Deputeti i LDK-së: Qeveria Haradinaj ka shpërndarë para në mënyrë të pakontrolluar

Politika

Deputeti i LDK-së: Qeveria Haradinaj ka shpërndarë para në mënyrë të pakontrolluar

Nga: N.H Më: 19 janar 2019 Në ora: 23:15
Deputetët e LDK-së

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit Shkencës e Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka thënë se greva në arsim do të vazhdojë.

Jasharaj ndër tjerash ka deklaruar se si përfaqësues i sindikalistëve, është kategorik për vazhdimin e grevës.

“Shteti për dy ditë mund t’i plotësoj kërkesat tona. Kur ka mundësi të gjejë para andej e këndej, le t’i gjejë disa para edhe për ne. Le të kenë arsimtarët dhe të tjerët vendin meritor në projektligjin e pagave, ne fillojmë me mësim”, ka deklaruar i pari i SBASHK-ut.

Lidhur me ketë kërkesë, ka folur edhe anëtari i Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi nga radhët e LDK-së, Fidan Rekaliu.

Deputeti i LDK-së për gazetën “Bota sot”, ka thënë se greva e SBASHK-ut, është nxitur nga veprimet dhe vendimet arbitrare, arrogante të kundërligjshme dhe në shpërdorim të parasë publike.

“Greva e SBASHK, është nxitur nga veprimet dhe vendimet arbitrare, arrogante të kundërligjshme dhe në shpërdorim të parasë publike. Jeni dëshmitar se si kjo qeveri ka shpërndarë para në mënyrë të pakontrolluar”, ka thënë Rekaliu.

Sipas tij, LDK sa ishte në qeverisje kishte vendosur një standard unik, pa e rrezikuar stabilitetin financiar.

Image
Fidan Rekaliu

“LDK sa ishte në qeverisje kishte vendosur një standard unik që garantonte rritje pagash në mënyrë progresive pa e rrezikuar stabilitetin financiar. Në situatën e krijuar, ne mendojmë se SBASHK-u ka të drejtë në kërkesat e veta, sepse qeveria e "vendime të mëdha", ka marrë vendime të dëmeve dhe padrejtësive të mëdha”, ka thënë ai.

Deputeti i LDK-së thekson se partia e tij do të tentojë të propozojë formula të qëndrueshme të cilat mundësojnë akomodim të kërkesave të mësimdhënësve.

“LDK do të tentojë të propozojë formula të qëndrueshme të cilat mundësojnë akomodim të kërkesave të mësimdhënësve por edhe të sektorit shëndetësor, në mënyrë që mos të pësojnë më tutje, fëmijët, rinia dhe qytetarët e Kosovës”, ka përfunduar deputeti i LDK-së, Fidan Rekaliu, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat