Mushkolaj tregon se a mund të prishet koalicioni qeverisës për shkak të taksës

Politika

Mushkolaj tregon se a mund të prishet koalicioni qeverisës për shkak të taksës

Nga: G.B Më: 17 janar 2019 Në ora: 19:43
Imer Mushkolaj

Kërkesat për heqjen e taksës vazhdojnë, ndërsa kryeministri Ramush Haradinaj thotë se ajo nuk do të hiqet derisa Serbia ta njeh Kosovën.

E së fundmi Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, ka thënë se taksa po përdoret për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj.

Përmes një komunikate për media, KMDLNJ thotë se me rishikimin e taksës mund të rishikohet edhe posti i kryeministrit Haradinaj.

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike, Imer Mushkolaj, ka thënë për gazetën “Bota sot” se do të gjendet një zgjidhje për Kosovën, edhe pse kryeministri thotë se ajo nuk do të hiqet derisa të ketë njohje nga Serbia, por kjo është e pamundur.

“Unë besoj se do të gjendet një zgjidhje për taksën, pavarësisht se kryeministri pretendon se taksa nuk do të hiqet derisa Serbia ta njeh Kosovën, edhe ai vet e di se kjo është e pamundur pasi është një kusht që nuk është i realizueshëm, aq më pak kur jemi në një proces të dialogut, respektivisht kur mund të arrihet një marrëveshje me Serbinë”, është shprehur Mushkolaj.

Sipas tij, taksa duhet të pezullohet, ose të zëvendësohet me masa reciprociteti me Serbinë.

“Natyrisht se unë them se taksa duhet të pezullohet, por nuk duhet të pezullohet vetëm pse thotë SHBA ose dikush tjetër, por duhet të dihet se çfarë përfiton Kosova në këtë rast në raport me Serbinë. Ose taksa mund të zëvendësohet me masa reciprociteti me Serbinë, që është masa më e duhur dhe më e nevojshme që duhet marrë institucionet e Kosovës”, ka vlerësuar ai.

Mushkolaj thotë se taksa nuk mund të ndikojë që të prishet koalicioni qeverisës, derisa shton se tashmë kemi pasur premtime të Haradinajt që nuk janë mbajtur.

“Por nuk them se në këtë formë taksa të ndikojë që koalicioni qeveritar të prishet, pavarësisht deklarimeve qoftë të kryeministrit, qoftë të partnerëve të tjerë të koalicionit se një gjë e tillë mund të ndodhë. Tek e fundit kryeministri Haradinaj ka premtuar edhe përpara gjëra tjera, ka dhënë premtime të cilat nuk i ka mbajt, qoftë demarkacioni, qoftë liberalizimi i vizave”, ka deklaruar Imer Mushkolaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat