Pse Kosova nuk përfshiu në delegacion edhe një përfaqësues të Kosovës Lindore?

Politika

Pse Kosova nuk përfshiu në delegacion edhe një përfaqësues të Kosovës Lindore?

Nga: A.M. Më: 9 janar 2019 Në ora: 20:36
Takimi ne Bruksel

Kërkesa për përfshirjen e çështjes së Kosovës Lindore në dialog nga  përfaqësuesit e Luginës së Preshevës, po shihet si vështirë e realizuar, pasi që një gjë e tillë do të duhej që nga fillimi i dialogut të Kosovës me Serbisë.

Analisti politik nga Kosova Lindore, Nehat Hyseni këtë kërkesë e ka quajtur të arsyeshme dhe një  gjë e tillë do të duhej që të bëhej më parë.

“Kjo kërkesë është e arsyeshme dhe një kërkese e tillë, realisht, është dashur të dërgohet shumë më herët, mbase qysh në bisedimet e Vjenës gjatë viteve 2005-2006, e sidomos gjatë vitit 2011, kur filloi i ashtuquajturi Dialogu i Brukselit, midis kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiqit nga Serbia, me ndërmjetësimin e Komisioneres së lartë të BE, Baroneshës Catherine Ashton”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Po ashtu, ai është shprehur se sikur të ishte përfshirë asokohe Kosova Lindore, Dialogu i Brukselit me siguri nuk do të dështonte, pasi që sipas tij në këtë mënyrë do të sigurohej një balancë dhe simetri midis problemeve të shqiptarëve në Serbi me problemet reale të serbëve në Kosovë.

Image
Nehat Hyseni

“Përkundrazi, përfshirja e përfaqësuesve të shqiptareve të Luginës së Preshevës në atë dialog, do të ishte garancë e fuqishme për suksesin e tij. Pse? Sepse në këtë mënyrë do të sigurohej një balancë dhe simetri midis problemeve të shqiptarëve në Serbi me problemet reale të serbëve në Kosovë. Gjithashtu, kërkesat maksimaliste e megalomane, madje edhe absurde të serbëve të Kosovës do të relativizoheshin dhe neutralizoheshin me kërkesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, që do t’i mundësonte palës kosovare një lehtësim radikal dhe një komoditetnegociues, duke kërkuar reciprocitet dhe kushtëzim të plotë për të drejtat e serbëve të Kosovës me shqiptarët e Luginës. Në këtë mënyrë, bota demokratike do të na kuptonte më mirë dhe miqtë tanë do na mbështesnin më fuqishëm, kurse Serbia dhe Rusia, së bashku me mbështetësit e tyre, Kinën, Indinë dhe një mori shtetesh të Botës së Tretë në mbledhjet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, do të ishin më të “arsyeshëm”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Ai mendon se presidenti Thaçi ka pasur mundësi  që edhe gjatë kohës kur ishte kryeministër dhe kryenegociator të parashihte bashkimin e  Preshevës, Bujanovcit, Medvegjes me Kosovën.

“Mjerisht, presidenti Thaçi, si përmbyllje të fazës finale të dialogut ka parapare edhe bashkimin e Preshevës, Bujanovcit, Medvegjes me Kosovën, por asnjëherë më parë, edhe pse ka pasur mundësi si kryeministër dhe kryenegociator i palës kosovare në Bruksel, për arsye të pakuptueshme, ai nuk e ka bërë një gjë tillë”, ka theksuar për “Bota sot”.

Po ashtu, ai e sheh të vështirë  përfshirjen e çështjes së Kosovës Lindore në dialog, pasi që sipas tij,  goxha larg kanë shkuar punët në avancimin për ndarjen e Kosovës.

“A ka në plan BE dhe ekipi negociator i Kosovës që t`i përgjigjen pozitivisht kësaj kërkese të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, tani është vështirë të pritet një gjë e tillë për faktin se goxha larg kanë shkuar punët në avancimin e idesë serbe të Daçiqit e Vuçiqit për “shkëmbim territoresh” apo për “përkufizim etnik”, dmth për ndarjen e Kosovës. Kurse, ideja e Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçit për bashkimin me Kosovën, realisht paraqet vetëm anën tjetër të medales së propozimit të Serbisë për bashkimin e katër komunave me shumicë serbe në veriun e Kosovës”, ka përfunduar Hyseni për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat