“Rritja e numrit të këshilltarëve tragjedi, qytetarët nuk janë të vetëdijshëm për dëmin”

Politika

“Rritja e numrit të këshilltarëve tragjedi, qytetarët nuk janë të vetëdijshëm për dëmin”

Nga: G.B Më: 10 janar 2019 Në ora: 19:59
Qeveria e Kosovës, foto arkiv

Numri i këshilltarëve të kryeministrit dhe zëvendëskryeministrave është rritur.

Tani kryeministri Ramush Haradinaj do të ketë 24 këshilltarë politikë, ndërsa zëvendëskryeministrat do të kenë deri në 11 të tillë.

Lidhur me këtë dhe ndikimin që ka rritja e numrit të këshilltarëve në buxhetin e shtetit, njohësi i çështjeve politike në vend, Blerim Burjani, ka thënë për gazetën “Bota sot” se kjo është tragjike dhe e turpshme, ku ata duhet të paguhen nga qytetarët.

Image
Blerim Burjani

“Kjo është tragjike kur të merren parasysh se administrata shtetërore duhet të jetë shumë më e vogël dhe më efikase për të ruajtur buxhetin e padhembshëm të qytetarëve pra edhe shërbimi civil duhet të reduktohet në kërkesat që janë bërë që një kohë të gjatë nga BE për administratën e lëre për politikën, kjo është e turpshme që 80 zëvendësministra, 23 ministra e gati 90 këshilltarë të zhvatin paranë publike e mjekët, minatorët e arsimtarët të mos kenë mundësinë e një rritje të ndjeshme së paku të pagës mujore”, është shprehur ai.

Sipas Burjanit, tragjedi tjetër është se qytetarët nuk janë të vetëdijshëm për dëmet që ua bën kjo klasë politike.

“Tragjedia më e madhe është se qytetarët nuk janë të vetëdijshëm për dëmet që ua bën kjo klasë politike që keqpërdor votën e qytetarëve dhe jeton si pakurrizor nga qytetarët. Këto para kjo qeveri i quan para të huaja e jo të popullit. Mungesa e vetëdijes tek elektorati po ndikon jashtëzakonisht që të rritet plaçka e pasurive dhe parasë publike pa dhimbje, para e popullit për kategori njerëzish quhet e "huaj””, ka vlerësuar Burjani.

Ai thotë se duhet të bëhet reformë institucionale sa më shpejt dhe qeveria të shkojë sa më parë.

“Një reformë të plotë institucionale që bëhet shumë shpejt se dihen defektet dhe problemet nuk ka shtet të mirëfilltë dhe të përgjegjshëm për para publike. Paraja publike është e huaj sipas kësaj qeverie dhe këtyre njerëzve të papërgjegjshëm që kanë bërë edhe lloj-lloj koordinatorësh  pa kuptim për të harxhuar paranë publike deri në palcë. Kjo qeveri duhet të shkojë sa më parë nga pushteti për të mos plaçkitur më tutje paranë publike përmes këtyre njerëzve. Buxheti i qytetarëve po mban kategori sociale të këtij lloji me vite të tëra,  e së paku prej 2008 e deri më sot. Kosova duhet të ketë vetëm 9 ministra, 9 zëvendësministra dhe diku 20 këshilltarë politike më së shumti”, ka deklaruar Blerim Burjani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat