Thaçi e ka ditur me saktësi se shokët e tij do të arrestohen nga Gjykata Speciale

Politika

Thaçi e ka ditur me saktësi se shokët e tij do të arrestohen nga Gjykata Speciale

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 12 janar 2019 Në ora: 10:48
Hashim Thaçi

“LDK-ja, për aq sa di unë, asnjëherë, nuk ka bërë asnjëherë dosje, as akuza, për asnjë person në Kosovë. Akuzat dhe shpifjet e tilla për LDK-në i bëjnë vetëm  eksponentët e krimit, askush tjetër. Shkaktarë për krijimin e Gjykatës Speciale janë drejtpërdrejt ata që kanë kryer krime, askush tjetër”, thotë ish deputeti Adem Salihaj për gazetën “Bota sot”.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka thënë se Gjykata Speciale po shërbehet me dosje të përpiluara nga LDK-ja.

Mirëpo, nëse kthehemi në të kaluarën, kujtojmë se ishtë vet Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në atë kohë kryeministër, ai i cili nuk la “gurë pa lëvizur” derisa u votua në Kuvendin e Kosovës, ligji për Gjykatën Speciale.

Presioni i Thaçit për votimin e Gjykatës Speciale

Hashim Thaçi me presionin e tij, ndaj deputetëve të partisë së tij, dhe partive tjera ka bërë që Gjykata Speciale të votohet nga Kuvendi i Kosovës, pas dështimit të votimit në herën e parë.

Përveç kësaj, kemi edhe vet komandantë dhe luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët kanë bërë shpeshherë akuza të ndërsjella për të bëmat e tyre gjatë luftës.

Megjithatë, nuk është LDK-ja që ka përpiluar dosje të tilla, por, edhe po të ishte bërë do të ishte e arsyeshme, pasi shumë veprimtarë të kësaj partie, gjatë dhe pas luftës në Kosovë, janë vrarë pikërisht nga grupet mafioze, vrasje këto të cilësuara si politike, e që disa prej tyre do të zbardhen nga Gjykata Speciale, pasi gjykatat tona, nuk e kanë filluar kurrë një hap të tillë.

Thaçi i akuzuar e komandantët e UÇK-së të dënuar!

“Kamishi” duhet ta dinë edhe një fakt se, vet presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, akuzohet për vrasje, kemi akuza të tilla edhe për shumë komandantë të UÇK-së.

Edhe për më keq, kemi komandantë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që pasluftës janë dënuar nga gjykatat e Kosovës për krime të ndryshme, e që normalisht këto akuza që janë bërë që gati 20 vite pas luftës, do të hetohen nga Gjykata Speciale.

Thaçi e ka dituar se do arrestohen shokët e tij

Image
Adem Salihaj

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga LDK-ja, Adem Salihaj thotë LDK-ja nuk ka bërë dosje e as akuza, ndërsa akuzat ndaj LDK-së, thotë se i bëjnë “eksponentët e krimit”.

Sipas tij, ata që kanë kryer krime janë shkaktarë për krijimin e Gjykatës Speciale.

“LDK-ja, për aq sa di unë, asnjëherë, nuk ka bërë asnjëherë dosje, as akuza, për asnjë person në Kosovë. Akuzat dhe shpifjet e tilla për LDK-në i bëjnë vetëm  eksponentët e krimit, askush tjetër. Shkaktarë për krijimin e Gjykatës Speciale janë drejtpërdrejt ata që kanë kryer krime, askush tjetër”, thotë Salihaj për gazetën “Bota sot”.

Salihaj pohon se, Thaçi është insistuesi më i madh për votimin e Speciales, ndërsa shton se, shokët e tij, nuk kanë pse të akuzojnë LDK-në, pasi Thaçi e ka ditur se ata do të arrestohen.

“Madje, vetë Thaçi ka qenë insistuesi më i madh për votimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Kuptohet, atij i patën thënë se ai vetë, për momentin, nuk është në listën për arrestim. Por, i kanë thënë se nuk është për momentin, por jo përgjithmonë. Tash, shokët e Thaçit nuk kanë pse e akuzojnë LDK-në, sepse Thaçi e ka ditur me saktësi se ata do të arrestohen nga Gjykata Speciale dhe ai është pajtuar me këtë fakt. Madje e ka përkrahur me krejt forcën e tij”, potencon tutje ish-deputeti.

Kur po afrohet arrestimi i tyre ata po akuzojnë

Ai shton se, janë vrarë shumë veprimtarë të LDK-së, të cilët kanë luftuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

“Siç dihet, gjatë luftës dhe pas saj, janë arrestuar, janë torturuar dhe janë vrarë shumë veprimtarë të LDK-së, të cilët kanë qenë patriotë dhe kanë luftuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Këto janë fakte publike, sepse shumë prej atyre që kanë shpëtuar gjallë, e kanë dëshmuar këtë. Madje, sa i përket LDK-së, ajo ka bërë ndonjë akuzë publike, por s'ka bërë asnjë akuzë serioze e as nuk ka bërë asgjë për arrestimin e vrasësve të veprimtarëve të saj”, deklaron Salihaj.

Salihaj thekson se, ata që e kanë votuar Gjykatën Speciale e që po afron arrestimi i tyre nuk kanë të drejtë të akuzojnë dikë tjetër.

“Siç, dihet publikisht, të gjithë deputetët e PDK-së, e kanë votuar dhe shumica kanë qenë këmbëngulës për formimin e Gjykatës Speciale. Ata, sot, kur po afrohet arrestimi i tyre, nuk e kanë asnjë të drejtë ta akuzojnë dikë tjetër. Në fund të fundit, Gjykata Speciale është gjykatë e Kosovës dhe do të ishte pozitive nëse do ta pastronte atë, së paku nga një pjesë e kriminelëve, të cilët i kanë vrarë veprimtarët më të devotshëm të Kosovës”, përfundon ish-deputeti Adem Salihaj.

Haxhiu të dal me argumente kundër LDK-së

Image
Faik Krasniqi

Politologu, Faik Krasniqi, thotë se, Gjykata Speciale nuk është formuar me dosje të asnjë partie politike apo individi, ndërsa shton se, Bekim Haxhiu nëse ka fakte duhet të dalë me argumente për LDK-së.

“Gjykata Speciale nuk është themeluar me dosje të përpiluara nga ndonjë parti apo individë të caktuar, sepse ato dosje mund të jenë të rrejshme dhe krijimi i kësaj Gjykate do të dilte një blof. Por Bekim Haxhiu duhet të thotë diçka. Nëse është e vërtetë pse nuk del me argumente që LDK-ja ka deponuar dosje në Gjykatën Speciale. Prandaj nuk bën të merren parasysh deklaratat e tij. Kam një pyetje për z. Haxhiu. Pse ai dhe bashkëpartiakët e tij e votuan Gjykatën Speciale?”, thekson Krasniqi për gazetën “Bota sot”.

Ai pohon se, këtë Gjykatë nuk do ta votonte po të ishte deputetë, pasi është një etnike.

“Unë po të isha deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk do ta votoja këtë Gjykate Speciale. Pse s'do ta votoja? Sepse kjo Gjykate është një etnike dhe do t'i gjykojë vetëm krimet e supozuara te UÇK-së ndaj serbëve dhe minoriteteve tjera, por jo edhe krimet e masakrat serbe ndaj shqiptarëve. Do ta votoja një Gjykate që do themelohej për t'i hetuar dhe gjykuar të gjitha krimet e bëra gjatë luftës së fundit në Kosovë, e ata që kanë kryer krime ndaj shqiptarëve janë serbët”, përfundon ai.

Të dënohen ata që kryen vepra të dënueshme!

Image
Leon Duhanaj

Kurse, analisti politik Leon Duhanaj, thekson se, skena politike e Kosovës është e përmbushur me politikan të paaftë, të papërgjegjshëm për ta matur vërtetë përformancën e tyre si politikan përderisa shërbehen me akuza dhe kundërakuza, duke ndikuar në zhvendosjen e vëmendjes së opinionit publik nga problemet reale që e preokupojnë në jetën e përditshme.

“Në vend të kësaj, qytetarët ngarkohen me gjëra të kota, të cilat përpos traumave dhe stresit nuk i shërbejnë kujt për asgjë. Një gjë duhet ta kemi të çartë të gjithë. Askush, askujt nuk mund t'i mvesh diçka të paqenë. Nëse vërtetë dikush ka bërë vepra të dënueshme, atëherë duhet të dënohet dhe drejtësia duhet të vijë në vend. Asnjë njeri, nuk ka nevojë  të shqetësohet nëse ka argumente për ta mbrojtur dhe dëshmuar pafajësinë e tij. Këndej, është totalisht irelevante nga kush është i akuzuar, i pafajshmi është i pafajshëm, përderisa krimineli është kriminel. Populli i Kosovës, duhet të ketë qartësi rreth kësaj teme. Sepse nuk është njerëzore që një shoqëri e tërë të qëndroj nën akuza edhe përkundër faktit që në luftë ishte viktimë”, thekson Duhanaj për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat