Politika e Kosovës në rrafshin ndërkombëtar gjatë vitit 2018 ka qenë e dështuar.
Kështu ka vlerësuar deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku.
Për gazetën “Bota sot” ajo ka përmendur arsyet për këtë dështim.
“Politika e Kosovës në rrafshin ndërkombëtar në përgjithësi dhe në integrime evropiane në veçanti në vitin 2018, është më tepër se e dështuar, pra, lirisht mund të themi se kemi të bëjmë me regres klasik. Një konstatim i tillë vjen nga një sërë dështimesh, tërheqja e njohjeve, dështimi i anëtarësimit në INTERPOL, dështimi i liberalizimit të vizave dhe debakli në dialogun me Serbinë”, është shprehur ajo.
Ajo tregon faktorët që kanë ndikuar në këto dështime, që e nisë me kuadrin, me të cilin janë ndërtuar institucionet.
“Dështimet në këto drejtime, janë si rezultat i disa faktorëve duke filluar nga kuadri me të cilin janë ndërtuar institucionet që merren me politikën e jashtme, ku vend kyç zënë militantët partiak dhe kuadri profesional e që Kosova ka mjaftueshëm edhe jashtë këtyre institucioneve, pastaj është politika e brendshme klienteliste, ku asgjë nuk është siç do të duhej të ishte dhe kjo ka ndikim në afirmitetin e vendit jashtë. Kemi korrupsion dhe krim të organizuar, të cilët nuk po arrijnë kjo qeveri as t’i mënjanojë e as t’i luftojë, por vetëm t’i thellojë edhe më shumë, prandaj jemi ku jemi”, ka vlerësuar Millaku.
Si kulmin e dështimeve, deputetja e VV-së e ka cilësuar mosliberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, me gjithë premtimet, derisa ka shtuar se kjo qeveri nuk do të sjellë asnjëherë liberalizim.
“Kulmi i dështimeve ishte mosliberalizimi i vizave me gjithë premtimet dhe ratifikimin e Demarkacionit nga ana e qeverisë, prapë se prapë nuk ka liberalizim. Për liberalizimin e vizave ishin vënë dy kushte: lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe liberalizimi i vizave, kjo e fundit ishte kusht vërtetë i rëndë i dhimbshëm dhe i pandershëm, por për çudi u plotësua nga qeveria, por assesi nuk u prek krimi i organizuar dhe korrupsioni me gjithë se ishte kushti bazë i BE-së, pra më lehtë dhanë territor se sa të merreshin me luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsion. Fundja kjo i bie të luftojnë vetveten dhe kjo është jo vetëm e rëndë, por edhe e pamundur për qeverinë tonë. Rezultati, ne jemi pa liberalizim vizash dhe besoj se kjo qeveri nuk do ta sjellë kurrë liberalizimin”, ka deklaruar deputetja Drita Millaku për gazetën “Bota sot”.