“Kuvendi i Kosovës vazhdon të jetë joefikas”

Politika

“Kuvendi i Kosovës vazhdon të jetë joefikas”

Nga: G.B Më: 2 janar 2019 Në ora: 17:49
Kuvendi i Kosovës, foto arkvi

Gjatë vitit 2018 shumë seanca të thirrura nuk janë mbajtur në Kuvendin e Kosovës, për shkak të mungesës së kuorumit, ku deputetët nuk kanë marrë pjesë në seanca, e të tjerë kanë dalë pasi janë nënshkruar.

Kështu, shumë ligje kanë mbetur pa u votuar.

Se Kuvendi nuk ka arritur të funksionojë në mënyrë të duhur dhe ka pasur vazhdimisht kriza, mendon hulumtuesi nga Instituti Demokratik i Kosovës, Artan Murati, i cili përmend dhe bllokimin e punës së këtij organi, mungesën e numrave e pastaj edhe bojkotin nga opozita.

Image
Artan Murati

“Ndonëse numerikisht viti 2018 ka qenë i frytshëm, megjithatë, Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk ka arritur të funksionojë në mënyrë adekuate dhe vazhdimisht është përballur me kriza të ndryshme, kryesisht të natyrës politike. Me fillimin e sesionit vjeshtor të punës së Kuvendit, është intensifikuar edhe bllokimi i punës së organit më të lartë në vend, duke vështirësuar kështu jetën parlamentare në vend. Mungesa e shumicës së numrave nga ana e koalicionit qeveritar mbetet shkaktari kryesor i mos-funksionimit të Kuvendit, bashkë me bojkotin e pjesshëm të punës nga ana e opozitës”, është shprehur ai për “Bota sot”.

Sipas Muratit, Kuvendi vazhdon të mbetet joefikas, ku deputetët në të shumtën e rasteve u janë përgjigjur agjendave politike të subjekteve që u takojnë, e jo halleve të qytetarëve dhe nuk kanë qenë në nivel të detyrës.

“Në këtë situatë, Kuvendi vazhdon të mbetet joefikas. Edhe në rastet kur deputetët kanë qenë prezent në Kuvend, në shumicën e rasteve kanë munguar rezultate konkrete. Deputetët në të shumtën e rasteve u janë përgjigjur agjendave politike të subjekteve që u takojnë, e jo halleve të qytetarëve prej të cilëve kanë fituar mandatin si deputet. Në shumë raste, deputetët e Kuvendit nuk kanë qenë në nivel të detyrës, duke neglizhuar punimet e Kuvendit. Mungesat e shumta të deputetëve, mungesa e kuorumit si dhe mos-pjesëmarrja në votim janë vetëm disa nga anomalitë e shfaqura”, ka vlerësuar Murati.

Madje, ai shprehet se as mbikëqyrja parlamentare nuk është në nivelin e duhur dhe se të tri funksionet e Kuvendit, legjislativ, përfaqësues dhe mbikëqyrës, nuk janë plotësuar si duhet përgjatë punës së deritanishme të legjislaturës së gjashtë.

“Për më tepër, edhe mbikëqyrja parlamentare nuk është në nivelin e duhur, përkundër numrit të konsiderueshëm të interpelancave e raportimeve të ekzekutivit para Kuvendit. Në përgjithësi, të tri funksionet e Kuvendit, legjislativ, përfaqësues dhe mbikëqyrës, nuk janë plotësuar si duhet përgjatë punës së deritanishme të legjislaturës së gjashtë”, ka deklaruar Artan Murati nga KDI për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat