Kuvend i fatkeqësive, lojërave të pista dhe vendi i tyxharëve politikë

Politika

Kuvend i fatkeqësive, lojërave të pista dhe vendi i tyxharëve politikë

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 1 janar 2019 Në ora: 19:56
Kuvendi i Kosovës

Shumë seanca të thirrura, të rregullta e të jashtëzakonshme pati në Kuvendin e Kosovës gjatë vitit 2018. Në shumë prej tyre, pati shumë pika të rendit të ditës, ku shpesh seancat shtyheshin për shkak të mungesës së kuorumit, ligjet nuk votoheshin e deputetët mungonin në vendin ku u zgjodhën si të votuarit e popullit.

Por, edhe kur deputetët ishin prezent në Kuvend, rezultatet nuk ishin të mëdha, e shpesh debatet për çështje të caktuara vazhdonin me orë të tëra, por pa ndonjë rezultat konkret, vetëm duke hedhur akuza tek njëri-tjetri.

Murati: Kuvendi vazhdon të mbetet joefikas

Image
Artan Murati

Se Kuvendi nuk ka arritur të funksionojë në mënyrë të duhur dhe ka pasur vazhdimisht kriza, mendon hulumtuesi nga Instituti Demokratik i Kosovës, Artan Murati, i cili përmend dhe bllokimin e punës së këtij organi, mungesën e numrave e pastaj edhe bojkotin nga opozita.

“Ndonëse numerikisht viti 2018 ka qenë i frytshëm, megjithatë, Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk ka arritur të funksionojë në mënyrë adekuate dhe vazhdimisht është përballur me kriza të ndryshme, kryesisht të natyrës politike. Me fillimin e sesionit vjeshtor të punës së Kuvendit, është intensifikuar edhe bllokimi i punës së organit më të lartë në vend, duke vështirësuar kështu jetën parlamentare në vend. Mungesa e shumicës së numrave nga ana e koalicionit qeveritar mbetet shkaktari kryesor i mos-funksionimit të Kuvendit, bashkë me bojkotin e pjesshëm të punës nga ana e opozitës”, është shprehur ai për “Bota sot”.

Sipas Muratit, Kuvendi vazhdon të mbetet joefikas, ku deputetët në të shumtën e rasteve u janë përgjigjur agjendave politike të subjekteve që u takojnë, e jo halleve të qytetarëve dhe nuk kanë qenë në nivel të detyrës.

“Në këtë situatë, Kuvendi vazhdon të mbetet joefikas. Edhe në rastet kur deputetët kanë qenë prezent në Kuvend, në shumicën e rasteve kanë munguar rezultate konkrete. Deputetët në të shumtën e rasteve u janë përgjigjur agjendave politike të subjekteve që u takojnë, e jo halleve të qytetarëve prej të cilëve kanë fituar mandatin si deputet. Në shumë raste, deputetët e Kuvendit nuk kanë qenë në nivel të detyrës, duke neglizhuar punimet e Kuvendit. Mungesat e shumta të deputetëve, mungesa e kuorumit si dhe mos-pjesëmarrja në votim janë vetëm disa nga anomalitë e shfaqura”, ka vlerësuar Murati.

Madje, ai shprehet se as mbikëqyrja parlamentare nuk është në nivelin e duhur dhe se të tri funksionet e Kuvendit, legjislativ, përfaqësues dhe mbikëqyrës, nuk janë plotësuar si duhet përgjatë punës së deritanishme të legjislaturës së gjashtë.

“Për më tepër, edhe mbikëqyrja parlamentare nuk është në nivelin e duhur, përkundër numrit të konsiderueshëm të interpelancave e raportimeve të ekzekutivit para Kuvendit. Në përgjithësi, të tri funksionet e Kuvendit, legjislativ, përfaqësues dhe mbikëqyrës, nuk janë plotësuar si duhet përgjatë punës së deritanishme të legjislaturës së gjashtë”, ka deklaruar Artan Murati nga KDI për gazetën “Bota sot”.

Tahiri: Kuvendi nuk ishte çdoherë në nivel të detyrës

Image
Ramush Tahiri

Ndërkaq, politologu Ramush Tahiri, duke folur për punën e Kuvendit gjatë vitit 2018, ka thënë për gazetën “Bota sot” se nuk ka qenë vit për t’u lavdëruar, pasi nuk ka arritur të miratojë numrin e nevojshëm të ligjeve dhe të shqyrtojë e të ofrojë zgjidhje për problemet aktuale.

“Puna e Kuvendit të Kosovës gjatë vitit që e lamë, nuk është shumë për të lavdëruar, sepse nuk ishte çdoherë në nivel të detyrës dhe të përgjegjësisë si institucion më i lartë përfaqësues i popullit pasi nuk arriti të miratojë numrin e nevojshëm të ligjeve e sidomos nuk arriti të shqyrtojë çështjet aktuale që e preokuponin shoqërinë kosovare dhe të ofrojë dhe gjejë zgjidhje”, është shprehur ai.

Sipas Tahirit, Kuvendi nuk ka pasur sukses as në prezantimin ndërkombëtar dhe e pati të vështirë të arrinte kuorumin për seancat normale plenare.

“Kuvendi nuk pati shumë sukses në prezantimin ndërkombëtar dhe në bashkëpunimin me Kuvendet dhe me komisionet parlamentare të shteteve me të cilat Kosova ka marrëdhënie diplomatike e as me institucionet përkatëse të Bashkimit Evropian. Kuvendi i Kosovës e kishte të vështirë të arrinte kuorumin për seancë normale plenare”, ka vlerësuar politologu.

Si punë të mirë ai e vlerëson vendimmarrjen e Kuvendit për transformimin e FSK-së në Ushtri, derisa ka shtuar se kjo legjislaturë është më e mirë se ajo e kaluara, e cila kishte vetëm gaz lotsjellës.

“Muajve të fundit ka një organizim më të mirë dhe vendimmarrje historike si janë ligjet për transformimin e FSK-së dhe dhënien e kompetencave operative të karakterit të forcave të armatosura, por edhe ligjet e lëmisë së drejtësisë të nevojshme për luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit. Sidoqoftë, puna e Kuvendit është shumë më e mirë se legjislatura e mëhershme kur gazi lotsjellës ishte bërë metodë e pengesës së mbajtjeve të mbledhjeve dhe sidomos e vendimmarrjes”, ka deklaruar Ramush Tahiri për gazetën “Bota sot”.

Abazi: Mos liberalizimi i vizave, tradhti kombëtare

Image
Haki Abazi

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike në vend, Haki Abazi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se puna e Kuvendit përkufizohet me “tradhtinë” që është bërë për ratifikimin e demarkacionit në mënyrë që të liberalizohen vizat, e që nuk ka ndodhur.

“Puna e Parlamentit të Kosovës për vitin 2018 ka qenë e kornizuar me tradhtinë kombëtare që i ishte bërë popullit dhe vendit duke miratuar demarkacionin me Malin e Zi me premtimin për viza. Të gjithë zyrtarët e lartë të Kosovës, përfshirë edhe kryparlamentarin kanë dhënë premtimin për vizat, përderisa kjo gjë nuk është bërë”, ka thënë ai.

“Arenë e lojërave të pista”

Sipas Abazit, PDK, AAK dhe Nisma janë kukulla të interesave klanore, ndërsa që PSD me votën për dialogun dhe buxhetin, e ka siguruar ngufatjen e shtetit.

“Ky parlament është vend i fatkeqësive, lojërave të pista dhe vend i tuxharëve politikë. Parlamentarët e PDK-së, AAK-së, Nismës janë kukulla të interesave klanore, ndërsa PSD kanë aktruar gjatë gjithë vitit për të votuar në fund për dialogun dhe buxhetin që praktikisht ka siguruar ngufatjen e shtetit të Kosovës”, ka vlerësuar Abazi.

Madje, Kuvendin ai e quan arenë të tradhtive dhe lojërave të pista, duke theksuar se ai po mbahet peng nga Lista Serbe dhe klanet e Thaçit dhe Veselit.

“Parlamenti është bërë arenë e tradhtive dhe lojërave të pista. Kosova nëpërmjet një parlamenti jolegjitim, po mbahet peng edhe nga Lista Srpska dhe Lista e klaneve të Thaçit dhe Veselit. Sikur edhe dy shtyllat tjera, ekzekutivi dhe gjyqësori, edhe parlamenti është kthyer në mekanizëm të kapjes së shtetit dhe me mungesë maksimale të llogaridhënies dhe transparencës”, është shprehur Haki Abazi për “Bota sot”.

Prandaj, ai ka vlerësuar se nuk guxojnë të shkojnë në zgjedhje, pasi janë të humbur dhe janë afër zhdukjes nga politika, duke shtuar se viti 2018 është i dështuar dhe vit i shpenzimeve të kota.

“Një gjë është pozitive që arsyeja pse këta nuk guxojnë të shkojnë në zgjedhje, është se do të jenë të humbur përgjithmonë. Të gjithë së bashku janë në të njëjtin kazan, atë të zhdukjes dhe avullimit nga politika e Kosovës dhe kjo është arsyeja që janë duke mbajtur njëri-tjetrin për aq kohë sa munden. Viti 2018 për Parlamentin, përveç që është i dështuar e mashtrues, gjithashtu është vit i shpenzimeve të kota. Parlamentarët nuk i meritojnë pagat për aq punë sa kanë bërë”, ka deklaruar Abazi.

Shahu: Ushtria suksesi më i madh

Image
Rexhep Shahu

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu, vitin 2018 nuk e ka vlerësuar si vit të arritjeve të mëdha, përpos Ushtrisë, derisa ka thënë se Kuvendi është organi që duhet ta vendos në shinë dialogun me Serbinë, por që nuk po e bën.

“Viti 2018 për Kuvendin e Kosovës si për gjithë Kosovën, mendoj se ka arritje spektakolare si ligjet për krijimin e Ushtrisë së Kosovës. Por, ka edhe spektakle dështimi dhe shakash të mëdha në dëm të Kosovës. Edhe për këtë vit mbetën lajme të bujshme dietat e mëdha e shërbime jashtë vendit me paratë e taksapaguesve. Po për mua, Kuvendi i Kosovës mbetet organi që nuk e vendosë e duhet ta vendosë në shina dialogun për Kosovën me Serbinë. Kuvendi duhet ta vendosë që të mos bisedohet për gjërat që janë arritur me luftë, të mos diskutohet në asnjë rrethanë për elemente të statusit”, ka vlerësuar ai.

Sipas Shahut, Kuvendi edhe pse nuk ka pasur spektakle banale si vitet tjera, nuk e ka treguar nivelin e duhur.

“Kosova është e pavarur, shtet i njohur nga fuqitë e mëdha, multietnik dhe pushtuesi prej të cilit është çliruar nuk ka asnjë të drejtë të kërkojë e udhëzojë bisedime për statusin dhe shtetësinë e Kosovës. Kuvendi i Kosovës duhet të ndalojë cilindo që flet për Kosovën për gjëra të tjera përveçse për detyrimet që i ka Serbia për t'ia shlyer. Edhe këtë vit, Kuvendi i Kosovës nuk ka demonstruar nivelin e duhur, ndonëse nuk pati spektakle banale si vitet e tjera”, ka deklaruar Rexhep Shahu për gazetën “Bota sot”.

Mehemeti: Kuvendi ishte satelit i qeverisë

Image
Faton Mehmeti

Kurse, analisti politik Faton Mehmeti, Kuvendin e ka quajtur cirk të deputetëve, të cilët duan të zhvatin buxhetin e Kosovës, duke shtuar se Kuvendi është bërë satelit i Qeverisë.

“Fatkeqësisht Kuvendi i Kosovës është shndërruar në cirk të deputetëve, të cilët çdo ditë e më tepër legjitimojnë bindjen e qytetarëve se janë shtresa më e ulët e shoqërisë. Njerëz pa fije morali, pa fije shkollë dhe integriteti, që kanë qëllim vetëm të zhvatin vendin dhe buxhetin e saj. Kuvendi nuk ka kryer punën e saj, duke u shndërruar në satelit të qeverisë, me çka edhe ka dështuar debati konstruktiv për punën e qeverisë. Asnjëherë Kuvendi nuk ka qenë objektiv ndaj qeverisë, duke u bërë kështu palë në kapjen e shtetit dhe legjitimim për mos punën e saj”, ka vlerësuar ai.

Sipas Mehmetit, as kryetari i Kuvendit nuk ka mundur të jetë i paanshëm dhe se Kuvendi ka dështuar këtë vit, por ai fajësuar edhe opozitën që nuk ka qenë aq aktive.

“Në këtë rrjedhojë, duhet theksuar edhe paaftësinë e kryetarit të Kuvendit për të qenë i paanshëm në punën e tij, me çka ka sjellë edhe përplasje të forta me opozitën. Një kryetar i Kuvendit duhet të zbatojë rregulloren e punës e jo urdhrat politik të koalicionit qeverisës. Personalisht, mendoj se Kuvendi ka dështuar totalisht, duke mos përgjigjur sinonimin si sallë e debateve demokratike. Gjithashtu, edhe opozita nuk ka qenë aq aktive me sjelljen në Kuvend të rezolutave dhe krijimin e komisioneve hetimore për deputetë që kanë vepra korruptive dhe që nuk arrestohen. Me një fjalë pothuajse të gjithë deputetët kanë pasur qëllim vetëm përfitime ekonomike, pa i interesuar që të mbrojnë interesat e qytetarëve të vendit. Kuvendi gjatë 2018 ka dështuar në tërësi”, është shprehur Faton Mehmeti për gazetën “Bota sot”.

Krasniqi: Viti më i dobët në të gjitha legjislaturat  

Image
Faik Krasniqi

E të dobët për vitin 2018 Kuvendin e ka vlerësuar edhe njohësi i çështjeve politike, Faik Krasniqi, pasi janë miratuar vetëm 30 për qind e ligjeve dhe e gjitha për shkak të mungesës së deputetëve dembelë, siç i ka quajtur ai.

“Puna e Kuvendit gjatë vitit 2018, mund të themi se ka qenë viti më i dobët nga të gjitha legjislaturat. Efikasiteti i Kuvendit ka qenë tepër i zbehtë, ku janë miratuar vetëm 30 për qind e ligjeve. Kjo edhe për shkak të mungesës së deputetëve. Kjo legjislaturë ka deputetët më dembelë dhe më të papërgjegjshëm nga të gjitha legjislaturat e mëparshme”, ka theksuar Krasniqi.

Ai ka veçuar formimin e Ushtrisë, e cila është votuar në Kuvend, por që nuk është sukses i saj, derisa për dështimin e seancave dhe mosmiratimin e ligjeve, Krasniqi ka fajësuar edhe Qeverinë Haradinaj, e cila nuk i kishte numrat për të votuar asgjë, pa ato të opozitës.

“Çfarë ja vlen të përmendet, është votimi i Ushtrisë së Kosovës, por s'mund ta konsiderojmë si sukses të Kuvendit, sepse krijimi i Ushtrisë erdhi si dhuratë nga aleati ynë i përhershëm, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dështimi i seancave për mungesë kuorumi, më shumë edhe për faj të Qeverisë Haradinaj, për shkak të qeverisë së pakicës, e cila nuk është në gjendje të miratojë asnjë ligj pa votat e opozitës”, është shprehur ai.

Prandaj, Krasniqi mendon se dështimi i Kuvendit është arsye që vendi të shkojë në zgjedhje, pasi nuk duhet lejuar deputetët që të marrin paga e mëditje, duke mos qenë në seanca.

“Dështimi i Kuvendit tregon se është domosdoshmëri që vendi të shkojë në zgjedhje, sepse Kosova s'mund të ngelet peng i një Qeverie të pakicës, dhe deputetëve të papërgjegjshëm që Kuvendin dhe pozitën e deputetit e shfrytëzojnë për paga të majme dhe mëditje e beneficione të shumta. Madje mëditjet duke i vjelë pa qenë fare prezent në sallën e Kuvendit kur debatohen dhe votohen ligjet e parapara, por vetëm duke e dhënë nënshkrimin. Është paturpësi e madhe. Prandaj, duhet të krijohet një ligj për deputetët e papërgjegjshëm, si dhe parandalimi i zhvatjes së mëditjeve”, ka përfunduar Faik Krasniqi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat