Gjykata Speciale do të godas bosët e strukturave të krimit

Politika

Gjykata Speciale do të godas bosët e strukturave të krimit

Nga: N.Sh Më: 4 janar 2019 Në ora: 08:47
Tahir Zemaj, Enisi dhe Hasani

Ishte 4 janari i vitit 2003, kur në hyrje të Pejës u vra koloneli Tahir Zemaj së bashku me djalin e tij, Enisin dhe kushëririn, Hasanin.

Kjo ditë, konsiderohet si një nga ditët më të rënda të Kosovës së pasluftës.

Tash e 16 vjet, hetimet për këtë vrasje kanë mbetur të papërfunduara.

Tash e 16 vjet nuk dihet se kush ishin vrasësit e Kolonel Tahir Zemajt, djalit të tij Enisit dhe kushëririt të tij Hasanit.

Vrasja e trefishtë rëndon  mbi ndërgjegjen e institucioneve të drejtësisë së Kosovës.

Tahir Zemaj, njëri ndër komandantët më të mirë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që tmerronte serbët në Betejën e Logjës, u vra në vitet e para të pasluftës, në Kosovën tashmë të çliruar.

Gjashtëmbëdhjetë vjet më parë, kriminelët, i dolën në pritë dhe në mënyrë tinëzare i organizuan atentatin në hyrje të Pejës.

Ngjarja kishte ndodhur në afërsi të Kombinatit të Drurit, ndërsa vrasësit ishin larguar drejt Fabrikës së Birrës. I njohur edhe si njëri ndër dëshmitarët në gjyqin ndaj Grupit të Dukagjinit, koloneli Zemaj kishte arritur t’u shpëtonte edhe dy atentateve të tjera të drejtuara ndaj tij.

Image
Skënder Zogaj

Publicisti Skënder Zogaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se organet e drejtësisë së Kosovës, janë segmenti më i dështuar institucional i shtetit të Kosovës. Sipas tij, vrasja monstruoze e kolonelit Tahir Zemaj, është dëshmi e qartë se, drejtësia është e kapur nga strukturat e krimit të organizuar!

“Ndryshe nuk ka si të shpjegohet fakti se, me mija raste të veprave të rënda kriminale, ndër të cilat mbi 500 vrasje politike, që as pas 20 vitesh në liri nuk janë zbardhur! Ndër to është edhe vrasja monstruoze e kolonelit Tahir Zemaj, që është dëshmi e qartë se, drejtësia kosovare është e kapur nga strukturat e krimit të organizuar! Prandaj, në këtë gjendje, nuk ka zgjidhje! Mbetet të shpresojmë se, Gjykata Speciale do të godas bosët e strukturave të krimit dhe që, të fillojë të funksionojë shteti ligjor! Vetëm atëherë zbardhen krimet dhe dalin në shesh kriminelët”, shprehet Zogaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat