Shahu: LDK është makina më e madhe elektorale

Politika

Shahu: LDK është makina më e madhe elektorale

Nga: G.B Më: 15 janar 2019 Në ora: 23:48
Rexhep Shahu

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka reaguar pas deklaratës së liderit të LDK-së se Qeveria duhet të shkojë në shtëpi. Veseli ka porositur LDK-në që të mos i fërkojë duart.

Veseli është përgjigjur se LDK asnjëherë nuk i pranon zgjedhjet kur nuk fiton.

Ndërsa, kryetari Mustafa i është kundërpërgjigjur Veselit, duke i thënë se po flet me logjikën e SHIK-ut.

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu, ka thënë se PDK dhe Veseli bëjnë sfida duke besuar se LDK nuk është zgjuar, por që Shahu beson se LDK është makina më e madhe elektorale por që nuk funksionin si e tërë.

“PDK dhe KadriVeseli të lodhur me pushtet, të tejngopur bëjnë edhe sfida sepse ata besojnë se LDK ende nuk është zgjuar. Unë besoj se LDK është makina më e madhe elektorale por ajo nuk funksionon si e tërë. Nuk ndizet dhe nuk punon mirë. Zgjedhjet në Kosovë unë kam besuar gjithmonë se nuk i fiton PDK por i humbet LDK, sepse në LDK nuk është më fuqia e të parit si autoritet i pakundërshtueshëm ose lehtëkundërshtueshëm. Në LDK shumëkujt i ka hy vetja në qejf dhe matet pa vota me të gjithë. LDK si organizëm perfekt i dikurshëm zbehu ose la menjanë autoritetet e veta morale tek të cilët elektorati kishte besim më shumë se tek 100 kuadro të rinj të LDK”, ka vlerësuar Shahu.

Sipas tij, çështja është se a është e gatshme LDK-ja t’i fitojë zgjedhjet, pasi PDK pavarësisht të gjithave, shfaqen entuziastë për të shkuar në zgjedhje.

“Nuk shtrohet çështja sot a është e gatshme LDK të hyje në zgjedhje, a ka frikë të hyjë e të përballet në zgjedhje me PDK-në, por shtrohet çështja a është e gatshme t’i fitojë zgjedhjet. PDK edhe përkundër një konsumi agresiv nga pushteti, edhe përkundër asaj që shumë liderë të saj ende kërcënojnë me uniformën e UÇK-së, ato shfaqen me entuziaste për të hyrë në zgjedhje e për të fituar”, është shprehur me tej.

Shahu nuk beson se mund të ketë së shpejti zgjedhje, derisa shpreson që ata që janë në pushtet që 20 vjet, të shkojnë në shtëpi.

“Shpresoj se ata që ishin drejtues para 20 vitesh, të shkojnë në shtëpi pasi e bëjnë shumë të vjetër Kosovën. Unë nuk besoj se mund të hyjë shpejt Kosova në zgjedhje, ndonëse zgjedhjet nuk përjetohen si tragjedi siç përjetohen në Shqipëri, por zgjedhjet do të bëhen në kohën e tyre ligjore”, ka deklaruar Rexhep Shahu për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat