Sa ndikon udhëheqja e BE-së nga Rumania për heqjen e vizave për Kosovën? Tregon Daku

Politika

Sa ndikon udhëheqja e BE-së nga Rumania për heqjen e vizave për Kosovën? Tregon Daku

Nga: G.B Më: 7 janar 2019 Në ora: 20:37
Foto ilustruese

Kosova vazhdon të jetë vend i izoluar, ku qytetarët nuk e kanë mundësinë e lëvizjes së lirë në zonën Schengen.

Derisa viti 2018 ishte premtuar si viti që do të hiqeshin vizat, një gjë e tillë nuk ndodhi.

Se sa mund të bëhet kjo në vitin 2019, drejtori i Qendrës Kosovare për Diplomaci, Selim Daku, ka thënë për gazetën “Bota sot” se liberalizimi është i lidhur me procedura dhe jo më dëshira.

Image
Selim Daku

“Liberalizimi i vizave për Kosovën sipas gjykimit tim nuk është më çështje vullneti e dëshirash. Ai është çështje procedurash! Pa i kaluar të gjitha procedurat që përfshijnë vendimmarrje dhe dialog nëpër organe nuk mund të kemi vendim për liberalizim. Nuk ka dhe nuk do të ketë kapërcim të hallkave vendimmarrëse brenda BE-së”, është shprehur ai.

Sipas Dakut, vonesat për liberalizimin e vizave mund të jenë të natyrës teknike, por institucionet e Kosovës nuk duhet të ndalen, duhet të angazhohen që kjo të ndodhë sa më shpejt.

“Vullneti për të shtyrë tutje agjendën për liberalizimin e vizave për Kosovën është çështje politike dhe si e tillë është e ndikuar nga rrethanat dhe zhvillimet në politikën ndërkombëtare. Vonesat për liberalizim të vizave për Kosovën mund të jenë të natyrës teknike, pasi Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet e nevojshme për të lëvizur pa viza ne zonën Schengen. Kjo nuk do të thotë se institucionet tona duhet të e marrin këtë fakt si të mirëqenë, ato përkundrazi, duhet të angazhohen maksimalisht që kjo të ndodhë në periudhe sa më të shpejtë kohore”, ka vlerësuar ai.

Sa i përket udhëheqjes së BE-së që do ta ketë Rumania për gjashtë muaj, Daku thotë se ai shtet do të harmonizojë qëndrimet e të gjitha shteteve, derisa nën këtë udhëheqje dhe atë të Finlandës e Kroacisë, nuk do të ketë ndryshime të mëdha.

“Rumania nuk do të zhvillojë aktivitet politik vetëm si subjekt shtetëror në udhëheqjen e presidencës së BE-së. Aty do të harmonizohen politikat dhe qëndrimet e të gjitha shteteve të BE-së. Bazuar në agjendën strategjike 18 mujore të presidencës së Rumanisë, Finlandës dhe Kroacisë nuk vërejmë ndryshime të mëdha në qasjen e këtyre shteteve në raport me problemet që Evropa ballafaqohet. Prandaj, konsideroj që edhe Presidenca e Rumanisë do të jetë e zakonshme dhe nuk do të përbëjë problem për Kosovën nëse Kosova ka përkrahjen e shteteve si Gjermania dhe Franca dhe organeve të nevojshme të BE-së”, ka deklaruar drejtori i Qendrës Kosovare për Diplomaci.

Ndërsa, për mosliberalizimin e vizave deri tani, Daku thotë se fajtore janë institucionet e Kosovës, që është dashur të punojnë për liberalizim para vitit 2018.

“Edhe pse pa fajin e tyre, fajtorë mbeten institucionet tona. Ato të cilat është dashur që të punojnë në plotësimin e kritereve për liberalizimin shumë vite para vitit 2018”, ka përfunduar Selim Daku për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat