Paralajmërimi: Kosova të ketë kujdes me kërkesat pas dorëheqjes së njeriut kryesor të DASH-it për Evropë

Politika

Paralajmërimi: Kosova të ketë kujdes me kërkesat pas dorëheqjes së njeriut kryesor të DASH-it për Evropë

Nga: G.B Më: 24 janar 2019 Në ora: 07:53
Njeriu kryesor i Departamentit Amerikan të Shtetit për Evropë, Wes Mitchell

Njeriu kryesor i Departamentit Amerikan të Shtetit për Evropë, Wes Mitchell ka dhënë dorëheqje të martën.

Mitchell që ka shërbyer më së gjati në kohën e ish-sekretarit amerikan të Shtetit Rex Tillerson, ka qenë thellësisht i angazhuar për raportet Kosovë – Serbi dhe ka zhvilluar një sërë vizitash në Prishtinë e Beograd.

Washington Post shkruan se dorëheqja vjen në kohën kur janë vënë në pikëpyetje aleancat historike me Evropën, nga ana e presidentit Trump.

Mitchell do të largohet nga posti i tij më 15 shkurt. Ai e ka përkrahur në emër të qeverisë së tij krijimin e Ushtrisë së Kosovës.

Abazi: Mitchell e ka kuptuar mirë se cilat janë lojërat dhe ambiciet ruse në Evropën Qendrore dhe Juglindore

Lidhur me dorëheqjen e tij dhe ndikimin që mund të ketë kjo dorëheqje për Kosovën dhe dialogun me Serbinë, njohësi i çështjeve politike, Haki Abazi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se Mitchell ka luajtur rol të rëndësishëm duke qenë diplomat i vyeshëm.

“Sigurisht që përbrenda kornizimit të politikës së jashtme rol të rëndësishëm luajnë edhe udhëheqësit e institucioneve. Z. Wess Mitchell është një diplomat i vyeshëm dhe jashtëzakonisht mirë i përgatitur sidomos për marrëdhëniet gjeopolitike të Evropës dhe Rusisë. Ai ka kuptuar shumë mirë se cilat janë lojërat dhe ambiciet ruse në Evropën Qendrore dhe Juglindore”, është shprehur ai.

Sipas Abazit, dorëheqja e tij lë boshllëk administratën e tanishme amerikane, por është fat që në Kosovë dhe Serbi janë dy ambasadorë amerikanë të shkëlqyeshëm.

“Dorëheqja e tij lë një boshllëk në administratën e tanishme amerikane, sidomos që shumica e njerëzve që janë tani aty nuk kanë kujtesën institucionale për atë se çka ka ndodhur dhe ndonjëherë edhe për investimin e madh amerikan në sigurinë, stabilitetin dhe zhvillimin e Evropës në përgjithësi por në veçanti pjesë së Evropës që ka qenë nën ndikimin e lindjes dhe komunizmit. Është fat që në Kosovë dhe Serbi janë dy ambasadorë të shkëlqyeshëm të SHBA-ve. Ata kuptojnë mirë po ashtu zhvillimet rajonale dhe ata mund të luajnë rol kritik në situatën që po zhvillohet, njerëz sikur që ambasadori amerikan në Maqedoni ishte absolutisht njeriu që shpëtoi Maqedoninë nga kthetrat e krimit të organizuar, korrupsionit dhe një luftë ndër-etnike të fuzionuar nga interesat gjeopolitike”, ka deklaruar Haki Abazi për “Bota sot”.

Image
Haki Abazi

Ai vlerëson se shkuarja e Mitchell e bën edhe më të pasigurt hapësirën ku mund të ketë lëvizje të interesave gjeostrategjik, andaj Kosova duhet të ketë kujdes me kërkesat.

“Pas shkarjes së HR McMAster nga këshilltari për Siguri Nacionale, shkuarja e Wess Mitchell e bën edhe më të pasigurt hapësirën ku mund të ketë lëvizje të interesave gjeostrategjike dhe Kosova dhe shqiptarët duhet të kenë kujdes të shtuar në veprimet dhe kërkesat që i shtrojnë. Ndonjëherë nuk është e përshtatshme të mbahen konferenca ndërkombëtare në kohë të caktuar dhe mendoj që tani nuk është koha për një konferencë ndërkombëtare të tipit çfarë po flasin krerët institucional”, është shprehur Abazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat