“Ngutja e Evropës që ta ketë Serbinë në gjirin e saj ka cenuar pritshmërinë e Kosovës”

Politika

“Ngutja e Evropës që ta ketë Serbinë në gjirin e saj ka cenuar pritshmërinë e Kosovës”

Nga: D. B Më: 25 janar 2019 Në ora: 10:17
Ilustrim

Analisti politik Rexhep Shahu, ka thënë se, Kosova dhe autoritetet e saj, të  cilët bëjnë luftë bërrylash për të qenë të parët e katundit, nuk kanë treguar aspak qëndrueshmëri, qartësi, profesionalizëm, kompetencë dhe janë mbyte në vogëlsira dhe periferi problemesh.

Sipas tij, presioni i madh serb dhe synimi i tyre diplomatik që ta paraqesin Serbinë viktimë e Kosovën xhelat, duke shfrytëzuar ndryshimet e administratës së Evropës pa kujtesë për luftërat e Serbisë ndaj Kosovës 20 vjet më parë, ka bërë që të mos shihet me simpati Kosova.

Image
Rexhep Shahu

“Ngutja e Evropës që ta ketë Serbinë në gjirin e saj ka cenuar pritshmërinë e Kosovës. Në bisedimet Kosovë - Serbi nuk ka fituar Kosova ende, përderisa Serbia shtron në tryezë probleme që nuk duhen diskutuar kurrë më si pavarësia, shtetësia, shkëputja prej Serbisë. Biseduesit e Kosovës në këto rrethana duhet të ikin nga bisedimet sepse aty ku mundesh me të padrejtë e aty ku loja është me hile, ik nga loja. Në këto rrethana kur Kosovës i bëjnë gjuajtje poshtë belit, kur ia kërcënojnë dhe përçajnë liderët e ia vënë kundër njeri tjetrit, kur nuk e lënë të ngrejë krye e të kërkojë dinjitet, të pohojë se e kanë pranuar fuqitë me të mëdha, ajo duhet të mos vazhdojë bisedime, të heqë dorë, dhe të kërkojë ndryshim modeli”, ka thënë analisti politik Shahu.

Ai konsideron se Institucionet e vendit në krye me krerët e tyre, duhet të kërkojë që në emër të Kosovës, me Serbinë të bisedojë vetëm karshi një grupi ekspertësh ndërkombëtar.

“Nuk shtyhet më tej të jenë ne ekipe bisedimesh militante partish, as njerëz që duan të pasurojnë CV-të e tyre për poste të nesërme. Luftën nuk e bëmë dot vet, lirinë e pavarësinë nuk e fituam dot vetë e vetëm as bisedimet nuk i bëjmë dot vetë as vetëm. Këtë për fatin tonë të keq duhet ta kuptojë mirë klasa politike e Kosovës, ta pranojë e të mos sillen liderët si barinj që ua han ujku gjithë kopenë e ata fërshëllejnë e i bien fyej e të gjatë. Për shqiptarët e në emër të tyre, me Serbinë duhet të bisedojnë miqtë më të mirë të Kosovës, pasi ndryshe, biseduesit e deritanishëm të Kosovës bëjnë vrima në ujë e prashisin në det”, ka thënë Shahu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat