“Takimi i Oslos dëshmon se FARK-u ka ekzistuar, marrëveshjet atje nuk u bënë për shkak të udhëheqësve të LPK-së”

Politika

“Takimi i Oslos dëshmon se FARK-u ka ekzistuar, marrëveshjet atje nuk u bënë për shkak të udhëheqësve të LPK-së”

Nga: D.RR Më: 21 janar 2019 Në ora: 23:37
Xhavit Haliti, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Azem Syla

Lidhur me deklaratën e ish anëtarit të LPK-së Xhavit Haliti, se nuk ka argumente se ka ekzistuar FARK-u në Kosovë, ka reaguar publicisti Gazmend Islami.

Ai në një prononcim për “Bota sot” i quan deklarata përçarëse ato të Halitit, duke thënë se po të mos ekzistonte FARK-u, nuk do të mbahej as marrëveshja e Oslos e cila kishte nxjerrë 12 pika. Sipas Islamit, në 12 pikat e marrëveshjes së Oslos parashihej që fillimisht lufta ndaj Serbisë të bëhej nën ombrellën e UÇK-së, e pastaj kur lufta të bëhej e hapur, të kalonte nën udhëheqjen e FARK-ut.

“Deklarata e Xhavit Halitit nuk është gjë tjetër veçse vazhdimësi e politikave të tij që kanë pasur për qëllim çdo herë që të përçaj zakonisht grupet guerile edhe gjatë luftës edhe pas luftës, pra ka qenë njeriu kyç që ka luajtur rolin më negativ në çështjen e bashkëpunimit e partive politike në Kosovë. Deklarata e tij se nuk ka ekzistuar FARK-u, janë krejtësisht të pavërteta për arsye se po të mos ekzistonte FARK-u nuk do të kishte mundësi që të mbahej takimi i Oslos, takim ky që ka nxjerrë 12 pika që dëshmojnë se ka pasur dy grupacione luftarake që ishte UÇK dhe FARK që udhëhiqej nga koloneli Ahmet Krasniqi. Marrëveshja e Oslos ishte e tillë që lufta ndaj Serbisë të bëhej nën ombrellën e UÇK-së, e që përfshihej sigurisht edhe FARK-u, mirëpo kur lufta të bëhej e hapur, ajo të kaloj nën udhëheqjen e FARK-ut. Pra ky është edhe dallimi i asaj se çfarë kanë folur në Oslo”, është shprehur Islami.

Image
Gazmend Islami

Sipas tij, mosimplementimi i marrëveshjeve të Oslos, ka të bëjë me udhëheqësit e LPK-së.

“Mirëpo, pa dashur që të hymë në detaje veç e veç, dimë veç të themi se, dinakëria e Xhavit Halitit është ajo që ka ndarë apo më mirë të themi nuk e kanë implementuar marrëveshjen e Oslos e cila marrëveshje ka 12 pika, dhe në këto pika është marrur vesh që të ketë vetëm një trup të përbashkët, të vazhdohet me dy fronte të përkrahet lufta dhe nga momente të caktuar nga UÇK të merret vendimi që këto të operojnë nën formatin e FARK-ut, por fatkeqësisht nuk kanë mundur asnjëherë që të ketë një bashkëpunim të mirëfilltë dhe arsyeja e vetme është që njerëzit kryesor të LPK-së, siç ishin Xhavit Haliti, Hashim Thaçi, Azem Syla e Kadri Veseli, pra çdo herë kanë pasur prapavijën e tyre që t’i eliminojnë strukturat udhëheqëse të FARK-ut  në mënyrë që këta të mos ndihen të rrezikuar për pushtetin e ardhshëm që lakmonin ta kishin pas luftës. Kjo ngjall edhe dyshimet e vrasjes së Ahmet Krasniqit dhe dyshimet e shumta që Xhavit Haliti është koka e të keqes në Kosovë dhe mund ta them me përgjegjësi të plotë se Xhavit Haliti asnjëherë nuk e ka takuar komandantit legjendar Adem Jashari e as komandantin e parë të UÇK-së, Zahir Pajazitin”, tha Islami.

Islami tutje shton se në Kosovës kanë vepruar dy zona kryesore, ajo e Llapit që udhëhiqej nga komandanti i parë i UÇK-së, Zahir Pajaziti dhe ajo e Drenicës që udhëhiqej nga komandanti legjendar Adem Jashari.

“Pra, nëse bëjmë një analizë të gjithë kësaj, mund të nxjerrim që gjatë veprimtarisë së UÇK-së mbrenda Kosovës që ishin dy zona kryesore që operonin, pra zona e Llapit dhe zona e Drenicës, e Llapit ishte që udhëhiqej nga Zahir Pajaziti dhe përfshinte gjysmën e Kosovës, mirëpo klika e LPK-së ishte jashtë këtyre strukturave dhe nuk kishte të bënte asgjë me veprimtarinë që bënte UÇK-ja brenda territorit të Kosovës. Pra, dua të them se Xhavit Haliti ka vjelur në mënyrë dinake meritat edhe të UÇK-së që ishin brenda Kosovës, e gjithashtu edhe meritat e FARK-ut që kanë vepruar brenda Kosovës siç ka qenë Sali Çekaj etj”, ka nënvizuar Islami.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat