësisht me këtë Qeveri, le që nuk ka më njohje të reja, por ka revokime të atyre njohjeve që i kishim. Nuk ka anëtarësime në organizata të ndryshme ndërkombëtare si në Interpol dhe nuk ka liberalizim të vizave”, ka theksuar Abdullahu.

Sipas tij, po e mbyllim vitin pa e pasur të qartë ku jemi nisur e çka duam, derisa ka mospajtime për dialogun, që janë kthyer në konflikte mes klaneve të pushtetarëve.

“Nuk mund të jetë ndryshe. Politika e jashtme dhe konkretisht diplomacia jonë, është reflektim tipik i defekteve, gabimeve dhe dështimeve të brendshme. Po e përmbyllim këtë vit duke mos e pasur të qartë se për ku jemi nisur si Kosovë dhe çfarë duam konkretisht. Mospajtimet për dialogun me Serbinë, janë kthyer në përçarje e përçarjet në konflikte interesash meskine e klanore të pushtetarëve aktual”, ka vlerësuar ai.

Abdullahu ka përmendur edhe idenë e korrigjimit të kufijve, ku sipas tij, për shkak të diplomacisë sonë analfabete, më shumë po i shiten rrenat Serbisë, se sa e vërteta jonë.

“Me duart tona kemi prekur diçka të shenjtë, integritetin territorial të Kosovës. I kemi dhënë mundësi Serbisë të avancojë në pozitën e saj karshi nesh dhe në drejtim të BE-së. Për shkak të diplomacisë sonë analfabete më shumë po i shiten rrenat Serbisë se e vërteta jonë”, është shprehur ai.

Për t’i ndalur të gjitha këto dhe dështimet tjera në vitin që po hyjmë, Abdullahu ka propozuar që të shkohet në zgjedhje dhe që qytetarët të mund të zgjedhin të preferuarin e tyre.

“Kjo duhet të ndalet menjëherë në vitin që po hyjmë. Përndryshe, riparimet e kësaj politike do të na kushtojnë shumë shtrenjtë. Ndalja më së miri bëhet duke ia dhënë mundësinë qytetarëve të dalin para kutive të votimit për ta nxjerrë një Qeveri legjitime që krijohet nga shumica dhe për t’u përballur me Serbinë duke pasur prapa bekimin e qytetarëve”, ka përfunduar Faton Abdullahu për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat