“Thaçi, fati më fatkeq i Kosovës kur të vendoset për çështjen finale të dialogut Kosovë-Serbi”

Politika

“Thaçi, fati më fatkeq i Kosovës kur të vendoset për çështjen finale të dialogut Kosovë-Serbi”

Nga: Drilon Rrahmani Më: 16 janar 2019 Në ora: 11:23
Hashim Thaçi

“Shko Hashim”, ia ka vënë titullin lideri i Vetëvendosjes, një statusi dedikuar Presidentit Hashim Thaçi.

Kurti i bën thirrje Thaçit të vetë-dorëzohet në Gjykatën Speciale, ndërsa shkrimi i tij ka nxitur shumë reagime.

Kurti i kërkoi Thaçit që të shkojë në Hagë, në Gjykatën, që sipas tij e ka krijuar vetë Presidenti. Sipas liderit të VV-së, nuk mund të shkojnë luftëtarët e tjerë në një institucion të krijuar me vota të deputetëve.

“Sepse, si po e mendon këtë punë Hashim? Dhjetëra luftëtarë e pjesëtarë të UÇK-së, Sylejman Selimi, Sami Lushtaku, Rrustem Mustafa e deri te Sokol Dobruna, Kadri Veseli e Xhavit Haliti të shkojnë në Hagë, kurse ti në Prishtinë të jesh president me Baton Haxhiun?! Shko ti në vend të të gjithë atyre Hashim. Shko në Hagë. Për ata. Për vete. Shko. Mos e maltreto popullin dhe shtetin, shokët dhe vetveten. Shko ti”, ka shkruar Kurti.

Kurti ka shkruar se burgu nuk është tragjedi.

“Burgu nuk është tragjedi dhe fatal. Sidomos ky i Hagës. Besoj që Ramushi, Fatmiri e Batoni të kanë treguar: aty ka televizor, ushqim të mirë tre herë në ditë, salla për rekreacion dhe libra të panumërt në bibliotekë të pasur. Nuk të ndodh asgjë e keqe atje, përveç faktit që do të kesh kohë të përballesh me ndërgjegjen tënde, të cilën kushedi sa vite ka që nuk e takon më. Shko Hashim”, ka shkruar Kurti.

Lidhur me këtë deklaratë të Kurtit për presidentin Thaçi, “Bota sot” ka kontaktuar me njohës të kësaj rrethane.

Millaku: Hashimi do t’i dërgojë të gjithë shokët e vet në Gjykatë

Deputetja aktive e Kuvendit të Kosovës, Drita Millaku në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se presidenti Thaçi po i dërgon shokët e vet në Gjykatën Speciale për të shpëtuar vetën e tij. Sipas Millakut, ai këtë e bën me mburrje.

“Të gjithë e kemi parë presionin e Hashim Thaçit ndaj deputetëve të PDK-së për ta votuar Specialen dhe gjithë kjo është bërë me kusht që të bëhet president i vendit dhe ai personalisht të mos ketë ftesë nga Gjykata Speciale. Hashimi do t’i dërgon të gjithë shokët e vet në Gjykatë dhe atë me shumë mburrje para ndërkombëtarëve. Specialitet i Hashimit është tradhtia ndaj shokëve dhe bashkëpunëtorëve të vet”, ka thënë Millaku.

Ndër tjera, Millaku është shprehur se brenda PDK-së po zhvillohet një luftë speciale se kush do t’i shpëtoj Gjykatës Speciale. Ajo shton tutje se kjo gjykatë është një e padrejtë që po i bëhet Kosovës.

Image
Drita Millaku

 “Të gjithë e dimë se brenda PDK po zhvillohet një luftë speciale se kush do t’i shpëtoj kësaj gjykate. Gjykata Speciale është një e padrejtë që po i bëhet Kosovës megjithatë kur i ke gjykata dhe prokuroritë e kapura nga bandat atëherë ndodh edhe kjo. Është shumë e turpshme kur bash ata deputet të PDK që kanë votuar specialen me dy duart sot po mundohet të thonë se LVV është fajtore për gjykatë. Një fjalë popullore thotë “qeni i keq ta bjen ujkun n'torisht", edhe Hashimi e ka sjell Gjykatën Speciale”, është shprehur Millaku për “Bota sot”.

Kujtojmë se ditë më parë për në Hagë kanë udhëtuar për t'u paraqitur në Gjykatën Speciale dy ish komandantët e UÇK-së, Sami Lushtaku dhe Rrustem Mustafa.

Islami: Thaçi  është duke luajtur lojën e dreqit

Publicisti Gazmend Islami, në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se presidenti Thaçi njihet si kreatori kryesor i krejt kësaj që po ndodh në Kosovën e pasluftës. Islami shprehet se, Thaçi mori frenat e UÇK-së me ndihmën e shërbimit sekret francez, Fatos Klosit dhe Fatos Nanos.

“Hashim Thaçi njihet si kreatori kryesor i krejt kësaj që po ndodh në Kosovën e pasluftës, pra është një intrigant dhe njeri me vlera të dyshimta, i cili diti mirë të katapultohet dhe të marrë drejtimin e UÇK-së, me përkrahjen e shërbimit sekret francez dhe shërbimet e mbrapshta të Fatos Klosit dhe Fatos Nanos. Pra, është një figurë kontraverse, mirëpo të gjitha meritat e çlirimit të Kosovës, ky i ka varur në murin e medaljeve të veta”, thotë Islami.

Ai mendon se kreu i VV-së, Albin Kurti kishte të drejtë kur i bëri thirrje presidentit Thaçi që të shkojë në Hagë, ndërsa thotë se Gjykata Speciale u krijua nga Thaçi për t’i djegur shokët e vet.

Image
Gazmend Islami

 “Me të drejtë zoti Kurti e ka quajtur që ky duhet të shkojë në Hagë, jo pse ne i gëzohemi Gjykatës Speciale të Hagës të cilën ai e ka krijuar vetë për t’i dërguar dhe t’i djegur shokët e vet që të shpëtoj lëkurën e tij, mirëpo ky nëse deri më sot të gjitha meritat do t’ia atribuoj vetit për çlirim të atdheut, atëherë ky duhet të shkojë dhe të pastrojë luftën e UÇK-së, pra mos t’i djegë shokët e vet, por të jetë vetë ai që të paraqitet vullnetarisht atje dhe të sqaroj të gjitha dyshimet të cilat janë rreth rolit të UÇK-së. Ndërsa, mjerisht po them që ky është duke luajtur lojën e dreqit dhe është duke i eliminuar shokët e vet, me qëllim të shpëtoj vetën e tij dhe në një të ardhme jo të largët, Thaçi pritet të jetë fati më fatkeq i Kosovës kur të vendoset për çështjen finale të dialogut Kosovë-Serbi, sepse qëllimi i tij i vetëm është që Veriun e Kosovës ta jep peshqesh, ashtu siç iu dhanë 8,200 hektarë tokë Malit të Zi”, është shprehur Islami.

Nuk është e drejtë që i Zoti i shtëpisë t'i ikë përgjegjësisë për shtëpinë e tij

E analisti Faik Krasniqi e sheh si shumë të arsyeshme letrën e Kurtit drejtuar Thaçit. Krasniqi thotë se Thaçi, si prijës i luftës që po e proklamon vetën.

Image
Faik Krasniqi

“E shoh si shumë të arsyeshme letrën e Kurtit drejtuar Thaçit. Ishte pikërisht Hashim Thaçi promovuesi dhe përgjegjësi për krijimin e Gjykatës Speciale. Ishte ai që me kërcënime i shtyri shumë deputetë të votojnë këtë Gjykatë. Ai si prijës i luftës që po e proklamon vetën, duhet i pari të shkojë në këtë Gjykatë dhe ta mbrojë luftën e drejtë të UÇK-së dhe shqiptarëve të Kosovës për çlirim. Nuk është e drejtë që i Zoti i shtëpisë t'i ikë përgjegjësisë për shtëpinë e tij”, është shprehur Krasniqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat