“LDK-ja dhe VV-ja nuk duhet të bëhen pjesë e dialogut”

Politika

 “LDK-ja dhe VV-ja nuk duhet të bëhen pjesë e dialogut”

Nga: N.H Më: 3 janar 2019 Në ora: 19:26
Albin Kurti dhe Isa Mustafa

Analisti politik Nexhat Haziri, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se është më se e kuptueshme interesimi i administratës amerikane që edhe LDK-ja ta ketë rolin e vet në procesin final të dialogut.

Image
Nexhat Haziri

“Është më se e kuptueshme interesimi i administratës amerikane që edhe LDK-ja ta ketë rolin e vet në procesin final të dialogut me Serbinë, për shkak të rajtingut politik që ka LDK-ja por edhe të traditës së saj të politikbërjes në shtet-ndërtimin e Kosovës. Ajo që unë vlerësoj është pozicioni i LDK-së, pozicion ky në raport me dialogun me Serbinë, që kërkon platformë të qartë për këtë fazë, gjithpërfshirje dhe dialogun ta udhëheqin institucione me legjitimitet të plotë qytetar dhe konsensuse politik. Këtë legjitimitet nuk e kanë bartësit e institucioneve aktuale, e as më pak presidenti Thaçi për të cilin nuk dihet se çfarë ka biseduar apo edhe çfarë ka nënshkruar me homologun serb Vuçiq në takimet e fshehta të ndonjë marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Haziri.

Sipas tij, dy partitë opozitare nuk duhet pranuar që t’i bashkohen çfarëdo ekipi i ashtuquajtur shtetëror të Kosovës, e që do t’ia bënin “aminin” e marrëveshjeve të dëmshme për Kosovën.

“LDK-ja por edhe VV-ja, nuk duhet pranuar që t’i bashkohen çfarëdo ekipi i ashtuquajtur shtetëror të Kosovës, e që do t’ia bënin “aminin” e marrëveshjeve të dëmshme për Kosovën që po flitet se janë nënshkruar nga presidenti Thaçi. Opozita duhet të jetë e bashkuar dhe e qartë sa i përket formatit të bisedimeve, delegacionit dhe Kosova të përfaqësohet konforme kompetencave kushtetuese që i kanë liderët shtetëror të vendit. Dialogu me Serbinë, sidomos në këtë fazë, nuk duhet të kuptohet si një monopol, apo e drejtë rezervuar ekskluzive për presidentin Thaçi”, ka përfunduar analisti politik, Nexhat Haziri, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat