Avdyli: Thaçi vuan për protagonizëm

Politika

Avdyli: Thaçi vuan për protagonizëm

Nga: N.H Më: 14 janar 2019 Në ora: 07:49
Haxhi Avdyli

Delegacioni shtetëror i Kosovës për dialogun me Serbinë javën e kaluar i ka dërguar kërkesë presidentit Hashim Thaçi për marrjen e dokumentacionit lidhur me procesin e dialogut.

Por, përkundër afatit që bashkëkryesuesi i delegacionit Shpend Ahmeti i kishte dhënë kreut të shtetit për dorëzimin e dokumentacionit për dialogun, Thaçi deri më tani e ka injoruar një kërkesë të tillë.

Opozita po konsideron se mosdorëzimi i dokumentacionit të kërkuar nga ana e ekipit negociator, tregon se presidenti i vendit, Hashim Thaçi edhe me tej vuan për protagonizëm.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haxhi Avdyli, në një bisedë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se mosdorëzimi i dokumentacionit nga ana e kreut të shtetit, tregon se presidenti Thaçi vuan për protagonizëm.

Sipas Avdylit, ky fakt gjithashtu tregon se sa ishte vendim i drejtë i opozitës për të mos u bërë pjesë e lojës së Thaçit.

“Kjo flet mjaft sesa Hashim Thaçi vuan nga protagonizmi ekstrem, dhe sa e injoron edhe ekipin e tij mbështetës duke mos dorëzuar as dokumentacionin e as duke i informuar për pazaret që ka kryer me Vuçiqin. Ky fakt tregon se sa ishte vendim i drejtë i opozitës për të mos u bërë pjesë e lojës së Hashim Thaçit me korrigjim të kufijve”, ka thënë Avdyli i LDK-së.

Me tej, ai thotë se presidenti Thaçi assesi nuk duhet të jetë kryenegociator i këtij procesi, mirëpo, siç deklaron deputeti i LDK-së, një gjë të tillë duhet ta bëjë kryeministri i vendit.

“Kjo vërteton se ky njeri ndalet, jo duke u bërë pjesë e një trupe mbështetëse, por duke ia ndaluar çdo tentativë që ai të hynë në pazare me Vuçiqin. Edhe ashtu me kushtetutë, dialogun mund ta udhëheq kryeministri dhe mund të formojë trupa mbështetës nga Kuvendi, e assesi Presidenti të jetë kryenogiaciator”, ka thënë me tej ai.

Në fund, Avdyli nënvizon se fajtor në ketë rast është edhe kryeministri Haradinaj që nuk ka ndërmarr asnjë veprim për ta ndalur kreun e shtetit nga nisma e tij për korrigjim të kufijve.

“Prandaj, këtu hipokriti mbetet Ramush Haradinaj që shitet sikur është kundër dialogut të korrigjimit të kufijve e asnjë potez legal e politik nuk e ka bërë për ta ndalur Thaçin, por përkundrazi e ka përforcuar me një trup formale mbështetëse pa kompetenca. Ai s`pat guxim as me rezolutë, e as me pjesëmarrje në dialog, por vetëm me deklarata formale koti nëpër media sa për tu hedhur hi syve të opinionit”, ka thënë në fund për gazetën “Bota sot” deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat