Eksperti i sigurisë flet për vizitën e Putinit në Serbi: Tregon qëllimin e presidentit rus

Politika

Eksperti i sigurisë flet për vizitën e Putinit në Serbi: Tregon qëllimin e presidentit rus

Nga: N.H Më: 16 janar 2019 Në ora: 19:02
Vladimir Putin

Vladimir Putin do të vizitojë Beogradin më 17 janar dhe Kosova do të jetë pjesë e bisedimeve të tij me kreun e shtetit serb, Alekasandar Vuçiç.

Ndërsa, lidhur me ketë vizitë është deklaruar edhe eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava, i cili edhe ka treguar nëse eventualisht kjo vizitë mund t’i destabilizojë raportet mes Kosovës dhe Serbisë.

Tërnava në një bisedë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se ardhja e Putinit mund të nënkuptohet sikur përkrahje e politikave serbe.

“Kreu i Rusisë nesër e viziton Serbinë. Kjo vizitë në këto kohëra mund të kuptohet në shumë dimensione. Por, edhe kjo vizitë si shumë vizita tjera të burrështetasve që i bëjnë, e ka efektin e vet të paraparë, e sidomos në ketë kohë kur në Serbi që disa ditë ka protesta të pandërprera. Ardhja e Putinit mund të nënkuptohet sikur përkrahje e politikave serbe në këto kohëra për Serbinë, si shumë të rëndësishme për momentin e situatës në të cilën gjendet tani Serbia”, ka thënë Tërnava.

Sipas tij, vizita e Putnit në Serbi iu jep shpresë popullit të Serbisë e sidomos demonstruesve se nuk janë vetëm.

Image
Hajrullah Tërnava

“Por, edhe këto protesta në Serbi që janë në masë të kontrolluara, mund ta kenë bazamentin e vizitës së Putinit, për të cilën që nga moti është ditur se ka me e vizitua Serbinë. Kjo vizitë iu jep shpresë popullit të Serbisë e sidomos demonstruesve, se “ju nuk jeni vetëm”, prandaj e kanë lidhshmërinë se edhe vet shteti i Serbisë i ka organizuar këto protesta. Me ketë vizitë bëhet një krahasim sikur që shpesh e përdorin politikanët e Serbisë, se nëse Kosova e ka mbrapa Amerikën, edhe ne e kemi Rusinë”, ka thënë ai.

Tërnava ka shtuar duke thënë se nëse dikush ka qëllimin ta destabilizojë gjendjen, Kosova është shtet i pavarur, i njohur nga 110 shtete, ka policinë dhe ushtrinë e saj, por mbi të gjitha për sigurinë e saj edhe me tej përkujdeset NATO dhe KFOR-i.

“Këto politika të vizitave, popullin e Kosovës nuk duhet ta shqetësojnë, sepse politikat diplomatike e luajnë rrolin më të madh, e jo vetëm politikat e vizitave të të mëdhenjve të shteteve. Kjo vizite e Putinit është vetëm një konsum politik për popullin serbë për nevojat e udhëheqësve të shtetit të tyre. Çështja e Kosovës tani ka reperkusione të mëdha po pat dikush pretendime për ta destabilizuar Kosovën, sepse tani Kosova është shtet i pavarur, i njohur nga 110 shtete, e cila e ka policinë dhe ushtrinë e saj, por mbi të gjitha që për sigurinë e saj ende në fuqi është rezoluta ndërkombëtare 1244 e OKB-së që për sovranitetin e saj, përkujdesen KFOR-i dhe NATO”, ka shtuar eksperti i sigurisë.  

Në fund ai thekson se të mëdhenjtë e botës kanë arritur marrëveshje për Kosovën shumë më herët, në kontaktet e tyre të mëhershme dhe tani gjithçka është punë e kryer.

“Tani për përshpejtimet e bisedave ndërmjet këtyre dy shteteve, janë formuar grupet që do t’i udhëheqin këto bisedime, e që e kanë qëllimin përfundimtar ta njohin në mënyrë reciproke pavarësinë mes veti. Edhe për këto biseda dhe përfundimin e tyre, të mëdhenjtë e botës janë marrë vesh më herët në kontaktet e tyre të mëhershme, dhe për gjithçka tani është punë e kryer, ashtu si janë më herët, e që koha do ta dëshmoj ketë në një të ardhme jo të largët”, ka përfunduar eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat