Vrasësit e Tahir Zemajt janë në zyra të qeverisë

Politika

Vrasësit e Tahir Zemajt janë në zyra të qeverisë

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 5 janar 2019 Në ora: 11:56
Tahir, Enis dhe Hasan Zemaj

Janari i vitit 2003 nisi si mos më keq, vetëm katër ditë pas shënimit të viti të ri në prit u vra kolonel, Tahir Zemaj, njeriu më i zoti që Kosova kishte në luftën e fundit. I Zoti në sensin e përgatitjes ushtarake, strategjike dhe trimërisë që shfaqi në beteja të ndryshme në luftë me armikun. Vlen të përmendet Beteja e Loxhës për të treguar se çfarë strategu ishte kolonel Zemaj.

Faktikisht është krejtësisht e kuptueshme pse deri më tani nuk është zbardhur se kush e vrau kolonelin së bashku me dy të tjerët, e kuptueshme pasi jetojmë në një shtet të kapur nga ata që vranë kolonelin Zemaj. Jo vetëm kolonel Zemajt, por edhe kolonel Ahmet Krasniqin, pastaj bashkëpunëtorët më të ngushtë të presidentit Rugova, që ishte dhe mbetet edhe sot elita më e mirë që ka pasur Kosova. Me vrasjen e këtyre figurave të ndritura të kombit u pa më së miri se Kosovën po e prisnin ditë të vështira dhe të rënda. Edhe më të dhimbshme vrasjen e kolonel Zemajt e bën fakti se vrasësit e tij, jo që nuk janë arrestuar, por edhe janë në krye të shteti me plot dëngla ndaj vetes, duke i mveshur vetes edhe epitete të “çlirimtarit”. Ndër pyetjet më të shpeshta që njeriu mund të bëj në raste të tilla janë:

Pse e vranë kolonel Zemajn, çfarë përfituan vrasësit dhe porositësit e kësaj vrasje, etj?. Kolonel Zemaj është vrarë nga ata që në luftë mbetën inferior karshi zotësisë dhe profesionalizmit të tij, duke ditur këto gjëra nuk kishin fytyrë që para popullit të flisnin për trimëri, derisa kolonel Zemaj ishte gjallë dhe iu nxirrte të vërtetën. Pra, me vrasjen e kolonel Zemajt sikur eliminuan të vërtetën, e cila i trembë “ çlirimtarët”.

Megjithatë gabuan shumë, pasi e vërteta nuk fshihet dot, ka mjaft dokumentar dhe dëshmi se çfarë beteja bëri kolonel Zemaj, e çfarë këta që e vranë. Ndonëse nuk thuhet publikisht të gjitha rrugët qojnë tek kulla e Gllogjanit, aty ku mund të jetë fshehur e vërteta, dhe për të cilën shpresoj se s`do mbetet shumë kohë pa dalë në shesh. Përfitimi për ata që vranë kolonelin mund të rezultojë me shlyerje të ndonjë dënimi, marrje tenderë dhe pasurim pa djersë, kur dihet se vendi po udhëhiqet nga nëntoka, me bandat në pushtet që kontrollojnë kazinot dhe naftën në vend. Sikur të ishte gjallë ende kolonel Zemaj dikush edhe s`do mund të ishe kryeministër, e dikush s`do kontrollonte kazinot në Dukagjin e Prishtinë, andaj edhe u cilësua “i rrezikshëm” . Por populli thotë se gjaku nuk humbet kurrë, shpresë që na mban ende të besojmë se kjo do të ndodhë. Për më tepër që nga mesi i këtij muaji edhe Gjykata Speciale po fillon të merret më seriozisht me vrasjet e pasluftës.

Në mesin e shumë vrasjeve që kanë mbetur për tu zbardhur, padyshim  është edhe ajo e kolonelit, heroit të Kosovës Tahir Zemaj, i cili nuk do të prehet i qetë derisa vrasësit e tij ende janë në liri. Dua të besoj se vrasësit e tij s`do jenë edhe shumë kohë të lire, dhe aspak s`do habitem nëse për vrasjen e tij dorasit dhe urdhërdhënësit e tij do të dalin njerëz me pozita shumë të larta aktualisht, duke përfshirë edhe nga vet kryeministria. Me zbardhjen e vrasjes së kolonel Tahir Zemajt, Kosova do të filloj rrugën e pastrimi nga e keqja, e cila e ka mbërthyer vendin që nga paslufta, respektivisht që nga vdekja e presidenti Rugova.  Ata që sot janë në pushtet dinë shumë për vrasjet e pasluftës, mbetëm vetëm çështje kohe derisa e vërteta të zbardhet, dhe përfundimisht Heroi Tahir Zemaj të prehet i qetë në token Dardane.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat