Thaçi injoron kërkesën e Ahmetit dhe Limajt: Analisti politik tregon qëllimin e presidentit

Politika

Thaçi injoron kërkesën e Ahmetit dhe Limajt: Analisti politik tregon qëllimin e presidentit

Nga: N.H Më: 12 janar 2019 Në ora: 22:12
Shpend Ahmeti, Hashim Thaçi dhe Fatmir Limaj

Delegacioni shtetëror i Kosovës për dialogun me Serbinë ka ditë që i ka dërguar kërkesë presidentit për marrjen e dokumentacionit lidhur me këtë çështje. Këtë e ka bërë të ditur njëri nga dy kryesuesit e ekipit.

Mirëpo, përkundër afatit që bashkëkryesuesi i delegacionit Shpend Ahmeti i kishte dhënë afat deri të premten presidentit Hashim Thaçi për dorëzimin e dokumentacionit për dialogun, Thaçi e ka injoruar kërkesën e tij.

Ekipi Shtetëror në bisedime me Serbinë, që përbëhet prej 8 vetash, ende s’ka pranuar dokumente që posedon presidenti Hashim Thaçi

Analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Leon Duhanaj, për gazetën “Bota sot”, ka thënë se si çdo gjë, edhe për ketë çështje të rëndësishme, është fjetur dhe, në vend që të krijohet një unitet kombëtar rreth një platforme të përbashkët, po vazhdohet të ketë përçarje.

“Çështja e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, tashmë është futur në fazën finale. Nuk është që nuk ka qenë i njohur intervali kohorë për politikën e Kosovës. Por, si çdoherë, si çdo gjë, edhe kjo çështje e rëndësishme, është fjetur dhe, në vend që të krijojmë një unitet kombëtarë rreth një platforme të përbashkët, ne vazhdojmë të kemi të përçarë, pa ide dhe vizion për të ardhmen tonë. Ketë situatë, për fat të keq e kanë shfrytëzuar çarqet pansllaviste përkatësisht Serbia, që të pozicionoj vetën si faktorë i rëndësishëm në zgjidhjen e problemit të Kosovës. Për fat të keq, rikthimi i Serbisë në Kosovë na ndodhur pikërisht për shkak të papërgjegjësisë sonë politike e kombëtare”, ka thënë Duhanaj.

Me tej, ai potencon se presidenti Thaçi ka vënë në pikëpyetje të gjithë të arriturat e Kosovës dhe krejt kjo, sipas tij, po bëhet për shkak të ambicieve të kreut të shtetit.

Image
Leon Duhanaj

“Si protagonist kryesorë në gjithë ketë skenarë, e kemi Presidentin e vendit, i cili është lëshuar në ambicie protagonizmit, që me gjasë do të dalin të dëmshme për Kosovën. Ai promovon shkëmbim territoresh me Serbinë, duke anashkaluar faktin se në ketë rast bëhet fjalë vetëm për territore shqiptare në të dyja anët dhe nuk mund ta quajmë shkëmbim por ndarje të Kosovës. Presidenti i vendit, ka vënë në pikëpyetje gjithë të arriturat e Kosovës, duke filluar nga Kushtetuta e 74-ës, nga Rambuje, Vjena dhe deri tek GJND. Krejt kjo bëhet me qëllim kinse të bashkimit kombëtarë, i cili edhe ashtu s’ka alternativë. Por që në një moment me të mirë kishte me qenë shumë ma kuptimplotë. Për fat të keq, Thaçi, me protagonizmin e tij, po synon t'i siguroj vetës një vend në histori si baba i bashkimit kombëtarë. Por, kam frikë që me ketë qasje vetjake po shkon drejt babës së tjetërsimit të trojeve shqiptare”, ka potencuar ai.

Në fund, ai nënvizon se hezitimi për t'ia ofruar informacionet e duhura dyshes Limaj dhe Ahmeti po bëhet që t'i mbaj sa më larg, në mënyrë që ta shtyjë përpara agjendën e tij.

“Në ketë kontekst, sigurisht që hynë edhe hezitimi për t'ia ofruar informacionet e duhura të përzgjedhurve për nga Parlamenti për ketë proces, përkatësisht bashkëkryesuesve Ahmeti dhe Limaj. Presidenti, po mundohet t'i mbaj sa më larg, në mënyrë që ta shtyjë përpara agjendën e tij. Për ketë, pa faj nuk janë as këta tjerët që në opinion e kritikojnë, përderisa nuk janë të gatshëm të ndërmarrin asnjë hap për ta ndalur”, ka përfunduar analisti politik, Leon Duhanaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat