Tema e ndryshimit të kufijve po sjellë “çnjohjet”

Politika

Tema e ndryshimit të kufijve po sjellë “çnjohjet”

Nga: Zejnepe Bekteshi Më: 22 janar 2019 Në ora: 07:33
Foto ilustrim

Procesi i njohjes së pavarësisë së Kosovës nga disa shtete të BE-së, po ecën ngadalë për shkak të propagandës së Serbisë.

Diplomacia e Kosovës në arenën ndërkombëtare ka ngecur gjatë vitit 2018-të, ndërsa ky avaz po vazhdon edhe në fillim të këtij viti, duke mos pasur njohje të reja, e për më tepër duke pasur vetëm “çnjohje”.

Kanë kaluar gati 11 vjet kur Kosova shpalli pavarësinë, nga atëherë përveç shteteve që na kanë njohur, ka pas të tillë që e kanë tërhequr njohjen.

Për të arriturat dhe ngecjet e  Kosovës ose për njohjet dhe çnjohjet që po i bëjnë Kosovës shtete të ndryshme, për “Bota Sot”, kanë folur, deputetja dhe kryetarja e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme në Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani,nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK), zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Anton Berisha dhe Artan Murati nga Institutit Demokratik të Kosovës (KDI).

Osmani: Tema e ndryshimit të kufijve ka dëmtuar shtetësinë e Kosovës

Image
Vjosa Osmani

Vjosa Osmani , kryetare e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, nga radhët e LDK-së,  në një prononcim për “Bota Sot”, ka thënë se aktivitetet Ministrisë  së Punëve të Jashtme (MPJ), nuk kanë qenë të mjaftueshme për tu ballafaquar me propagandën serbe.

“Kjo ndodhë për disa arsye: Së pari, për shkak se vetë përfaqësuesit institucional e kanë dëmtuar shtetësinë dhe subjektivitetin ndërkombëtar të vendit duke e hapur kështu edhe temën e ndryshimit të kufijve. Dhe, natyrisht kur ti vet nuk i njeh kufijtë e shtetit tënd nuk mund të pritet që ata t’i njohin shtetet e tjera. Së dyti, diplomacia kosovare është politizuar skajshëm, ku emërimet e pjesëtarëve të shërbimit të jashtëm bëhen kryekëput emërime politike, duke shkelur kështu edhe ligjin. Së treti, përderisa Serbia përdorë një buxhet tepër të madh për të kontestuar njohjet e Kosovës dhe për të penguar anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, në Kosovë ky buxhet abuzohet, dhe si duket në masë të madhe është shfrytëzuar për promovime individuale e jo për të mbrojtur e promovuar interesat e Kosovës”, ka thënë Osmani .

Së fundi, Osmani ka theksuar se akterët institucionalë që kanë kompetenca në fushën e politikës së jashtme janë totalisht të çakorduar dhe jounikë në qëndrimet që duhet t’i mbajnë dhe për prioritetet që duhet t’i kenë në politikën e jashtme.

“Pra nuk kanë pajtim as për dialogun, as për tarifën, as për raportet me miqtë tanë, as për agjendën bilaterale e as atë multilaterale. Të gjitha këto e dëmtojnë vendin, jo vetëm në raport me Serbinë, por në përgjithësi në arenën ndërkombëtare”, ka përfunduar kryetarja e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, Vjosa Osmani.

Berisha: Qeveria ka marra masa kundërvepruese ndaj Serbisë

Image
Anton Berisha

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës,  Anton Berisha, në një prononcim për “Bota Sot”, ka thënë se Qeveria e Kosovës ka marrë masa kundërvepruese ndaj Serbisë , për shkak  të aktiviteteve të saj kundër Kosovës .

“Siç jeni ne dijeni, Qeveria e Kosovës ka marra masa kundërvepruese ndaj Serbisë, për shkak te aktiviteteve te saj kundër Kosovës. Veprimet e Serbisë janë në kundërshtim të plotë me frymën e dialogut dhe të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet nesh si dy shtete fqinje. Ne jemi duke e përcjellë situatën me kujdes, dhe në varësi të zhvillimeve do të marrim masa adekuate në mbrojte te shtetit të Kosovës”, përfundoi Berisha.

Murati: MPJ në shumë raste nuk ka pasur strategji lobimi

Për çnjohjen e shtetit të Kosovës nga vendet tjera, ka folur për "Bota sot" njohës i çështjeve politike në vend, Artan Murati nga Institutit Demokratik të Kosovës (KDI).

Image
Artan Murati

Ai në një prononcim për "Bota Sot" ka thënë se Ministria e Punës së Jashtme (MPJ), nuk ka pasur një strategji konkrete si  të loboj për shtetësinë e Kosovës.

“MPJ në shumë raste nuk ka pasur strategji konkrete si të loboj për shtetësinë e Kosovës, qoftë për prurjen e njohjeve të reja, qoftë për mbajtjen e raporteve diplomatike me shtetet që na kanë njohur, në mënyrë që të parandalohet tërheqja e njohjes”, tha Murati.

Gjithashtu Murati thotë se, kjo qasje e pakoordinuar e institucioneve të vendit, e në veçanti e MPJ-së, po i kushton Kosovës, shkruan "Bota Sot".

“Kjo qasje e pakoordinuar e institucioneve të vendit, e në veçanti e MPJ-së, po i kushton Kosovës. Përveç që nuk kemi pranuar njohje të reja tash e sa kohë, Kosova po dështon të anëtarësohet në organizata rajonale e ndërkombëtare, si dhe është duke u ballafaquar me tërheqje të njohjes së pavarësisë nga disa shtete të vogla”, shtoi më tej Murati.

Murati më tej shtoi se diplomacia e Kosovës të zgjohet dhe të mos merret me politikë "Ad-hok".

“Andaj, është momenti i fundit që diplomacia kosovare të zgjohet dhe të mos merret me politika ad-hoke, por të ketë plan e strategji konkrete si t'i çaset këtij problem”, është shprehur Murati.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat