Reagim i ashpër ndaj Xhavit Halitit i cili tha se nuk ka argument që ka ekzistuar FARK-u

Politika

Reagim i ashpër ndaj Xhavit Halitit i cili tha se nuk ka argument që ka ekzistuar FARK-u

Nga: D.RR Më: 20 janar 2019 Në ora: 17:29
Xhavit Haliti dhe Ahmet Krasniqi

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, njëherit ish udhëheqës i LPK-së, ka thënë në një intervistë se nuk ka argumente se FARK-u nuk ka ekzistuar. Deklarata e tij ka ngjallur reagime, e një nga ata zëra është edhe ish gazetari i luftës, Rexhep Shahu, i cili vepronte në Kukës të Shqipërisë gjatë asaj kohe.

Shahu për “Bota sot” kritikon Xhavit Halitin me ironi për atë deklaratë duke thënë se, nëse Haliti nuk ka qenë asnjëherë në Kukës, Has e Tropojë, nëse ai nuk ka sy, atëherë FARK-u nuk ka ekzistuar.

Shahu thotë se ai vetë i ka parë qindra ushtarë të FARK-ut, është përshëndetur me ta para se të hynin në luftë në Kosovë dhe se janë plotë të tillë me emra e mbiemra. Këtë deklaratë të Halitit, Shahu e quan turpëruese.

Image
Ushtarakët e lartë të Kosovës: Muhamet Vishaj i pari në foto majtas ne vështrim përballë, Ahmet Alishani i dyti që drejtonin stërvitjet e trupave të FARK në Kolshë, Rexhep Shahu, dhe gjeneral Kudusi Lame komandant i divizionit të Kukësit një ditë fillim janari 1999 në Kukës në promovimin e numrit të parë të revistës kulturore Dy Drina.

“Nëse Xhavit Haliti nuk ka qenë asnjëherë në Kukës, Has e Tropojë, nëse Xhavit Haliti nuk ka qenë kurrë në Kolsh e në Kalimash të Kukësit, në Tropojë, nëse Xhaviti nuk i ka pas sytë me vete, veshët me vete por ka qenë qorr e shurdh atëherë nuk ka pas FARK. Unë i kam parë me sytë e mi qindra e qindra trupa të FARK-ut dhe më vjen turp të bëj logje sot me lloj lloj Xhaviti. I kam parë me sytë e mi, i kam prekë me duar, jam përshëndetë kur hynin në luftë në Kosovë. Janë njerëz me emra e mbiemra, janë plotë ushtarë dhe është krim i rendë dhe i poshtër të thuash se nuk kanë qenë, nuk ka pas FARK. Qindra e qindra ushtarë të FARK-ut kanë qenë legalë dhe nuk kanë qenë ilegalë si Xhaviti nëpër Kukës. Ushtarët e FARK-ut kanë qenë realitet, kanë qenë të grupuar, stërviteshin në Kolsh e Kalimash, nuk rrinin skutave me Xhavitat, kanë qenë legalë, institucionalë, përgatiteshin dhe hynin në luftë nuk endeshin kafeneve si Xhavitat”, është shprehur Shahu.

Sipas tij, nëse nuk ka ekzistuar FARK-u, nuk ka ekzistuar as Xhavit Haliti, por hija dhe fantazma e tij. Gjithashtu, Shahu tregon një rast me ushtarët e FARK-ut.

“Më vjen shumë keq e turp të mohohet lufta, kontributi, pjesëmarrja e ushtarëve të FARK në luftë. Nëse nuk ka ekzistuar FARK, trupat e FARK, ushtarët e FARK, nuk ka ekzistuar kurrë Xhavit Haliti por hija e tij, fantazma e tij. Kur mohohet sot kontributi i ushtarëve të luftës, i ushtarëve të FARK-ut që janë gjallë, vajmedet çfarë do të bënin Xhavitat pas 50 vjetëve. Unë shkoja dy tre herë në javë në Kolsh, rrija me ushtarët e FARK-ut në qendrën e tyre të stërvitjes. Një natë dhjetori 1998 mbi 10 kamionë ushtrie vuri në dispozicion të trupave të FARK-ut që ishin në Kolsh gjenerali Kudusi Lame dhe trupat e FARK-ut udhëtuan nga Kukësi në Tropojë e nga Tropoja në Vlahen dhe hynë në Kosovë në rajonin e Suharekës. Unë i kam parë me sytë e mi dhe unë u besoj syve të mi më shumë se përrallave të Xhavitave. Ky është vetëm një detaj, por janë dhjetëra e dhjetëra histori me ushtarë të FARK-ut”, ka treguar Shahu për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat